Disa të mbijetuar të sulmit të Hamasit më 7 tetor janë mbledhur në sinagogën e Budapestit në Hungari dhe kanë rrëfyer për ditën e tmerrit që përjetuan gjatë sulmit nga militantët e Hamasit.
Nga sulmi i Hamasit janë vrarë 1 mijë e 200 civilë izraelitë, ndërkaq 240 të tjerë janë marrë peng.
Elinor Biton-Bariach së bashku me familjen e saj ka qëndruar për 22 orë në bodrumin e shtëpisë në Kfar Azza teksa militantët e Hamasit nga çatia po vrisnin civilët e tjerë.
As përvoja e saj si oficere ushtarake nuk ka mundur ta bëjë gati për sulmin e asaj mase.
“Jetojmë afër Gazës. Ne ishim ata që i dërgonim në spital fëmijët e tyre të sëmurë, sepse mendoja se kjo ishte e vërteta dhe ajo që duhej të bënim. Nuk e di nëse ishim rehat në atë zonë, askush nuk e dinte, sepse përditë ishim ata që u ndihmonim atyre. Edhe atë ditë kur ushtria nisi sulmin, ata u paralajmëruan ndoshta 72 orë më herët. Ne i njoftuam duke u thënë që të largoheshin drejt jugut, sepse duam ta pastrojmë pjesën veriore. Mirëpo ata neve nuk ka thanë asgjë më parë. Ata na masakruan të shtunën në mëngjes. Kur u zgjuam e di se po vraponim drejt bodrumit. Ata vazhdonin të vinin. Kfar Azza është lagje e vogël, ndoshta me 900 banorë. 10 për qind janë vrarë. 63 persona janë vrarë, 19 janë marrë peng. Kemi shumë të plagosur nëpër spitale”.
Ajo shpreson të kthehet në shtëpi, nëse jo, e cilëson fitore të Hamasit.
Edhe
Të paktën nëntë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza
“E dimë se duam të jemi komunitet i fuqishëm. Nëse vendosim që të mos kthehemi, Hamasi do të jetë fitues. Nuk duam ta shuajmë shpirtin tonë dhe nuk duam të shuajmë asgjë tjetër. Jam këtu, sepse dua të tregoj historinë time. Jo vetëm timen. Historia ime është e ngjashme me shumë familje të tjera. Jam e sigurt se do të kthehemi. Do të jemi më të fortë dhe do të rindërtojmë Kfar Azzan”, ka thënë ajo.
Të premten forcat izraelite kanë gjetur trupin e një gruaje që po mbahej peng nga Hamasi. Trupi i saj është gjetur afër spitalit Al-Shifa në Gaza.
Ajo është pengu i dytë që është gjetur i vdekur në dy ditët e fundit. Ushtari 19-vjeçar, Noa Marciano, ishte marrë peng nga militantët e Hamasit më 7 tetor. Ai është varrosur të premten.