Ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, ka thënë se tërheqja e SHBA-së nga Afganistani ishte e gabuar dhe e bazuar në një slogan të pamend, raporton BBC.
Ai e ka përshkruar vendimin për të tërhequr trupat nga Afganistani si “tragjik, të rrezikshëm dhe të panevojshëm”.
Blair, që dërgoi trupa britanikë në Afganistan 20 vjet më parë, ka thënë se përfshirja e Britanisë së Madhe në Afganistan nuk ishte një përpjekje e pashpresë, pavarësisht se Afganistani tash është marrë nën kontroll nga talebanët.
Ai thotë se sakrifica e bërë nga trupat britanike nuk ishte e kotë.
Blair ka thënë se arritjet në Afganistan gjatë 20 vjetëve – përfshirë rritjes së një gjenerate pa regjimin taleban – ishte një “kauzë e mirë” dhe që ka rëndësi edhe sot.
Blair ka shprehur shqetësimin jo vetëm për qytetarët afganë për të cilët tha se do të humbin, por edhe për sigurinë e vendeve perëndimore. Ai ka thënë se talebanët do t’i japin mbrojtje dhe ndihmë Al-Qaedas, ndërsa ISIS-i po mundohet të operojë në të njëjtën kohë në Afganistan.
Blair ka thënë se vendimi për t’u tërhequr nga Afganistani është marrë “në bindje të një slogani të pamend politik për përfundimin e “luftërave të përhershme’”.