Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni ngadhënjen aty ku Trumpi e Obama nuk mundën

I dha fund angazhimit amerikan në “Luftën e Përhershme” në Afganistan dhe e jetësoi reformën marramendëse infrastrukturore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për që të dyja ishin zotuar të gjithë presidentët amerikanë që prej George W. Bushit e tutje, porse i arriti Joe Bideni. Mirëpo jo pa rreziqe pasuese

Qysh nga George W. Bushi, secili president amerikan ka thënë jo pak herë se koha për largim nga Afganistani dhe për kthim kah ndërtimi i vendit ka ardhur.

Porse vetëm Joe Bideni i ka rënë pas kësaj pune.

Kumari i tij masiv me shpenzimet më se 4.5 biliardë dollarëshe në infrastrukturë dhe largimi nga lufta më e gjatë e Amerikës, e cila kërcënon të nxisë një katastrofë të politikave të jashtme, po shpalosen gjatë gushtit dramatik që mund ta përkufizojë presidencën e tij, shkruan të enjten rrjeti televiziv amerikan CNN në një analizë të gjatë.

Përkrah këtyre dy shtysave historike, rrëfimi i administratës Biden po formësohet gjithashtu nga shfaqja e pandemisë, të cilën mendoi se e kishte mposhtur, dhe nga thellimi i ndasive politike në vend që ishte zotuar t’i kuronte.

“Krejt këto momente të nxehta dhe të njëkohshme i reflektojnë kohërat e vështira, por tregojnë gjithashtu se kryekomandanti 78-vjeçar po i qepet pas një shtegu të guximshëm dhe po i jetëson synimet personale që ia kishte caktuar vetes prej dekadash në Washington”, analizon CNN.

Edhe OpEd Bideni kishte të drejtë

Lufta me vetveten

Miratimi në Senat i pakos 1.2 biliardë dollarëshe për infrastrukturë ishte një fitore e madhe për Bidenin këtë të martë dhe e vërtetoi premtimin e tij për t’i kuruar ndasitë e hidhura dhe mosbesimin në një vend që është politikisht në luftë me vetveten.

Pakoja ende ka përpara vetes një të ardhme të ndërlikuar në Kongres, përpara se të bëhet ligj. Porse, sipas CNN-it, e përfaqëson deklarimin më të fuqishëm të Bidenit në të gjithë karrierën e tij të gjatë se fuqia e Qeverisë mund të përdoret për t’i ndihmuar amerikanët e punësuar.

Shpenzimet, që përbëjnë përpjekjet prej më të rëndësishmeve të Qeverisë në aspektin e zbutjes së varfërisë dhe dhembjeve ekonomike ndër dekada, janë njëherësh edhe një përpjekje për ta shteruar ndjesinë se vendi i zhgënjeu me miliona amerikanë.

“Pikërisht kjo ndjenjë ka ndihmuar në nxitjen e shpërthimit populist, që shpiu në zgjedhjen e Donald Trumpit më 2016”, thuhet në analizën e rrjetit amerikan.

“Jam i përqendruar në garantimin që rimëkëmbja jonë historike ekonomike... kësaj radhe të depërtojë tek të gjithë dhe ta lehtësojë barrën për familjarët e punësuar – jo vetëm sivjet, por për vitet në vijim”, kishte thënë Bideni të mërkurën.

Mirëpo për sa u përket politikave të tija kundruall Afganistanit, Bideni po ua hap udhën rreziqeve të konsiderueshme. Republikanët veçse e kanë shfrytëzuar vrullin e shpenzimeve për t’i portretizuar demokratët si të shthurur dhe të përkushtuar për deficitin “e stilit socialist” në përpjekje për t’i dobësuar armiqtë para zgjedhjeve të Kongresit vitin e ardhshëm, ka shkruar CNN.

Lajme të zymta nga Afganistani

Image

Ngadhënjimi i Bidenit në Senat u shpalos në kohën kur lajmet prej Afganistanit po bëhen përherë e më alarmuese dhe e rrisin mundësinë për pushtim nga talebanët, gjë kjo që do të shihet si pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Bidenit për t’i kthyer në atdhe të gjithë ushtarët amerikanë. Mund të shihet njashtu edhe si turpërim dhe shenjë e dobësimit të fuqisë amerikane, veçmas në sytë e armiqve të huaj.

“Avancimi i shpejt i talebanëve, të shpartalluar nga trupat amerikane rreth 20 vjet më parë për strehimin e Osama bin Ladenit, ka shokuar këdo në Washington. Ata tani kanë marrë nën kontroll dhjetë kryeqytete krahinore, përfshirë qytetin e dytë më të madh të vendit, Kandaharin. Ambasadat e huaja po e shqyrtojnë tërheqjen dhe ka shenja se mund të bjerë edhe kryeqyteti Kabul, duke i dhënë fund ëndrrës demokratike të ushqyer me gjakun e mijëra amerikanëve”, analizon CNN-i.

Sipas analizës së rrjetit amerikan, pamjet ekuivalente të helikopterëve amerikanë tek ngrihen nga çatia e Ambasadës amerikane në Saigon gjatë zmbrapsjes nga Lufta e Vietnamit mund të shndërrohen në një emblemë të presidencës Biden.

