Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Blinken për evakuimin e ambasadave në Ukrainë: Rreziku është i lartë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se kërcënimi “i menjëhershëm” i aksionit ushtarak rus në Ukrainë, justifikon evakuimin e ambasadës amerikane në Kiev.

Fjalët e tij erdhën pasi presidenti i Ukrainës kërkoi qetësi, duke thënë se armiku më i madh ishte paniku.

Dhjetëra vende u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina.

Moska, me më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit, ka mohuar planet e saj për të pushtuar. Këshilltari i lartë i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, ka hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA për një sulm, duke thënë se "histeria ka arritur kulmin".

Të shtunën janë parë përpjekje të mëtejshme për të ulur tensionet në rajon. Përmes një telefonate, presidenti Joe Biden paralajmëroi udhëheqësin rus, Vladimir Putin, për "kosto të shpejta dhe të rënda" nëse Rusia dërgon trupa, raporton BBC.

Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Gjermania janë disa nga vendet që u kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen menjëherë nga Ukraina.

Edhe SHBA-ja mbyll ambasadën në Kiev nga frika e një sulmi të madh rus Botë SHBA-ja mbyll ambasadën në Kiev nga frika e një sulmi të madh rus

Vendimi i SHBA-së për të evakuuar shumicën e stafit të ambasadës së saj në Kiev të shtunën u pasua nga lëvizje të ngjashme nga Kanadaja dhe Australia.

Të trija vendet i kanë zhvendosur operacionet në qytetin perëndimor të Lviv, pranë kufirit polak, megjithëse ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se ajo do të qëndrojë në kryeqytetin ukrainas me një ekip kryesor.

Blinken tha se rreziku i veprimit ushtarak "është mjaft i lartë dhe kërcënimi është mjaft i afërt", andaj theksoi se evakuimi është hap i kujdesshëm që duhet bërë.