Botë

Cilat shtete mund të jenë në shënjestër të Trumpit pas Venezuelës?

Donald Trump

Presidenca e dytë e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të përshkruhet edhe me ambiciet e politikës së jashtme.

Pas hyrjes në Venezuelë dhe kapjes së presidentit të saj e bashkëshortes, Trumpi tek e përshkroi operacionin, e hodhi poshtë Doktrinën Monroe të vitit 1823 dhe premtimin e saj për supremacinë e SHBA-së në hemisferën perëndimore duke ia vënë emrin e ri “Doktrina Donroe”.

Këto janë disa shtete ndaj të cilave ai veçse ka bërë paralajmërim të ngjashëm ditëve të fundit:

Grenlanda

SHBA-ja tashmë ka bazë ushtarake në Grenlandë – por Trumpi e dëshiron të gjithë ishullin. “Na duhet Grenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”, u ka thënë ai gazetarëve duke shtuar se rajoni “është i mbushur me anije ruse e kineze gjithandej”. Ishulli, pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, gjendet rreth 2000 milje në verilindje të SHBA-së.

Kolumbia

Pak pas operacionit në Venezuelë, Trumpi paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro “që të ketë kujdes”. Fqinji i Venezuelës njihet për rezerva të dukshme të naftës dhe prodhues i madh i arit, argjendit e smeraldeve.

Irani

Irani aktualisht po përballet me protesta të mëdha antiqeveritare. Trumpi ka paralajmëruar autoritetet se “do të përballen me pasoja” nëse vdesin më shumë protestues. “Po i monitorojmë nga afër. Nëse nisin të vrasin njerëz si në të kaluarën, mendoj se do të goditen fuqishëm nga SHBA-ja”, ka thënë Trumpi.

Meksika

Fuqizimi i Trumpit më 2016 u definua nga thirrjet e tij për “Murin” në kufi me Meksikën. Në ditët e para të 2025-s, ai mori vendim për t’ia ndryshuar emrin Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”. Ai shpeshherë ka deklaruar se Meksika s’po bën mjaftueshëm për të ndalur rrjedhën e drogës dhe imigrantëve në SHBA.

Kuba

Ishulli rreth 90 milje larg Floridas është në sanksione të SHBA-së që nga të ’60-tat. Ka mbajtur lidhje të ngushta me Venezuelën e Nicolas Maduros. Trumpi ka sugjeruar të dielën që intervenimi ushtarak amerikan nuk ishte i nevojshëm sepse “Kuba është e gatshme të bjerë”.