Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Burrave u ndalohet hyrja në restorantin e Gazës

Tabela e vendosur në mur shkruan “Nuk lejohen burrat”.

Mirëserdhët në Sabaya VIP, restoranti i parë i dedikuar veç për gratë në Rripin e Gazës.

I hapur në muajin gusht, restoranti ka të punësuar vetëm gra.

Restoranti ofron ushqim tradicional, sandviçë, ëmbëlsira dhe pije joalkoolike.

Alkooli është i ndaluar nga Hamasi në krejt Rripin e Gazës.

Riham Hamounda, pronare e restorantit, thotë se misioni i biznesit të saj është që të adresojë shqetësimet e privatësisë për gratë kur ato dalin për drekë ose kur kalojnë kohën me shoqet.

“Gratë e Gazës janë konservatore. Një pjesë e madhe e tyre nuk u pëlqen të përzihen me burrat dhe nuk ndihen mirë në atmosferën e gjinive të ndryshme”, ka thënë ajo.

Pronarja shton se nuk ka vend për burrat në restorantin e saj.

“Stafi përbëhet nga gratë. Nuk ka burra në këtë vend. Restoranti është vetëm për gratë, qoftë profesioniste ose gra të zakonshme. Restoranti ofron ushqim, pije dhe ëmbëlsira si krejt restorantet e Rripit të Gazës”.

Gratë thonë se rehatia është arsyeja kryesore se përse vijnë në restorantin e veçantë të Gazës.

“Pjesa më e mirë është se krejt jemi gra. Mund të sillemi si të duam pa u ndjerë në presion. Kjo e bën më të lehtë që t’i bindim prindërit se po shkojmë në një restorant ku ka vetëm gra dhe nuk ka burra. Kemi pritur për një kohë të gjatë për një restorant të tillë në Gazë”.

Liritë personale në enklavën myslimane janë shtypur qëkur grupet e Hamasit morën kontrollin e Gazës në vitin 2007.

Artikuj të ngjashëm