Botë

Bastisja e spitalit Al-Shifa: “Të gjithë meshkujt 16 vjeç e lart, ngrini duart lart”

(The Guardian) - Trupat izraelite hynë në spitalin Al-Shifa të Gazas në një “operacion të targetuar” në orën 3 të mëngjesit dhe qëndruan atje deri në pasdite.

Tri orë para agimit, dëshmitarët dhe mjekët brenda spitalit më të madh të Gazas raportuan se tanket izraelite kishin hyrë në kompleksin spitalor në skajin perëndimor të qytetit të Gazas. “Ne mund t’i shohim ata duke i drejtuar tanket drejt spitalit ... ata janë brenda kompleksit me tanke”, i tha CNN-it, Khader Al Za’anoun, një reporter i agjencisë palestineze të lajmeve Wafa.

Munir al-Boursh, mjek brenda spitalit Dar Al-Shifa dhe nënsekretar i ministrisë palestineze të shëndetësisë, më herët u kishte bërë thirrje forcave izraelite që të tregonin kujdes. “Nëse hyni brenda spitalit do të krijohet një gjendje frike dhe histerie midis pacientëve këtu”, i tha ai Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në një telefonatë të siguruar nga Al Jazeera. “Të gjitha katet e spitalit janë plot me njerëz, nga kati i parë deri në të gjashtin”.

Prej pesë ditësh, ushtria izraelite po i afrohej më shumë spitalit, ku qindra pacientë, përfshirë foshnjat e porsalindura, kishin mbetur pa energji elektrike dhe me pak ushqim, derisa luftimet vazhdonin.

Dëshmitarët i thanë Reutersit se tanket hynë në kompleks në orën 3 të mëngjesit dhe se njëri prej tyre u parkua para departamentit të urgjencës. Mohammed Zaqout, drejtori i spitaleve në atë territor, tha se ushtarët izraelitë hynë në departamentin e urgjencës dhe në ndërtesën e kirurgjisë, e cila gjithashtu përmban njësi të kujdesit intensiv. Një zyrtar në ministrinë e shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi i tha AFP-së se ka parë “dhjetëra ushtarë dhe komando brenda ndërtesave të urgjencës dhe sallës së pritjes”.

Dëshmitarët që folën për BBC-në dhe AFP-në thanë se ushtarët izraelitë përdorën altoparlantët për të kërkuar që të gjithë meshkujt e moshës 16 deri në 40 vjeç të largoheshin nga çdo pjesë e kompleksit spitalor përveç njësisë së kirurgjisë dhe të urgjencës dhe të shkonin në oborrin e spitalit.

“Të gjithë burrat 16 vjeç e lart, ngrini duart”, bërtiti një ushtar në arabisht, sipas një gazetari. “Dilni nga ndërtesa, drejt oborrit dhe dorëzohuni”, urdhëroi ushtari.

Rreth 1 mijë burra palestinezë, që mbanin duart lart mbi kokat e tyre, u dërguan shpejt në oborrin e madh të spitalit, disa prej tyre u zhveshën lakuriq nga ushtarët izraelitë që i kontrollonin ata për armë ose eksplozivë, tha gazetari.

Autoritetet izraelite njoftuan se trupat e ushtrisë izraelite kishin vrarë militantë në përleshjet jashtë spitalit, por brenda tij nuk ka pasur luftime. Ushtria izraelite publikoi edhe video që shfaq ushtarët që mbanin kuti të etiketuara “ushqim për fëmijë” dhe “furnizime mjekësore”.

Një zëdhënës i ministrisë palestineze të shëndetësisë në Gazë, Ashraf al-Qudra, i tha Al Jazeera Arabic se “vetëm mjekët, pacientët dhe njerëzit e zhvendosur” ishin të pranishëm kur forcat izraelite hynë në departamentin e urgjencës së spitalit. “Ne nuk kemi pse të frikësohemi apo fshihemi”, tha ai.

Omar Zaqout, i cili punon në sallën e urgjencës në Al-Shifa, i tha Al Jazeeras se ushtarët izraelitë kishin arrestuar dhe sulmuar disa burra që ishin strehuar atje. “Ata nuk sollën asnjë ndihmë apo furnizim, ata sollën vetëm terror dhe vdekje”, tha ai.

IDF-ja e përshkroi bastisjen si “një operacion të saktë dhe të targetuar kundër Hamasit në një zonë të caktuar në spitalin Al-Shifa, bazuar në informacionin e inteligjencës dhe domosdoshmërinë operacionale”.

Autoritetet izraelite kanë pohuar prej kohësh se Hamasi përdor zonën poshtë spitalit si qendër komandimi. Hamasi dhe stafi i spitalit e kanë mohuar vazhdimisht këtë.

IDF-ja ka thënë në një konferencë se ushtarët gjetën “armë dhe infrastrukturë tjetër terroriste” në Al-Shifa dhe se ata kishin parë “prova konkrete që terroristët e Hamasit përdorën spitalin Al-Shifa si një seli të terrorizmit”, të cilat ata synonin t’i publikonin më vonë.

Hamasi ka thënë se pretendimet e IDF-së nuk ishin asgjë tjetër veçse një vazhdim i gënjeshtrave dhe propagandës së lirë, përmes së cilës Izraeli po përpiqet të justifikojë krimin e tij, që synon shkatërrimin e sektorit shëndetësor në Gazë.

Bastisja vazhdoi deri në pasdite, megjithëse detajet ishin të pakta për shkak të një ndërprerjeje të telekomunikacionit, për të cilën dy rrjetet kryesore të telekomunikacionit palestinez thanë se ishte shkaktuar nga mungesa e karburantit. Thirrjet telefonike me stafin brenda spitalit Al-Shifa dhe zyrtarët e ministrisë së shëndetësisë në të gjithë Gazën nuk arritën të realizohen.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se organizata e tij kishte humbur kontaktet me mjekët brenda Al-Shifas.

Në orët e vona të pasdites, Boursh i tha Al Jazeeras se trupat izraelite ishin ende të pranishme në spital. “Ata janë ende këtu ... pacientët, gratë dhe fëmijët janë të tmerruar”, tha ai. Ai tha se stafi mjekësor ishte zotuar të qëndronte me pacientët e tyre “deri në fund”.

Bastisja pasoi ditë të tëra vuajtjesh për mjekët, pacientët dhe civilët që strehoheshin brenda kompleksit, ku stafi përshkroi se si ata kishin zhvendosur çdo pacient në korridoret e spitalit dhe larg dritareve, nga frika e të shtënave me armë. Boursh i tha The Guardian se disa që u përpoqën të iknin nga Al-Shifa në fillim të kësaj jave u rrethuan nga të shtënat me armë zjarri tek tentonin të largoheshin dhe u detyruan të ktheheshin prapa.

Ministria palestineze e shëndetësisë ka bërë të ditur se 40 pacientë vdiqën të martën, pas pesë ditësh pa karburantin e nevojshëm për gjeneratorët që furnizonin makineritë e dializës dhe pajisje të tjera jetike mjekësore. Spitalit i kishte mbaruar gjithashtu uji i pastër dhe mjekët thanë se po ushqeheshin me hurma për të mbijetuar pasi furnizimet ushqimore ishin pakësuar.

Kufomat u grumbulluan para spitalit, me stafin shumë të tmerruar për të tentuar që të lëviznin midis ndërtesave. Zyra e OKB-së për çështjet humanitare njoftoi se stafi në Al-Shifa, për dekada, kyç i sistemit mjekësor të Gazës, kishte filluar përgatitjet për një varr masiv për varrosjen e 180 trupave përpara objektit, pasi nuk kishte asnjë mënyrë që ata të largoheshin për të varrosur të vdekurit.

Përktheu: Forca Jashari