Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“AstraZeneca”, heroina e dikurshme e pandemisë, tani e padëshiruar

Pasi bashkëpunoi me Universitetin e Oxfordit, “AstraZeneca” për vetëm nëntë muaj prodhoi vaksinën e sigurt dhe të efektshme ndaj koronavirusit. Ky qe një hap i madh për të ndihmuar në mposhtjen e pandemisë. Mirëpo disa hapa të gabuar të kompanisë ngjallën kritika nga ligjvënësit dhe zyrtarët shëndetësorë, duke e shembur imazhin e kompanisë si heroinë në periudhën e koronavirusit.

Prodhuesi anglo-suedez i ilaçeve gabimisht u dha vullnetarëve gjysmë doze të vaksinës gjatë testeve klinike dhe është kritikuar për heqjen e informacioneve kryesore nga deklaratat publike. Rregullatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dyshim saktësinë e të dhënave të saj mbi vaksinën dhe vonesat e mëdha të prodhimit në Evropë kanë nxitur një stuhi politike dhe një prishje të marrëdhënieve me udhëheqësit e Bashkimit Evropian.

“Ajo çfarë kemi tek ‘AstraZeneca’ është një kompani që nuk është e drejtpërdrejtë dhe mbi të cilën nuk duhet mbështetur”, ka thënë Philippe Lamberts, anëtar belg i Parlamentit Evropian.

“Gabim pas gabimi”

Dështimi i “AstraZenecas” (AZN) për të shpërndarë dhjetëra miliona doza të premtuara në Bashkimin Evropian, që po lufton për t’i dhënë hov programit të vaksinimit, e shtyri bllokun të vendosë kufizime të eksportit që kanë parandaluar tashmë të paktën një dërgesë vaksinash në Australi. Udhëheqësit i kanë ashpërsuar kufizimet edhe më shumë gjatë të enjtes.

Edhe Vaksina e parë në botë e dizajnuar nga inteligjenca artificiale Lifestyle 1 muaj më parë Vaksina e parë në botë e dizajnuar nga inteligjenca artificiale

Ndërkohë Instituti Kombëtar i SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive shprehu shqetësime në fillim të javës se “AstraZeneca” ka paraqitur të dhëna të vjetra kur ka raportuar për efektin e vaksinës.

Anthony Fauci, drejtor i agjencisë, veprimin e kompanisë e quajti “gabim të pafalshëm” që mund të zbehë besimin ndaj një “vaksine shumë të mirë”.

“AstraZeneca” i përditësoi të dhënat e saj të enjten, duke raportuar se provat treguan për një efekt prej 76 për qind të vaksinës në parandalimin e simptomave të koronavirusit. Në fillim të javës kompania raportoi se vaksina e saj ishte 79 për qind efikase. Reagimi i ashpër i rregullatorëve amerikanë ishte një godite e madhe për kredibilitetin e kompanisë.

“Kompania ka bërë gabime njërin pas tjetrit”, ka thënë Jeffrey Lazarus, kreu i grupit të kërkimit të sistemeve shëndetësore në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global.

Kompania u përfshi në krizën e COVID-19 me fare pak përvojë në vaksina. Në vitet e fundit fitoi një pjesë të madhe të të ardhurave të saj, duke prodhuar ilaçe të njohura kundër kancerit, si Tagrisso, e cila përdoret për të trajtuar kancerin e mushkërive. Por kur goditi pandemia, kompania vendosi të hynte në garë për të zhvilluar një vaksinë që do të ndryshonte rrjedhën e betejës ndaj koronavirusit.

“Nuk mendoj se kompania ndonjëherë ka pasur qëllim që të jetë kompani vaksinash”, thotë Andrew Berens, analist farmaceutik në SVB Leerink. “Mendoj se arsyeja pse kompania hyri në këtë betejë ishte mjaft e qartë - donte të ndihmonte njerëzimin dhe të luftonte fatkeqësinë e COVID-19”.

Përpjekjet dhanë rezultat. “AstraZeneca” mori autorizimin e përdorimit emergjent nga Mbretëria e Bashkuar në fund të dhjetorit dhe një muaj më vonë edhe nga BE-ja. Për shkak se vaksina ishte më e lirë dhe mund të ruhej në temperatura më të larta se ato të zhvilluara nga “Pfizeri” (PFE) dhe “Moderna” (MRNA), ajo u cilësua si përparim, veçanërisht për vendet më pak të pasura që mund të kenë mungesë të rrjeteve të sofistikuara të logjistikës.

