Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dëshmia e të mbijetuarit të bandave kriminale

Shumë shpejt burrat hynë në shtëpi duke goditur gruan e tij dhe duke kërkuar informacion për anëtarët e bandës lokale. Kur nipi i tij tentoi të ikte, ata e qëlluan dhe e vranë. Burri mbeti i fshehur dhe në ankth

Ajo që po ndodh këtu - rreth dy orë fluturim nga Miami - shkon përtej dhunës së thjeshtë. Është sikur bandat e Port-au-Prince janë përfshirë në një garë brutaliteti dhe kushdo në këtë qytet me rreth një milion shpirtra mund të bëhet viktimë.

Një burrë i hollë rreth të 30-tave - i cili nuk ka lidhje bandash - tregon se çfarë duruan ai dhe gruaja e tij disa muaj më parë. Lagjja e tij kontrollohet nga një bandë, rivalët e së cilës u vranë. Për sigurinë e tij, nuk është përmendur emri i zonës apo grupit të armatosur të përfshirë.

Kur ai fillimisht fillon të flasë, ai vazhdon për 13 minuta pa u ndalur - sikur nuk mund t'i mbajë fjalët ose ankthin e tij.

"I thashë vetes që të shtënat janë shumë afër nesh dhe ne duhet të përpiqemi të largohemi", thotë ai. "Por ata tashmë po sulmonin lagjen. Unë u ktheva brenda në shtëpi me gruan time. Isha aq i frikësuar sa po dridhesha. Nuk dija çfarë të bëja. Ata kryesisht vrasin të rinjtë. Gruaja ime më fshehu nën krevat dhe më mbuloi me një grumbull rrobash. Në gardërobë ishte fshehur nipi”.

Shumë shpejt burrat hynë në shtëpi, duke goditur gruan e tij dhe duke kërkuar informacion për anëtarët e bandës lokale. Kur nipi i tij tentoi të ikte, ata e qëlluan dhe e vranë. Burri mbeti i fshehur dhe në mundim.

Edhe “Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në mbarë vendin Botë 2 j. më parë “Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në mbarë vendin

"Doja të ikja. Doja të qaja. Ajo që më dhemb më shumë është se kur isha nën krevat nuk shihja por dëgjoja ata burra që përdhunonin gruan time. Ata po e përdhunonin atë dhe unë isha nën krevat dhe nuk mund të thosha asgjë".

Djegia e shtëpisë

Më pas shtëpia e tyre u dogj dhe ai dhe gruaja e tij u larguan në drejtime të ndryshme. Ata janë ende duke jetuar të ndarë, duke qëndruar me miqtë dhe të afërmit, por ai shpreson se ata mund të jetojnë përsëri në shtëpi me fëmijën e tyre të vogël.

Ajo që ndodhi “është një mbresë që prek trupin dhe shpirtin”. Gruaja e tij tani është shtatzënë dhe nuk e dinë nëse ai është babai apo është një nga sulmuesit. Sido që të jetë, ai thotë se do ta pranojë fëmijën dhe do t'ia vendosë emrin.

"Ajo që durova nuk ishte asgjë", thotë ai. "Ka një zonjë që kishte vetëm një fëmijë. Ia prenë fytin para saj. I ri, që nuk ishte në ndonjë bandë".

Burrit dhe gruas i kanë grabitur pothuajse gjithçka, përfshirë dashurinë për vendin e tyre. "Haiti është fshirë nga zemrat tona", thotë ai. “Çdo mundësi që të kemi do të largohemi”.

Në atë moment ai ndalon, gjoksi i ngrihet ndërsa qan.

Dëshmitë që kam mbledhur këtu janë ndër më të këqijat që kam dëgjuar ndonjëherë në më shumë se 30 vjet si korrespondent i huaj, duke raportuar nga mbi 80 vende. Dhe duket sikur mezi e kemi gërvishtur sipërfaqen. Për bandat e Port-au-Prince nuk ka kufij.

Në vetëm pak ditë takova tri viktima të përdhunimit në grup - më e reja vetëm 16 vjeç. Ajo dhe një e afërme u përdhunuan nga të njëjtit sulmues, të cilët më pas i kërcënuan se do t'i digjnin të gjalla brenda shtëpisë së tyre. Gruaja tjetër ishte gjashtëmuajshe shtatzënë në kohën kur u sulmua. Teksa po e sulmonin, burri i saj u drejtua drejt vdekjes. Prej muajsh ajo nuk ka mundur ta gjente trupin e tij.

