Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Bideni emëron sekretare të re të shtypit në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka emëruar të enjten, Karine Jean-Pierre, si sekretare të re të shtypit në Shtëpisë së Bardhë, pasi sekretarja aktuale Jen Psaki pritet ta lë këtë pozitë javën e ardhshme, raportoi AP-ja të enjten.

Biden po e rikthen gjithashtu strategen e vjetër demokrate, Anita Dunn si këshilltare të tij të lartë. Ajo kishte shërbyer në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, për disa muaj pasi Biden u betua në detyrë.

"Karine jo vetëm që sjell përvojën, talentin dhe integritetin e nevojshëm për këtë punë të vështirë, por ajo do të vazhdojë të udhëheqë rrugën në komunikimin për punën e administratës Biden-Harris në emër të popullit amerikan”, tha Biden në një deklaratë duke lavdëruar, Jean-Pierre, e cila ka shërbyer si zëvendëssekretare e tij kryesore e shtypit që nga Dita e Inaugurimit.

Psaki, e cila largohet nga Shtëpia e Bardhë më 13 maj, vlerësoi pasardhësen e saj.

“Ajo do të jetë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë i hapur LGBTQ+ që do të shërbejë si Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë. Përfaqësimi ka rëndësi dhe ajo do t'u japë zë shumë njerëzve, por gjithashtu do t'i bëjë shumë të ëndërrojnë për atë që është vërtet e mundur”, tha Psaki.

Para se t'i bashkohej fushatës presidenciale të Bidenit, Jean-Pierre ishte shefe e marrëdhënieve me publikun e grupit progresiv MoveOn.org dhe analiste politike për NBC dhe MSNBC. Ajo gjithashtu punoi në çështjet politike në Shtëpinë e Bardhë në periudhën e Obamës si dhe në fushatën e tij për rizgjedhje.

Artikuj të ngjashëm