Evropa po përpiqet të gjejë mënyra për të ndaluar pagesën e 850 milionë dollarëve në ditë Rusisë për energji dhe që të godasë financat e Kremlinit për pushtimin e Ukrainës, raportoi AP-ja të enjten. Liderët e 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian po gjejnë se kthimi i dekadave varësie nga nafta dhe gazi rus nuk është çështje e thjeshtë.
BE-ja tani po diskuton sanksione për naftën e Rusisë, përfshirë një bojkot të tërësishëm. Ja çfarë do të thotë një lëvizje e tillë për njerëzit në Evropë dhe për të gjithë botën:
Sa e paguan Evropa Rusinë për energji?
Gazi dhe nafta po rrjedhin në Evropë edhe pse qeveritë e dënojnë luftën. BE-ja i dërgon 450 milionë dollarë në ditë Rusisë për naftë dhe 400 milionë dollarë në ditë për gaz, sipas kalkulimeve nga analistët e trupit Bruegel në Bruksel.
Kjo do të thotë që të ardhurat nga energjia po forcojnë buxhetin e Kremlinit, duke shtuar rezervat e valutës së huaj, edhe pse sanksionet perëndimore kanë synuar rezervat e Rusisë jashtë vendit. Qeveria ruse ka marrë mesatarisht 43% të të ardhurave të saj nga nafta dhe gazi mes viteve 2011 dhe 2020.
Sa naftë ruse shkon në Evropë?
Evropa është blerësi më i madh i naftës së papërpunuar ruse, duke marrë 138 milionë tonë më 2020 nga totali i eksporteve të Rusisë prej 260 milionë tonëve – ose 53%.
Pse është fokusi te nafta në vend të gazit natyror?
Është më e vështirë të gjenden burime alternative të gazit natyror sepse shumica vjen nga gazsjellësi. Do të ishte më e lehtë të gjenden burime për naftë, që lëvizë me cisternë dhe tregtohet globalisht.
Gazi natyror nuk është në tavolinë tani për tani. Përdoruesit e mëdhenj si Gjermania thonë se një ndërprerje e menjëhershme mund të kushtojë me vende pune, me shoqatat industriale që paralajmërojnë mbylljen e bizneseve të qelqit dhe metaleve.
Ndërprerja e gazit natyror dhe naftës do të shkaktonte recesion potencial në Evropë, thonë ekonomistët. Qeveritë evropiane u pajtuan që të ndalojnë importet ruse të thëngjillit që nga gushti, por kjo është një pjesë e vogël e pagesave të energjisë për Rusinë.
Çfarë do të ndodhte nëse furnizimet ruse me naftë ndalojnë?
Në Evropë, klientët mund të përpiqen të ndryshojnë lëvizjen e zakonshme lindje-perëndim të naftës duke përdorur hekurudhë, kamionë dhe anije. Analistët thonë se shtetet evropiane duhet të jenë të gatshme të vendosin masa për të zvogëluar përdorimin e karburantit, të tilla si bërjen e transportit publik pa para. Nëse masat nuk funksionojnë, do të duhet të merren të tjera më të ashpra.
Ndalimi në faza gjatë pjesës tjetër të vitit do të ishte një mënyrë për të parandaluar mungesat. Gjermania ka thënë tashmë se planifikon të ndalojë importet ruse të naftës deri në fund të vitit.
Çmimet e naftës me gjasë do të rriten, jo vetëm për Evropën por për të gjithë, sepse nafta është një mall global dhe një humbje e furnizimeve nga Rusia do të ishte e mundshme. Kjo nënkupton çmime më të larta për vozitje dhe ngrohje e më shumë inflacion.
Çfarë do të ndodhte në tregun e naftës?
E gjithë nafta e Rusisë nuk do të mund të ridrejtohej nga Evropa në Azi për shkak të kufizimeve të transportit dhe logjistikës. Nuk është e qartë deri në çfarë mase blerësit nga India dhe Kina do të blinin naftën ruse nëse kjo nënkupton probleme me sanksione me Perëndimin.
Në skenarin më të rëndë të humbjes së 3.8 milionë fuçive të Rusisë ndaj Evropës dhe vendeve të tjera që refuzojnë naftën e saj, mund të ndodhë një rritje e madhe e çmimit në 180 dollarë për fuçi, e ndjekur nga një rënie e mprehtë për shkak të rënies së kërkesës dhe rritjes ekonomike.
Sa do t’i kushtonte bojkoti Rusisë?
Për shkak të çmimeve përgjithësisht më të larta të naftës, humbjet e të ardhurave të Rusisë deri më tani kanë qenë të kufizuara. Këto fitime në valutë të huaj po ndihmojnë në mbështetjen e financave ruse mes sanksioneve.