Lista e BE-së aktualisht përfshin dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Australinë, të cilat konsiderohen të sigurta në aspektin e shëndetit. Porse një zyrtar i BE-së ka thënë për Reutersin se takimi i javës së ardhshme “mund” ta rishikojë situatën ndërlidhur me SHBA-në
Bashkimi Evropian do ta rishikojë gjatë javës së ardhshme listën e shteteve, udhëtarëve joesencialë së cilave u lejohet hyrja nën kufizimet aktuale kundër koronavirusit, porse mund ta rishqyrtojë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të ditur disa zyrtarë të bllokut, të cilët kanë folur nën kushtin e anonimitetit për agjencinë e lajmeve Reuters.
Lista e BE-së aktualisht përfshin dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Australinë, të cilat konsiderohen të sigurta në aspektin e shëndetit.
Takimi i javës së ardhshme “mund” gjithashtu ta rishikojë situatën ndërlidhur me SHBA-në, ka thënë një zyrtar i BE-së për Reuters, pa elaboruar më shumë shkaku se kurrfarë vendimi ende nuk është marrë.
Zyrtarët e BE-së e rishqyrtojnë rregullisht listën, varësisht prej zhvillimit të pandemisë. Vendet e bllokut vazhdimisht i kanë kërkuar Washingtonit që ta lejojë hyrjen e qytetarëve të BE-së, pasi që SHBA-ja është përfshirë gjatë qershorit në të ashtuquajturën listë e bardhë.
“Shumë përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së kanë biseduar me partnerët tanë në SHBA lidhur me planet për rihapjen e vendit për vizitorët nga vendet e bllokut, veçanërisht hapjen e Evropës për ta lejuar udhëtimin për qytetarët amerikanë”, ka thënë për Reutersin një zëdhënës i presidencës sllovene të BE-së. “Ne të gjithë konsiderojmë se marrëdhëniet ndërnjerëzore janë mënyra për ndërtimin e një blloku të fortë, një partneriteti dhe aleance të suksesshme transatlantike, duke i pyetur dhe inkurajuar miqtë tanë në BE për ta ndjekur shembullin”, ka shtuar zëdhënësi.
Lista megjithatë nuk është obliguese, ndonëse qeveritë e bllokut rëndom i përmbahen. Ato mund po ashtu që ta anashkalojnë dhe t’i lejojnë në vendet e tyre edhe qytetarët prej atyre vendeve që nuk janë në listë apo e kundërta.
Blloku 27-anëtarësh është i ndarë midis vendeve që insistojnë për reciprocitet me SHBA-në dhe atyre që varen më shumë nga turizmi dhe e kundërshtojnë heqjen e Washingtonit nga lista, kanë bërë të ditur burimet e Reutersit.