Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Danimarka nis vaksinimin e grupmoshës 12-15 vjeç

Autoriteti Shëndetësor Danez ka rekomanduar vaksinimin kundër COVID-19 për këdo nga mosha 12 vjeç e lart, për të ndihmuar në mbrojtjen kundër kësaj sëmundjeje. Oferta është vullnetare dhe pa pagesë.

Autoriteti Shëndetësor Danez ka dhënë disa arsye pse duhet të vaksinohen të gjithë mbi 12 vjeç.

“Sa më shumë njerëz që vaksinohen, aq më mirë mund të parandalojmë përhapjen e infeksionit dhe variantet e reja. Aktualisht kemi një variant më ngjitës të koronavirusit në Danimarkë. Duke vaksinuar fëmijët e moshës 12-15 vjeç, ne do të kemi një kontroll më të mirë të epidemisë dhe mund të parandalojmë përhapjen e infeksionit ndërsa hyjmë në vjeshtë. Fëmijët e vaksinuar ndihmojnë në ndalimin e zinxhirëve të infeksionit, i cili mbron anëtarët e moshuar dhe të cenueshëm të familjes që nuk janë të vaksinuar, dhe ata për të cilët vaksina është më pak efektive. Imuniteti i rritur i popullatës u jep fëmijëve dhe të rriturve një përditshmëri më normale pa testime dhe gjurmë të infeksionit. Vaksina mbron në mënyrë efektive fëmijët nga sëmurja COVID-19. Sidoqoftë, fëmijët rrallë sëmuren rëndë”, thuhet në uebfaqen e këtij autoriteti.

Dy vendet tjera skandinave, Norvegjia e Suedia kanë nisur debatin nëse duhet të vaksinohen fëmijët, por ka pasur edhe kritika të shumta.