Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dezinformata rreth koronavirusit po përhapen nëpërmjet “Facebook”-ut dhe “Twitter”-it

Fillimisht do të shfaqeshin teori konspiracioni përmes rrjeteve sociale se koronavirusi ishte shpikur në një laborator sekret të qeverisë kineze. Pastaj, pati lajme për barna të rreme kundër virusit.

E më pas pati edhe pretendime të rreme rreth qeverive, të famshmëve dhe trazirave sociale. Tajvani pretendohej se po e fshihte numrin e viktimave kundër virusit, pasi që epidemia iu kishte dalë jashtë kontrollit. Bill Gatesi, bashkëthemeluesi i Microsoftit, “qëndronte prapa përhapjes së virusit”. Italianët po marshonin nëpër rrugë dhe po i akuzonin kinezët se e kishin sjellë këtë sëmundje në shtetin e tyre. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë, raporton “New York Times”, transmeton “Koha.net”.

Me përhapjen e koronavirusit nëpër botë, janë përhapur edhe dezinformatat, me gjithë përpjekjet e prera të mediave sociale për ta penguar një gjë të tillë. “Facebook”, “Google” dhe “Twitter” kanë bërë të ditur se janë duke i hequr dezinformatat rreth koronavirusit dhe se janë duke bashkëpunuar me zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe organizata tjera qeveritare për ta siguruar informimin e saktë të qytetarëve.

Por, një kërkim i “New York Times”-it ka gjetur dhjetëra video, fotografi dhe statuse nëpër platformat sociale që paraqesin dezinformata. Postimet nuk ishin vetëm në gjuhën angleze.

Përhapja e përmbajtjes së rreme rreth koronavirusit ka qenë një përkujtues i sfidave me të cilat përballen hulumtuesit dhe kompanitë e internetit. Madje edhe atëherë kur kompanitë janë të vendosura ta mbrojnë të vërtetën, ato shpesh e kanë të vështirë ta arrijnë këtë gjë.

Aq shumë informata të pasakta ka rreth virusit, saqë OBSH-ja ka thënë se po përballet me një “infodemi”.

“Shoh gjithkah informata të pasakta rreth koronavirusit . Disa njerëz i ka kapluar paniku dhe janë në kërkim të kurave magjike, përderisa ka njerëz që janë duke përhapur konspiracione”, ka thënë Austin Chiang, gastroenterolog në Universitetin Jefferson në Filadelfia.

Në Tajvan, informatat e pasakta të lidhura me virusin, të përhapura përmes mediave sociale, ka nxitur shqetësimet se Kina mund të jetë duke e përdorur krizën për ta cenuar qeverisjen në këtë ishull.

Gjatë javëve të kaluara, ka pasur postime në “Facebook” dhe faqe tjera që pretendonin se Tajvani ka fshehur shifrën e të infektuarve. Ka pasur dokumente të rreme, që dukeshin si të dokumente të qeverisë, përmes të cilave zotohej shpërndarja falas e maskave dhe vaksinave. Madje, ka pasur montazhë të një fotografie kinse të bërë prej një transmetimi televiziv, në të cilin thuhej se presidenti Tsai Ing-wen e kishte marrë virusin dhe ndodhej në karantinë.

Artikuj të ngjashëm