Botë

Dështimi “i papritur” i Putinit

Kharkiv - tanket ruse te prishura

Ukraina ka nxjerrë pulla postare e kartolina të veçanta në tremujorin e luftës së nisur nga Rusia. Nuk pati asnjë fitore të shpejtë për forcat e fuqishme të presidentit rus, Vladimir Putin, asnjë rrugëdalje që do të lejonte Kremlinin të kontrollonte pjesën më të madhe të Ukrainës dhe të instalonte një qeveri kukull

Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt kishte shpresuar ta nënshtronte shtetin fqinj brenda pak ditësh ose javësh. Kështu menduan edhe shumë analistë perëndimorë.

Ndërkohë që konflikti shënoi muajin e tretë, megjithatë, Moska duket se është zhytur në atë që gjithnjë e më shumë duket si luftë pa fund në horizont dhe pak suksese në fushën e betejës.

Nuk pati asnjë fitore të shpejtë për forcat e fuqishme të presidentit rus, Vladimir Putin, asnjë rrugëdalje që do të lejonte Kremlinin të kontrollonte pjesën më të madhe të Ukrainës dhe të instalonte një qeveri kukull.

Në vend të kësaj, trupat ruse u bllokuan në periferi të Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha mes mbrojtjeve të ashpra ukrainase. Kolonat e armatës ruse dukeshin të bllokuara në rrugë të gjata të autostradës. Trupave u mbaruan furnizimet dhe nafta, duke u kthyer në objektiva të lehta.

Pranimi i dështimit

Pak më shumë se një muaj pas pushtimit, Rusia në mënyrë efektive pranoi dështimin e sulmit të saj dhe tërhoqi trupat nga zonat afër Kievit, duke deklaruar zhvendosje të fokusit në rajonin industrial lindor të Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase që nga viti 2014.

Sigurisht, Rusia ka kapur pjesë të konsiderueshme të territorit rreth gadishullit të Krimesë që Moska aneksoi tetë vjet më parë. Ajo gjithashtu ka arritur të shkëputë Ukrainën plotësisht nga Deti Azov, duke siguruar më në fund kontrollin e plotë mbi portin kyç të Mariupolit pas një rrethimi që pengoi disa nga trupat e saj të luftonin diku tjetër, ndërsa ata luftonin me forcat e guximshme ukrainase.

Por ofensiva në lindje duket se ka ngecur gjithashtu, pasi armët perëndimore vërshuan në Ukrainë për të forcuar ushtrinë e saj të armatosur.

Banorët në Kiev kanë kujtuar dëshmorët dhe viktimat e luftës.

Në një lëndinë në sheshin e madh të kryeqytetit janë vendosur flamuj të vegjël ukrainas, në shenjë nderimi për ata që kanë humbur jetën që nga shpërthimi i luftimeve më 24 shkurt.

Pos fjalisë "Ukrainas të vrarë nga Putini", shifra 7.463 tregon numrin e ukrainasve të vrarë.

"Kievi tashmë po restaurohet dhe institucionet po punojnë. Shumë njerëz janë në rrugë. Të gjithë po kthehen ngadalë në qytet, kështu që është pak më e lehtë, të jem e sinqertë”, ka theksuar Daria Borysyuk, qytetare e Kievit.

Një radhë gjigante u krijua jashtë zyrës së postës në qytet kur pullat postare dhe kartolinat speciale kundër luftës dolën në shitje.

Image

Mbi 100 ushtarë të vrarë ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mori pjesë në një ceremoni për të lansuar serinë prej pesë milionë pullash postare. Zelenskyy ka kërkuar më shumë mbështetje perëndimore.

Zelenskyy ka thënë se më shumë se njëqind ushtarë kanë rënë duke mbrojtur vendin në lindje, ku po zhvillohen luftimet më të ashpra. Rusia ka bërë të ditur se ka vazhduar sulmet në rajonin e Donbasit, ku ka mbështetjen e separatistëve prorusë.

Rusia e Vladimir Putinit e nisi luftën në shkurt me planin që ta rrëzonte shpejt Qeverinë properëndimore të Ukrainës dhe të pushtonte Kievin, por u përball me rezistencë të jashtëzakonshme të ukrainasve, të cilët pastaj u mbështetën me armatim nga shtetet perëndimore.

Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, i rrethuar për javë të tëra, kundërofensiva ukrainase ka detyruar trupat ruse të tërhiqen drejt rajonit lindor.

Në varrezat e qytetit, kënd i veçantë u është ndarë dëshmorëve të kombit. Komandanti dhe bashkëluftëtarët kanë varrosur 32-vjeçarin Oleksander Matyukhin.

“Është tepër e tmerrshme, është e tmerrshme se si nënat po mbesin pa djemtë e tyre. Oleksander la prapa vetes gruan dhe vajzën. Nuk e di se si ato do t’ia dalin, është humbje e madhe sidomos për vogëlushen. Më këputet shpirti”, ka thënë Aleksii Kolesnikov, komandant ukrainas.

Megjithatë, komandanti i luftës në Kharkiv thotë se liria ka çmimin e saj.

Në Paris, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olga Stefanishyna, ka thënë se muajin e ardhshëm duhet të merret vendimi për statusin e kandidates për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Duke folur para reporterëve në kryeqytetin francez, ajo ka thënë se vendimi legal për kërkesën e Kievit do të merret në fund të qershorit nga liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Frikë për krizë ushqimi

Programi Botëror i Ushqimit po paralajmëron dështim katastrofik në zinxhirët e furnizimit me ushqime që mund të rezultojë me uri buke dhe paqëndrueshmëri globale. E njohur si shporta e bukës së Evropës, Ukraina ka mbi 25 milionë tonë drithë që nuk mund të eksportohen, për shkak të bllokadës së Rusisë ndaj porteve të saj në Detin e Zi.

Ukraina dhe Rusia së bashku eksportojnë një të tretën e grurit dhe elbit në botë dhe gjysmën e vajit të saj të lulediellit, ndërsa Rusia është furnizuesi kryesor i plehrave që u është rritur çmimi. Forcat e Kremlinit akuzohen për bllokimin e porteve të Ukrainës, dhe ndërprerja e atyre ushqimeve të përballueshme po kërcënon me mungesë ushqimi dhe trazira politike në vendet si në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi. Fermerët ukrainas thonë se po u mbaron koha për të punuar arat e tyre për të korrat e verës.

Përgatiti: Rexhep Maloku