Gjithnjë e më shumë përdhunimi përdoret si armë nga bandat. Ata synojnë gratë dhe vajzat që jetojnë në zona të kontrolluara nga rivalët e tyre. Gjatë një lufte në terren, në korrik, në lagjen më të varfër të Haitit, Cité Soleil, aktivistët thonë se më shumë se 300 njerëz u vranë - shumica e trupave ishin djegur - dhe të paktën 50 gra dhe vajza u përdhunuan në grup.

Rrjeti Kombëtar i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të Haitit (RNDDH), i cili ka dokumentuar përdhunimet në Cité Soleil, thotë se shumë të mbijetuar "pendohen që janë gjallë". Njëzet prej tyre u përdhunuan në sy të fëmijëve të tyre. Gjashtë panë bashkëshortët e tyre duke u vrarë para se të përdhunoheshin në grup.

Pjesa më e madhe e Cité Soleil kontrollohet nga federata më e fuqishme e bandave në Port-au-Prince - familja G9-të dhe aleatët. Burimet lokale thonë se ajo kishte lidhje të ngushta me presidentin e vrarë dhe partinë e tij në pushtet, dhe specialiteti i saj është zhvatja.

G9-a bllokoi terminalin kryesor të karburantit në qytet në shtator, duke paralizuar vendin për gati dy muaj dhe duke shkaktuar një krizë humanitare.

Drejtuesi i saj është një ish-oficer policie i quajtur Jimmy Cherizier, i njohur me nofkën "Barbecue", i cili herë pas here mban konferenca për shtyp. Kemi kërkuar intervistë përmes ndërmjetësve, por nuk kemi pasur përgjigje. Ai mund të jetë më pak llafazan këto ditë, sepse së fundmi është vënë nën sanksione nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i akuzuar se kërcënon paqen dhe stabilitetin e Haitit.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kohët e fundit sanksionuan dy politikanë nga Haiti, përfshirë presidentin në detyrë të Senatit, Joseph Lambert, për gjoja bashkëpunim me bandat.

Burimet këtu thonë se sanksionet kanë njëfarë ndikimi, sepse politikanët që përdorin bandat tani duan të gënjejnë.

Image

Një burrë i hollë rreth të 30-tave - i cili nuk ka lidhje bandash - tregon se çfarë duruan ai dhe gruaja e tij disa muaj më parë. Lagjja e tij kontrollohet nga një bandë, rivalët e së cilës u vranë.

Pengmarrja e shtetit

Kur Jean Simson Desanclos arriti në rrugën e shkretë në buzë të një periferie të mbushur me banda, ai nuk gjeti asgjë nga familja e tij përveç skeletit të djegur të veturës Black Suzuki të familjes. Mbetjet e djegura të gruas dhe dy vajzave të tij ishin dërguar tashmë në morg.

Josette Fils Desanclos, 56 vjeç, po e dërgonte njërën vajzë Sarhadjie, 24 vjeç, në universitet dhe tjetrën, Sherwood Sondje, për të bërë pazar për ditëlindjen e saj. Ajo ishte gati të mbushte 29 vjeç. Të dyja vajzat kishin studiuar drejtësi si babai i tyre. Ishin “princeshat” e tij.

Edhe Haitianët me mall për atdheun -  Bandat “i mirëpresin”, policia paralajmëron për rrezikun Botë 10 muaj më parë Haitianët me mall për atdheun - Bandat “i mirëpresin”, policia paralajmëron për rrezikun

“Më 20 gusht humba gjithçka”, thotë ai. "Dhe nuk ishte vetëm familja ime. Gjithsej, tetë njerëz u vranë atë ditë. Ishte një masakër".

Desanclos beson se gruaja dhe vajzat e tij i rezistuan një përpjekjeje rrëmbimi dhe u qëlluan nga një bandë famëkeqe e quajtur 400 Mawazo, të cilët po zgjeronin territorin e tyre. “Unë drejtoj gishtat drejt tyre”, thotë ai. Vrasjet ndodhën në periferi të një zone të quajtur Croix des Bouquet, e cila ishte tashmë nën kontrollin e bandës.

Desanclos, i cili flet butësisht dhe vishet bukur, është një avokat dhe aktivist i të drejtave të njeriut. Ai tani është një njeri i zhveshur - me mall për zërat që nuk do t'i dëgjojë më.

