Botë

Çfarë janë dronët kamikazë iranianë që po i terrorizojnë civilët në Ukrainë

Ditëve të fundit, Rusia ka shtuar sulmet mbi caqet civile në Ukrainë. Kjo ofensivë po vlerësohet dëshpëruese nga ekspertët perëndimorë të sigurisë, meqë Moska zyrtare jo që nuk po arrin ta realizojë planin e saj, por përkundrazi – është gjetur me shpatulla për muri pas ofensivës ukrainase në lindje dhe jug të vendit.

Dhe Rusia, po ashtu ka shpenzuar një pjesë të mirë të arsenalit të saj në këta tetë muaj luftë.

Tash, Rusia është koncentruar në diçka që nuk është menduar më parë se do të ndodhte për një vend që llogaritej se e ka ushtrinë e dytë më të fortë në botë – në një armë iraniane.

Bëhet fjalë për dronët kamikazë të prodhuar në Iran e që njihen me emrin Shahid-136.

 

 

Po çfarë janë ata dhe sa të rrezikshëm janë?

Janë të lehtë, të vegjël, të lirë dhe zor të kapshëm nga radarët. Por kanë edhe pika të dobëta.

Njihen si kamikazë, pasi në momentin që përplasen me cakun, shpërthejnë, e jo si dronët e tjerë që pas sulmeve kthehen në bazë.

Siç vuri në dukje në Twitter, gjenerali amerikan në pension dhe analisti ushtarak i CNN-it, Mark Hertling, Shahid-136 është mjaft i lirë - kushton rreth 20,000 dollarë. Nuk ka kamera, por orientohet duke përdorur GPS ose navigacion satelitor. Është pothuajse i padukshëm për radarët, gjë që e bën të vështirë për sistemet klasike kundërajrore. Sipas Hertlingut, mbrojtja më e mirë kundër tyre është bllokimi elektronik, sistemet kundërajrore të dorës si Stinger, zjarri masiv i armëve të vogla dhe armët me laser.

Droni ka krahë në formë delta, timonë stabilizues, një motor helikë në pjesën e pasme dhe një kokë shpërthyese në majë. Është i vogël dhe lehtësisht i lëvizshëm, 3.5 metra i gjatë dhe me hapje krahësh 2.5 metra. Lëshohet lehtësisht nga një automjet ushtarak ose edhe civil. Peshon rreth 200 kilogramë, mund të mbajë deri në 50 kilogramë eksploziv dhe shpejtësia e tij e fluturimit shkon deri në 185 kilometra në orë. Gama e veprimit, sipas disa vlerësimeve, shkon deri në 2500 kilometra.

Drejtohet nga një motor me piston me katër cilindra Mado MD-550, kopje e motorit gjerman të avionit Limbach L550E.

Image
Specifikat e dronit

Justin Bronk, ekspert i forcave ajrore në Royal United Services në Britani, komentoi për Guardian se nga njëra anë dronët e tillë janë "të vështirë për t'u përgjuar vazhdimisht", por nga ana tjetër, ata janë shumë më të ngadaltë se raketat e lundrimit.

 

 

“Në fund të fundit, ata ofrojnë një mënyrë që Rusia të shkaktojë më shumë viktima civile dhe ushtarake në Ukrainë, por nuk do ta kthejnë valën e luftës”, tha ai.

Megjithëse shënjestrimi ukrainas i këtyre dronëve me armë këmbësorie të kalibrit të vogël duket i pakuptimtë në shikim të parë, ai mund të jetë efektiv falë fluturimit të tyre të ulët. Dhe pilotët rusë, të cilët i drejtojnë ata nga distanca, i mbajnë në lartësi të ulëta në mënyrë që sistemet konvencionale kundërajrore të mos i zbulojnë dhe shkatërrojnë.

Në një këndvështrim më të gjerë, vetë fakti që Rusia duhet të mbështetet në dronët iranianë, sepse ajo nuk ka më të vetat, të paktën jo në sasi të mjaftueshme ose me performancë të kënaqshme, është shkatërrues për fuqinë e dytë ushtarake në botë, e cila ka reklamuar prej kohësh industrinë e saj të armëve si superiore.

Në fakt sulmet kryesore bëhen nga ajri, por ato duhet të shoqërohen edhe me forca tokësore, gjë që Rusia nuk e ka këtë mundësi. Një strategji e ngjashme me sulme nga ajri nuk funksionoi për Gjermaninë naziste kundër Britanisë së Madhe, e as për SHBA-në amerikanët në Vietnam apo ish-BRSS-në në Afganistan.

VIDEO: