Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni inkurajon ukrainasit: Bota demokratike është me ju

Presidenti Joe Biden ka zhvilluar një vizitë të papritur në Kiev duke u zotuar para homologut Zelenski dhe popullit ukrainas se vazhdojnë ta kenë mbështetjen e botës demokratike kundër agresionit rus në prag të njëvjetorit të tij. Zelenski pos që ka kërkuar edhe më shumë armë perëndimore, ka thënë se Ukraina po mbron edhe Evropën demokratike nga mësymja e Vladimir Putinit

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka befasuar me vizitën e së hënës në Ukrainë. Ai madje ka shëtitur në rrugët e Kievit. Lideri amerikan është zotuar para homologut Volodimir Zelenski dhe popullit ukrainas se bota perëndimore demokratike do të vazhdojë t’i mbështesë në luftën kundër agresionit të Rusisë së Vladimir Putinit.

Analistët e kanë konsideruar vizitën në prag të njëvjetorit të luftës si shenjë të solidaritetit perëndimor kur pritet të intensifikohen ofensivat ruse në terren.

“Demokracia është me ju. Amerikanët janë me ju dhe bota është me ju. Kievi më ka marrë një pjesë të zemrës sime, më duhet ta pranoj. Kam qenë këtu gjashtë herë si zëvendëspresident. Njëherë si president”, ka theksuar presidenti i SHBA-së Joe Biden.

Duke folur në Pallatin Marrinsky, Bideni ka kujtuar se si një vit më parë kishte druajtur se forcat ruse do të mund ta pushtonin kryeqytetin e Ukrainës.

“E dija se do të vija përsëri, por doja të sigurohesha. Megjithëse zgjedhjet ishin kryer, Baracku dhe unë kishim kryer detyrën. Ndava mendjen të kthehesha përsëri para se presidenti i ri të betohej në Kiev. Andaj, president Zelensky, ju përnjëmend po më nderoni mua me praninë tuaj”, është shprehur Biden.

Presidenti Zelenskyy ka thënë gjatë konferencës se takimi do ta afrojë edhe më shumë atë që e ka quajtur “fitore të përbashkët” kundër Rusisë.

Edhe Bideni, me shëtitjen në Kiev, e sfidon Putinin Botë Bideni, me shëtitjen në Kiev, e sfidon Putinin

“Ne mund dhe duhet ta fitojmë luftën që 2023-ta të jetë viti i fitores. Dua të theksoj se kjo luftë ruse, e paprovokuar dhe kriminale, kundër Ukrainës dhe mbarë botës demokratike duhet të përfundojë me çlirimin e tokës ukrainase nga pushtimi rus, me garanci të forta të sigurisë afatgjate të vendit tonë, Evropës dhe botës mbarë”, ka theksuar Zelenskyy.

Vizita e Bidenit është bërë në një moment kritik në luftë, derisa Bideni po mundohet t’i bashkojë aleatët në mbështetje të Ukrainës. Rusia dhe Ukraina po përgatiten për ofensiva të ashpra pranvere. Zelenski vazhdimisht po kërkon më shumë armatim nga Perëndimi. (Pergatiti Rexhep Maloku)