Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi angazhimin e Bullgarisë në Aleancën Veriatlantike gjatë vizitës në Sofje.
Me këtë rast, kryeministri bullgar, Boyko Borissov, i siguroi Aleancës se Bullgari nuk do të përdoret si një “Kalë i Trojës” për Rusinë, transmeton Koha.net. Po ashtu, ai ka thënë se Bullgaria është njëra nga anëtarët më të disiplinuar dhe besnikë të NATO-s.
Stoltenberg falënderoi Bullgarinë dhe e vlerësoi lartë atë si një aleat të Aleancës Veriatlantike.
“Bullgaria luan një rol strategjik në regjionin e Detit të Zi”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar: “ne nuk dëshirojmë një Luftë të re të Ftohtë ose një garë armatimesh, prandaj i bëj thirrje Rusisë që të kthehet në përputhje me Traktatin INF (Traktati i Forcave Bërthamore)”, shkruan euronews.
Kryeministri i Bullgarisë, po ashtu, ka shprehur shqetësime mbi mundësinë e një eskalimi të garës së armatimeve mes NATO-s dhe Rusisë, por ka thënë se vendi i tij është duke vazhduar dialogun me Rusinë dhe se ka një pozitë të fuqishme kur është duke negociuar me Moskën.
“Bullgaria nuk është ‘Kali i Trojës’ i Rusisë në NATO, ne jemi njëri nga anëtarët më të disiplinuar dhe besnikë i Aleancës”, ka thënë Borissov.
Në këtë takim, Borissov dhe Stoltenberg kanë biseduar në lidhje me Kosovën, Serbinë, Afganistanin dhe Irakun, dhe pikat e tjera të konflikteve ku është e vendosur edhe ushtria bullgare.