Një burrë në Australi është dënuar me 12 vjet e shtatë muaj burgim të martën, për vrasjen e një amerikani në vitin 1988, i cili ra nga një shkëmb i Sidneyt që njihej si një vend takimi i homoseksualëve, raportoi Associated Press të martën.
Vdekja e matematikanit Scott Johnson, është quajtur fillimisht vetëvrasje, mirëpo familja e tij ka vazhduar të bëjë hulumtime. Një mjek ligjor kishte gjetur në vitin 2017 një varg sulmesh, disa prej të cilave fatale, që janë kryer ndaj viktimave të targetuara, për shkak se mendohej se ishin homoseksualë.
Australiani Scott White, 51 vjeç, e ka pranuar fajësinë në janar dhe parashikohej që të dënohej me burg të përjetshëm.
Mirëpo, gjyqtarja Helen Wilson ka thënë se ajo nuk gjeti përtej dyshimit të arsyeshëm se vrasja ishte një krim i urrejtjes ndaj homoseksualëve, një faktor rëndues që do të kishte çuar në një dënim më të gjatë.
Ajo tha gjithashtu se aplikoi modele më të buta dënimesh në shtetin e Uellsit të Ri Jugor në fund të viteve 1980.
White duhet të qëndrojë për të paktën tetë vjet dhe tre muaj në burg, para se të mund ta kërkojë lirimin me kusht.
Edhe
Del para gjyqit i dyshuari për sulmin në Australi ku mbetën 15 të vrarë
White ka qenë 18 vjeç dhe i pastrehë kur ka njohur Johnsonin, atë kohë 27 vjeç.
Ish-gruaja e Whitet, Helen White, i tha policisë në vitin 2019 se burri i saj i atëhershëm ishte mburrur për rrahjen e burrave homoseksualë dhe kishte thënë se i vetmi homoseksual i mirë ishte një homoseksual i vdekur.