Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja: Kurrë nuk do ta pranojmë aneksimin rus të Krimesë

Presidenti i Këshillit Evropian, Çarlls Mishel, ka shprehur përsëri qëndrimin e Bashkimit Evropian se kurrë nuk do ta pranojnë aneksimin e Krimesë nga Rusia. Ai gjatë samitit “Platforma e Krimesë në Kiev” ka thënë se Brukseli zyrtar solidarizohet me Ukrainën.

Ndërkohë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Kroacia mund t’i ofrojë ndihmë Ukrainës për riintegrimin e provincave të ndara, meqë edhe vetë ish-Republika jugosllave ka pasur përvojë të ngjashme gjatë luftërave të Ballkanit në vitet nëntëdhjetë. Plenkoviq ka thënë se disa pjesë të territorit kroat ishin pushtuar nga Ushtria jugosllave e kontrolluar nga Serbia. Ai ka thënë se riintegrimi i rajonit të Danubit kroat konsiderohet prej operacioneve më të suksesshme paqësore të Kombeve të Bashkuara në Evropë.

Duke folur gjatë samitit Platforma e Krimesë, kryeministri kroat ka thënë se është krijuar një grup pune ndërmjet Kroacisë dhe Ukrainës e ku ekspertët kroatë do të mund t’i këshillonin ukrainasit në këtë proces.

Plenkoviq ka theksuar edhe një herë mbështetjen kroate për integritetin territorial të Ukrainës, që zyrtarisht përfshijnë Luhanskun, Donjeckun dhe Krimenë. Samiti “Platforma e Krimesë” po mbahet për të ngritur presionin ndaj Rusisë, e cila mbështeti politikisht dhe ushtarakisht rajonet separatiste, që kulmuan me aneksimin e Krimesë më 2014.