Botë

Britania: Putini po keqinformon qëllimisht publikun për municionet që po dërgojmë në Ukrainë

Ministria Britanike e Mbrojtjes ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin qëllimisht po përpiqet të dezinformojë publikun duke kritikuar vendimin e Britanisë për të dërguar municione me uranium të varfëruar në Ukrainë.

Putini ka thënë të martën se Moska do të reagonte nëse Britania nuk tërhiqte masën, për të cilën ai pretendon se paralajmëron një ndryshim perëndimor në furnizimin e Kievit me armë që përmbajnë komponentë bërthamorë.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar se do të dërgojë granata me uranium të varfëruar në Ukrainë, duke shtuar se ushtria britanike e ka përdorur këtë material në granatat e saj për dekada të tëra, shkruan Sky News.

“Është një komponent standard dhe nuk ka të bëjë me armët apo aftësitë bërthamore. Rusia e di këtë, por qëllimisht po përpiqet të dezinformojë. Plumbat janë shumë efektivë në mposhtjen e tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne. Hulumtimet shkencore tregojnë se çdo ndikim i përdorimit të municionit të uraniumit të varfëruar në shëndetin personal dhe mjedisin është i ulët”, ka thënë Ministria britanike.