"Ju jeni gjithmonë duke pritur për një telefonatë nga fëmija juaj që t'ju thotë "Babi këtë" ose "Babi atë". Unë humba dashurinë e jetës sime dhe të dy fëmijët që rritëm në këtë vend të vështirë. Është sikur të jeni një multimilioner dhe befas je i varfër”.

Pavarësisht rrezikut për veten, ai kërkon drejtësi për gruan dhe vajzat e tij. "Familja është një gjë e shenjtë. Të mos ndjekësh drejtësinë do të ishte tradhti ndaj tyre", thotë ai. "Vajzat e mia e dinë se babai i tyre është një luftëtar, i cili nuk i braktis kurrë njerëzit, aq më pak familjen e tij. Rreziku është i madh, por çfarë mund të humbas më shumë tani?"

Ai dëshiron që bota të kuptojë një gjë për Haitin e sotëm - se bandat kanë frerë të lirë.

"Kriminelët kanë marrë peng një vend", thotë ai. "Ata bëjnë ligjet e tyre. Ata vrasin. Ata përdhunojnë. Ata shkatërrojnë. Unë do të doja që vajzat e mia të ishin sakrifica e fundit, të rejat e fundit të vrara".

Ai flet me dinjitet dhe bindje, por e di se dëshira e tij mund të mos plotësohet.

Në Haiti funksionojnë bandat dhe jo shteti. Kryeministri Ariel Henry nuk mund të arrijë as në zyrën e tij, sepse grupet e armatosura kontrollojnë zonën. Kemi bërë disa kërkesa për një intervistë me të, por ato janë refuzuar.

Qeveria e Haitit - siç është - ka lëshuar "një thirrje shqetësimi" për një forcë ndërkombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e rendit.

Image

Kur Jean Simson Desanclos arriti në rrugën e shkretë në buzë të një periferie të mbushur me banda, ai nuk gjeti asgjë nga familja e tij përveç skeletit të djegur të veturës Black Suzuki të familjes. Mbetjet e djegura të gruas dhe dy vajzave të tij ishin dërguar tashmë në morg.

Forcat e armatosura

Flitet në Kombet e Bashkuara për nevojën për një forcë të armatosur jo të OKB-së, por askush nuk duket se po nxiton për ta udhëhequr atë, madje as për të marrë pjesë.

Ndërhyrjet e huaja kanë një emër të keq dhe një histori të keqe këtu. Misioni i fundit i OKB-së mbahet mend për akuzat për abuzim seksual dhe për sjelljen e kolerës në Haiti, nëpërmjet paqeruajtësve të OKB-së nga Nepali. Epidemia vrau rreth 10 mijë njerëz.

Këtu ka pikëpamje të përziera për idenë e çizmeve të huaja në tokë. Ka mbështetje nga disa në biznes - të cilët kanë përdorur grupe të armatosura, por tani duan që ato të frenohen - dhe nga ata të bllokuar në zonat e kontrolluara nga bandat. Ka kundërshtime nga drejtuesit e shoqërisë civile të cilët thonë se Haiti duhet të jetë vetëm.

Ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare debaton, është masakra si zakonisht për bandat.

Burimet lokale thonë se grupet e armatosura po zgjerojnë brutalisht territorin e tyre për shkak se zgjedhjet janë vonuar. Kur politikanët vijnë duke kërkuar vota - në zonat e kontrolluara nga bandat - ata duhet të paguajnë personat e armatosur.

Mizoria e fundit ishte në hyrjen veriore të Port-au-Prince më 30 nëntor. Sipas raporteve të mediave lokale, disa në zonë vunë re burra të armatosur - nga një bandë në zhvillim - duke u përpjekur të fitonin një terren dhe informuan policinë.

Personat e armatosur u hakmorën gjatë natës, duke vrarë të paktën 11 persona. Disa prej trupave u dogjën.

Edhe E mbijetuara e përdhunimit që rrit foshnjën, që i thanë ta abortonte Botë 11 muaj më parë E mbijetuara e përdhunimit që rrit foshnjën, që i thanë ta abortonte

Kufijtë këtu po rishkruhen sërish në gjak. Ata që jetojnë në qytet duhet të përditësojnë hartën e tyre mendore, pasi një zonë tjetër po kthehet nga e gjelbra në të kuqe.

Përktheu: Forca Jashari