Autoritetet kineze kanë larguar nga puna shumë zyrtarë të cilët konsiderohen përgjegjës për shpërthimin e koronavirusit, derisa numri i të vdekurve e ka tejkaluar shifrën prej 1 mijë personash.
Sekretari në Komisionin e Shëndetësisë në provincën Hubei, nga ku koronavirusi filloi të përhapej dhe kreu i komisionit janë në mesin e të shkarkuarve. Megjithatë, mbesin zyrtarët më të lartë të shkarkuar deri më tash. Zëvendës-drejtori i Kryqit të Kuq lokal po ashtu, është në mesin e të larguarve, derisa akuzohet për keqmenaxhim të shpërndarjes së donacioneve, transmeton KTV.
Sipas mediave shtetërore, numri i njerëzve të larguar nga pozitat e tyre është me mijëra, e njëkohësisht, kishte hetime dhe paralajmërime në provincën Hubei gjatë kësaj kohe. Përpos shkarkimit, këta zyrtarë rrezikojnë edhe të ndëshkohen nga Partia Komuniste.
Në anën tjetër, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë njoftoi se edhe 108 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi, duke çuar në 1,016 numrin e viktimave në këtë vend. Sipas zyrtarëve, tani janë 42,638 raste të infektuara me koronavirus në gjithë territorin e Kinës.