Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Deklaratat e Vullinit nxisin reagimin e liderit boshnjak dhe atij kroat të BeH-së

Foto: CROPIX

Anëtari kroat i Presidencës boshnjake, Zhelko Komshiq, të mërkurën paralajmëroi ashpër se Serbia po shkel dhunshëm integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH duke vendosur të përfshijë në çështjet e saj të mbrojtjes dhe strategjisë së sigurisë kombëtare edhe çështje që ndërlidhen me shtetin fqinj, rrjedhimisht me statusin e entitetit të Republikës Srpska.

Propozimi për një strategji mbrojtëse dhe të sigurisë kombëtare e cila do të duhej miratuar nga parlamenti serb përmban gjithashtu një dekret në bazë të të cilit Serbia do të kishte detyrën për të “ruajtur Republikën Srpska si një entitet brenda BeH”, transmeton Koha.net.

Një propozim i tillë në parlamentin serb të martën e propozoi ministri serb i Mbrojtjes, Alleksandar Vullin.

“Republika Srpska dhe ruajtja e saj është prioritet i politikës sonë të jashtme. Shteti i Serbisë në këtë mënyrë shumë qartë tregon se çfarë është interesi nacional dhe çka duhet ruajtur. Para nesh sikur s’është kujtuar askush për këtë”, tha Vullini në parlamentin e Serbisë.

Ndërkaq Komshiqi, duke reaguar ndaj një propozimi të tillë, i ka bërë thirrje presidentit serb Alleksandar Vuçiq, që të mos lejojë që një dispozitë e tillë të gjendet në versionin final të strategjisë së mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit të tij sepse kjo do të nënkuptonte vënien në pikëpyetje të sovranitetit të një shteti fqinj.

“Ky është do ishte veprim i armiqësisë së hapur ndaj BeH-së”, tha Komshiqi në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Fena”.

Ai në të njëjtën kohë ka shtuar se Serbia është e detyruar të respektojë marrëveshjen e Dejtonit që thotë se duhet të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH-së ndaj së cilës s’ka asnjë autoritet, ndërsa ka kujtuar se marrëveshjen e Dejtonit e kanë nënshkruar edhe shtetet të rëndësishme anëtare të NATO-s.

Edhe Republika Sërpska e miraton një draft të kushtetutës së re për ta përcaktuar atë si shtet Rajon Republika Sërpska e miraton një draft të kushtetutës së re për ta përcaktuar atë si shtet

“Ato shumë shpejt do të vijnë në kufirin e Drinës për të parandaluar fantazira të tilla serbe. BeH-ja duhet dhe do të jetë anëtare e NATO-s pikërisht për shkak të planeve të Serbisë që tregojnë se kanë pretendime ndaj një pjese të territorit të shtetit sovran të BeH-së”, tha Komshiqi.

Edhe homologu i tij boshnjak në udhëheqjen e shtetit, Shefik Xhaferoviq, i ka dërguar porosi të ngjashme Beogradit. “Shpallja e një pjese të Bosnje e Hercegovinës si diçka me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Serbisë është një shprehje e politikës agresive ndaj Bosnje e Hercegovinës. Entiteti Republika Srpska është pjesë e shtetit sovran të Bosnje e Hercegovinës dhe nuk është vetëm entitet i popullit serb, por edhe i popullit boshnjak e kroat dhe i tërë popujve tjerë që jetojnë atje, sikurse edhe e tërë Bosnja e Hercegovina”, deklaroi Xhaferoviq.

Ai konstatoi se ajo që Serbia po tenton tani ta shtyjë si strategji të veten është në të vërtetë politika “e ripaketuar” e regjimit të Sllobodan Millosheviqit nga vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar.