Botë

Bajrami pa paqe

Bajrami ne Gaza

Foto: Associated Press

Mesazhe për paqe janë adresuar në ditën e Kurban Bajramit edhe nga vendi që prej afro dy vjetësh nuk po gjen paqe. Në Gazën e rrënuar nga lufta, me qindra mijëra besimtarë myslimanë alarmuan për situatën e rëndë në të cilën ndodhen, tek e bënë faljen e namazit në qiell të hapur. Për paqe në këtë territor thirrje u drejtuan edhe nga vende tjera myslimane të botës.

Palestinezë të zhvendosur përgjatë Rripit të Gazës të shkatërruar e kanë shënuar fillimin e Kurban Bajramit me faljen e namazit në qiell të hapur dhe pa shpresë se lufta me Izraelin do të marrë fund së shpejti.

Festa treditore filloi të premten ndërsa për të dytin vit radhazi, myslimanët në Gaza nuk mundën të udhëtonin për në Arabinë Saudite për të kryer pelegrinazhin.

Të përballur me sulme të vazhdueshme e me mungesë të furnizimit me ushqime, banorët kanë thënë se Bajrami i sivjetmë i ka gjetur në njërën prej periudhave më të rënda në historinë e tyre.

“Tri ditë para Bajramit kemi agjëruar. Ky është agjërimi më i rëndë që populli palestinez e ka pasur ndonjëherë shkaku i kësaj lufte të padrejtë. Nuk kemi ushqim, nuk kemi miell, as strehim, as xhami, as shtëpi e as dyshekë për t’u shtrirë... Kushtet i kemi tepër.... tepër të rënda”, ka thënë Kamel Emran, banor në Khan Younis.

Situata veçse është përkeqësuar nga fillimi i muajit mars, kur Izraeli kishte bllokuar të gjitha hyrjet në Rripin e Gazës, duke i privuar mbi 2 milionë palestinezë nga ushqimi dhe uji.

Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së me seli në Romë ka njoftuar të enjten se parashikohet që populli i Gazës të përballet me pasiguri të theksuar ushqimore deri në muajin shtator, ndërsa gati gjysmë milioni njerëz po përjetojnë mungesë ekstreme të ushqimit.

Me mesazhe për paqe në Gazë është përcjellë kjo festë edhe në vende të tjera të botës. Imami i Kenias, Abdulrahman Mursal, ka thënë pas ligjëratës para besimtarëve në Nairobi, se ajo që po ndodh në Gazë është e gabuar dhe e padrejtë.

“Çfarë na dhemb më së shumti është ajo që po ndodh me vëllezërit dhe motrat tona myslimane në Palestinë. I lutemi Allahut që t’ua japë atyre fitoren. Ata po përballen me shtypje, po përballen me agresion, po u bëhen shumë padrejtësi. Shumë jetë janë humbur, shumë prona janë shkatërruar”, është shprehur ai.

Edhe në vende të tjera myslimane u përçuan mesazhe për paqe dhe qetësi në botë.

Në Xhakartë të Indonezisë besimtarët myslimanë këto thirrje i adresuan pas faljes së namazit të Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe Istiklal, që qe e mbushur plot.

Festa e Kurban Bajramit e pason ceremoninë haxhillëkut në Mekë. Haxhillëku është një prej pesë shtyllave të islamit dhe detyrim që të bëhet të paktën një herë në jetë për të gjithë myslimanët që janë fizikisht dhe financiarisht të aftë për ta përmbushur.

Sivjet, sipas statistikave të nxjerra nga autoritetet në Arabinë Saudite, këtë obligim janë duke e kryer më shumë 1.5 milion besimtarë myslimanë nga e gjithë bota.