CNN analizon se ndikimi potencialisht negativ i tërheqjes nga Afganistani mund të shpjegojë më së miri pse ish-presidentët Barack Obama dhe Donald Trump vendosën në fund të fundit se nuk mund t’i përmbushnin ambiciet e tyre për ta përfunduar këtë luftë.

“Amerikë, ka ardhur koha për t’u përqendruar në ndërtimin e vendit, këtu në shtëpi”, kishte thënë Obama në fjalimin e mbajtur nga Shtëpia e Bardhë qershorin e 2011-s, kur njoftoi se do të tërhiqte 10 mijë trupa amerikane nga Afganistani, deri në fundin e atij viti.

Por në fund të mandatit të tij të dytë, ish-presidenti e rishikoi përpjekjen e tij për përfundimin e luftës kur vendosi se mund të mbante në vend rreth 8,400 trupa derisa të largohet nga detyra. Këtë vendim asokohe e justifikoi duke thënë se gjendja e sigurisë është e paqëndrueshme kundruall zaptimeve talebane.

Edhe A mund t’u japë Bideni fund luftërave të përhershme të Amerikës? Botë A mund t’u japë Bideni fund luftërave të përhershme të Amerikës?

Trumpi nuk ishte hiq më pak entuziast për sa i përket dhënies së urdhrit për kthimin e forcave amerikane në vend. Për vite me radhë e kishte kritikuar fort vendosjen e tyre në Afganistan.

“Pajtohem me presidentin Obama për Afganistanin. Duhet ta kemi një tërheqje të përshpejtuar. Pse duhet të vazhdojmë që t’i hedhim paratë tona – le ta rindërtojmë SHBA-në”, kishte shkruar ai në Twitter më 2013.

Por Trumpi, sikurse Obama, e kuptoi se zotimi për t’u dhënë fund luftërave ishte pritshmëri e vështirë për presidencën e tij. Madje më 2017 ai edhe e rrit numrin e tyre për luftimin e terrorizmit. Deri kur u largua nga detyra, iu kthye sërish luftës dhe arriti marrëveshje me talebanët që të rezultonte me tërheqjen e të gjitha trupave amerikane deri më 1 maj, afat ky që Bideni e zgjati paksa.

Presidenti aktual synon që ta shënojë 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 duke thënë se i dha fund angazhimit amerikan në “Luftën e Përhershme”. Por CNN-i analizon se me këtë rast ai ka shumë të ngjarë që të përballet me pasqyrimin e zymtë të ngadhënjimeve talebane në Afganistan.

Ku Trumpi e Obama dështuan

Si Obama ashtu edhe Trumpi kanë pasur telashe me gjysmën tjetër të lojës së dyfishtë të Bidenit këtë javë – reforma infrastrukturore.

“Duhet ta rindërtojmë infrastrukturën tonë dhe të gjejmë burime të reja dhe të pastra të energjisë”, kishte thënë Obama në fjalimin e njëjtë të 2011-s në Shtëpinë e Bardhë – por ai arriti ta çonte përpara nismën serioze për ligjin, pasi që republikanët e shfrytëzuan fuqinë e tyre në Kongres për ta shtypur agjendën e tij të brendshme.

Meqë kishte bërë një pasuri të tërë në rrafshin e ndërtimit, Trumpi shihej si personi i përkryer për ta kaluar ligjin e tij të infrastrukturës - veçmas pasi që demokratët ishin të etur për të gjetur diçka për të cilën do të mund të pajtoheshin, analizon CNN-i amerikan.

Duke e analizuar situatën rreth Afganistanit, agjencia vlerëson se jo për krejt katrahurën aty duhet të fajësohet Bideni. Kjo ngase, sipas CNN-it, dështimi për ta ndërtuar një shtet të qëndrueshëm dhe forca të armatosura mirë të përgatitura i ka rrënjët në katër administrata.

“Tekefundit, forcat amerikane e fituan luftën ndaj talebanëve dhe e çrrënjosën Al-Qaedan pak muaj pas sulmeve të 11 shtatorit. Pas kësaj, SHBA-ja dhe aleatët e saj i kaluan 19 vjetët pasues duke e humbur paqen”, analizon rrjeti.

Nëse kaosi në Afganistan përkeqësohet, Bideni do të duhet të përgjigjet për zaptimet brutale të talebanëve, një grup ky fundamentalist që i shtyp të drejtat e grave dhe vajzave dhe zbaton një formë strikte të sheriatit.

Sipas CNN-it, përgjigjja e tij mund t’i ballafaqojë me miliona afganët me kthimin në epokën e errët të qeverisjes feudale talebane.

Por në fund të fundit Bideni ka konstatuar se nëse SHBA-ja nuk largohet tani, nuk do të largohet më kurrë.

“Kur do të jetë koha e duhur për largim?”, pyeti Bideni këtë prill.

Edhe OpEd Bideni apo Plani B?

Qëndrimi i tij “o tani, o kurrë” duket të jetë i nxitur gjithashtu nga përdorimi i asaj dritareje të ngushtë të fuqisë politike – teksa zgjedhjet e mesmandatit pritet të mbahen vitin e ardhshëm – për ta përmbushur ambicien e tij infrastrukturore.

Përgatiti: Nita Lleshi