Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët, votoi për rihapjen e qeverisë federale dhe për të financuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare deri në muajin shkurt.
Por, asnjëra nga masat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve nuk përfshinë 5 miliardë dollarët e kërkuar nga presidenti Donald Trump, për murin përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara, gjë që me siguri nuk do të miratohen në Senatin e kontrolluar nga republikanët dhe pothuajse me siguri do të përballen me veton e presidentit Trump, raporton VOA.
Ideja e masave është rihapja e qeverisë ndërsa çështja e murit të lihet për negociata të veçanta.
Presidenti Trump i ka ftuar udhëheqësit e Kongresit për një takim tjetër në Shtëpinë e Bardhë të premten për të diskutuar rrugët e rihapjes së qeverisë, mbyllja e pjesshme e së cilës është duke hyrë në javën e tretë.
Bisedimet e së mërkurës nuk çuan askund meqë të dyja palët ngulën këmbë: presidenti Trump duke kërkuar 5 miliardë dollarë për murin dhe demokratët duke thënë jo, asnjë qindarkë.
Edhe
Dhoma e Përfaqësuesve voton sot marrëveshjen që çon në fundin e mbylljes së qeverisë
“Ne mund të shkojmë poshtë e lartë”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi për NBC News. “Sa herë duhet të themi jo? Asgjë për murin”.
Pelosi akuzoi presidentin Trump se po e mban peng qeverinë federale për shkak të premtimit të tij gjatë fushatës për ngritjen e murit për të cilin kishte thënë se do të paguaj Meksika.
“Kjo është qesharake. Nën a: Meksika nuk po paguan për të dhe nën b: ne mund të kemi një përdorim më të mirë të fondeve për të ruajtur kufijtë. Presidenti e di këtë”, tha Pelosi.
Udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, i cilësoi “teatër politik” ligjet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Derisa presidenti Trump nuk e përdori fjalën “veto”, këtë e bënë zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë. Një zyrtar tha se presidenti u ka thënë udhëheqësve demokrat se do të dukej ‘i marrë’ nëse do t’i jepte fund mbylljes së qeverisë.
Edhe
Përplasjet mes partive vënë në rrezik ndihmat për miliona amerikanë
Presidenti Trump fajëson demokratët për situatën aktuale.
“Mbyllja e qeverisë ka të bëjë vetëm me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, shkroi ai të enjten në Twitter. “Demokratët e dinë se nuk mund të fitojnë për shkak të të gjitha arritjeve të Trumpit, kështu që ata janë përqendruar në murin dëshpërimisht të nevojshëm dhe sigurinë e kufirit...Për ta është thjeshtë politikë”.
Presidenti Trump tha se vendi ka nevojë për mbrojtje dhe tërhoqi vërejtjen se krimi, drogat dhe bandat po vërshojnë në Shtetet e Bashkuara nga Meksika.
Ai tha se më shumë se 35 milionë emigrantë të paligjshëm janë në Shtetet e Bashkuara duke rënë në kundërshtim me ekspertët që pohojnë se ky numër është shumë më i vogël.
Edhe
Dhoma e Përfaqësuesve nuk arrin të anulojë veton e Trumpit
Ndërkohë, 800 mijë punonjës federal janë çuar në shtëpi ose punojnë pa pagesë tashmë dy javë.
Pirgjet e mbeturinave po rriten në parqet kombëtare, të cilat janë mbyllur zyrtarisht, sikurse edhe shumica e atraksioneve më të mira turistike të Uashingtonit.