Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE nuk pranon rinegocim të marrëveshjes për Brexit

Shefi negociator i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier ka thënë se kufiri irlandez është pjesë e marrëveshjes së Britanisë për largim nga Bashkimi Evropian dhe nuk do të rinegociohet.

Duke folur në Parlamentin Evropian, Barnier ka thënë se parandalimi i kufirit të ashpër është “zgjedhje e realizueshme”.

Ligjvënësit britanikë kanë votuar më herët gjatë këtij muaji kundër marrëveshjes, për të cilën është pajtuar Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja përgjatë 18 muajve të negociatave.

Prandaj të martën ata kanë votuar që kryeministrja britanike, Theresa May të kërkojë “marrëveshje alternative” për kufirin që ndan Irlandën Veriore dhe Republikën e Irlandës, transmeton Gazeta Shqiptare raportimin e mediave.

Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars të këtij viti.

Ndalesa në këtë pjesë është “siguri” për të ndaluar kthimin e mallrave dhe njerëzve nga njëri vend në tjetrin.

Në rast se kjo ndalesë do të vazhdojë të qëndrojë, ajo do të mbajë Mbretërinë e Bashkuar brenda unionit të doganave të BE-së, si dhe do të krijonte disa lehtësira në një treg të përbashkët.

Edhe Kufiri irlandez konsiderohet problematik në rast të Brexitit pa pakt Botë Kufiri irlandez konsiderohet problematik në rast të Brexitit pa pakt

Kjo ka qenë arsyeja kryesore e mosmarrëveshjeve në Parlamentin britanik, mirëpo Barnier ka thënë se një masë e tillë është e nevojshme që të përfshihet në marrëveshje.

Ndërkohë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka thënë se beson në “përkushtimin personal” të kryeministres May për të parandaluar “kthimin mbrapa në të kaluarën e errët”.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.