“AstraZeneca” gjeneroi më shumë vullnet të mirë duke u zotuar të shpërndajë vaksinën e saj pa asnjë cent gjatë pandemisë dhe duke bashkëpunuar me Institutin Serum të Indisë që u pajtua për të prodhuar më shumë se 1 miliard doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Ata arritën në një zonë për të cilën nuk njihen dhe bënë vërtet mirë”, thotë Lazarus.

Nisja e teposhtës

Pothuajse menjëherë problemet filluan të rriteshin. Para se vaksina ta merrte miratimin e përdorimit emergjent, kompania u përball me pyetje në lidhje me të dhënat nga provat në shkallë të gjerë të paraqitura në muajin nëntor.

Vullnetarët morën doza të ndryshme për shkak të një gabimi në prodhim, duke krijuar hutim në lidhje me efektivitetin e vërtetë të vaksinës. “AstraZeneca” nuk përmendi që një gabim shkaktoi mospërputhje të dozave në njoftimin e saj të parë. Kështu nxiti shqetësime në lidhje me mungesën e transparencës.

“E urrej të kritikoj kolegët akademikë ose këdo tjetër për këtë çështje, por publikimi i një informacioni të tillë i binte sikur të na kërkoni të provojmë dhe lexojmë gjethet e çajit”, thotë Saad Omer, specialist i vaksinave në Shkollën e Mjekësisë të Yale.

Në janar, komisioni i vaksinave në Gjermani njoftoi se dozat e “AstraZenecas” nuk duhet t’u jepen personave më të moshuar se 65-vjeç, duke përmendur si arsyetim të dhënat e pamjaftueshme për grupmoshën. Franca fillimisht ofroi vaksinat e “AstraZenecas” për personat nën moshën 65-vjeçare. Dy vendet ndryshuan kursin në fillim të këtij muaji.

Lazarusi çështjet e tilla i cilësoi si “lehtësisht të shmangshme”, për shkak se lidheshin me modelin e testimit.

Edhe Bie numri i të vaksinuarve, doktorët i frikësohen rritjes së rasteve me tetanus në SHBA Lifestyle 7 muaj më parë Bie numri i të vaksinuarve, doktorët i frikësohen rritjes së rasteve me tetanus në SHBA

“AstraZeneca” njoftoi se të dhënat klinike mbështesnin efikasitetin në grupmoshën mbi 65 vjeç. Në një intervistë në janar, shefi i kompanisë, Pascal Soriot, ka theksuar se shkencëtarët e Oxfordit që drejtonin provat, nuk dëshironin të rekrutonin njerëz të moshuar derisa të kishin “grumbulluar shumë të dhëna sigurie” për personat nga mosha 18 deri në 55 vjet.

Sikur shpërndarja e vaksinës të ishte më e rregullt, pengesat e tilla do të harroheshin. Mirëpo mungesa e vazhdueshme e dozave në Evropë që po përballet me valën e tretë të infeksioneve, ka shkaktuar një krizë politike brenda bllokut evropian. Udhëheqësit e BE-së janë takuar të enjten për të vendosur rreth propozimeve të Komisionit Evropian për kontrolle edhe më të rrepta mbi eksportin e vaksinave në Evropë, përfshirë edhe vaksinën e “AstraZenecas”.

“Kemi mundësinë e ndalimit të eksportit të planifikuar”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një intervistë për Funke Mediengruppe. “Ky është mesazhi për ‘AstraZenecan’: Së pari përmbusheni kontratën tuaj me Evropën para se të filloni ta shpërndani në vendet e tjera”.

Vendet evropiane kanë shprehur zhgënjimin që Mbretëria e Bashkuar është prioritet për shpërndarjen e vaksinave teksa po përballet me mungesa dhe se ndryshe nga shtetet tjera britanikët kanë dërguar dhjetëra miliona doza jashtë vendit.

Frustrimet vluan gjatë javës kur 29 milionë doza të vaksinës u zbuluan gjatë një “bastisjeje” në një fabrikë në Itali.

Zëdhënësi i kompanisë hodhi poshtë raportet se dozat ishin pjesë e një “stoku”, duke thënë se vaksina ishte bërë jashtë Bashkimit Evropian dhe se ishte sjellë në fabrikë për t’i mbushur shishet e vogla para se të shpërndaheshin nëpër Evropë dhe në shtetet me të ardhura të mesme.

Nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, nuk mund të komentonte mbi origjinën ose përdorimin e mundshëm të dozave të zbuluara në Itali, por vuri në dukje se prodhuesja e vaksinës është “shumë larg nga zotimet e saj të bazuara në kontratë”.

Disa politikanë dhe media mund të jenë në kërkim të një arsyetimi kur programet e vaksinimit pengohen.

Megjithatë Simona Guagliardo, analiste në Qendrën Evropiane të Politikave, thotë se vonesat e dorëzimit të vaksinave “pa dyshim se kanë luajtur rol në ngadalësimin e shpërndarjes në të gjithë Evropën”. “Ajo që duket e qartë është se ‘AstraZeneca’ mund të jetë mbivlerësuar për sa i përket shpërndarjes, krahasuar me kapacitetin efektiv të prodhimit”, thotë Guagliardo.

Rrugë e vështirë përpara

Sipas Prashant Yadav, një ekspert i zinxhirit të furnizimit mjekësor dhe bashkëpunëtor i vjetër në Qendrën për Zhvillimin Global, “AstraZeneca” duket se është përhapur shumë hollë, me një zinxhir të gjerë furnizimi që ka më shumë të ngjarë të hasë në pengesa sesa ato që furnizojnë vaksinat nga “Pfizeri” dhe “Moderna”. “AstraZeneca” ka krijuar më shumë se një duzinë zinxhirësh rajonalë furnizimi për të prodhuar vaksinën e saj, me më shumë se 20 partnerë në mbi 15 vende. Gjithashtu më e vështirë të parashikohet se sa vaksina mund të prodhohen nga tufat e produktit të “AstraZeneca” për shkak të llojit të përbërësve që përmban, shtoi Yadav, megjithëse ajo ndryshueshmëri mbase mund të ishte parashikuar gjatë hartimit të kontratave. Kompania nuk komentoi në lidhje me këtë histori, por ka përmendur “prodhimin më të ulët se sa pritej nga procesi i prodhimit” për shkak të ndërlikimit të madh në Evropë.

“Teksa ekipet tona mësojnë nga njëra-tjetra dhe përmirësojnë njohuritë e tyre, rendimenti po rritet”, ka thënë Soriot gjatë muajit shkurt. “Prodhimi i një vaksine është një proces shumë kompleks biologjik”.

Jo të gjitha kokëçarjet e “AstraZenecas” kanë qenë rezultat i gabimeve të korporatës, vuri re Lazarus. Ai nuk e fajëson kompaninë për frikën në lidhje me efektet anësore si mpiksja e gjakut, që detyroi një numër të madh shtetesh të ndërprisnin vaksinimin me dozat e “AstraZenecas”. Rregullatori i Bashkimit Evropian bëri një rishikim urgjent javën e kaluar dhe arriti në përfundimin përsëri se vaksina është e sigurt për t’u përdorur. Por shqetësimet të tjera - si keqinterpretimi i pretenduar i të dhënave në provat e saj të fundit në SHBA - kanë dëmtuar pa dyshim reputacionin e kompanisë, veçanërisht në krahasim me prodhuesit e tjerë të barnave që kanë prodhuar vaksina të sigurta dhe efektive, por gjeneruan më pak tituj negativë nëpër gazeta.

Ronn Torossian, shef i 5W Public Relations” , vuri në dukje se hapat e gabuar të “AstraZenecas” kanë ndodhur në kohën kur mosbesimi ndaj autoriteteve dhe përfitimet e vaksinimit mbeten të larta.

Edhe FDA-ja synon të vendosë paralajmërimin më serioz te vaksinat kundër Covid-it Botë 7 muaj më parë FDA-ja synon të vendosë paralajmërimin më serioz te vaksinat kundër Covid-it

“Publiku tashmë është skeptik”, thotë ai. “Mendoj se është një gjë shumë, shumë e vështirë për t’u zgjidhur për momentin nga ‘AstraZeneca’”. Berens i SVB Leerink mendon se kompania do të jetë në gjendje t’i kalojë këto probleme - veçanërisht pasi prodhimi i vaksinave nuk është një biznes në të cilin mbështetet për të fituar para. Aksionet janë ulur më shumë se 2 për qind deri më tani në 2021, por edhe aksionet e “Pfizerit” janë tkurrur në fillim të këtij viti.

Por Berens pyet: Nëse “AstraZeneca” do të kthehej pas në kohë, a do të zgjidhte të përfshihej përsëri në prodhimin e vaksinave me burime të mëdha? Në këtë pikë, ai nuk është aq i sigurt.