Këshilli dhe Parlamenti Evropian të enjten ka arritur marrëveshje të përkohshme për një vendim për mospranimin e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Marrëveshja duhet të aprovohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian para se të shkojë përmes procedurës formale për zbatim, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian.
Ky vendim është përgjigje ndaj agresionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës dhe praktikës së Rusisë që të lëshojë pasaporta ruse për banorët në rajonet e okupuara.
Po ashtu, vjen pas vendimit të njëanshëm të Rusisë që të njohë pavarësinë e territoreve gjeorgjiane, Abkhazia dhe Ossetia.
Dokumentet ruse të udhëtimit që janë lëshuar për banorët në rajonet e okupuara nga rusët në Ukrainë ose territoret në Gjeorgji, nuk do të pranohen si dokumente zyrtare për kalim kufiri në zonën Shengen.