Një gjykatës britanik ka vendosur të hënën se themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, nuk duhet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përballjen me akuzat kriminale të shkeljes së një ligji për spiunazh, duke thënë se problemet e tij të shëndetit mendor mund të përbëjnë rrezik për vetëvrasje.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të insistojnë në kërkesën për ekstradimin e australianit Assange dhe se prokurorët amerikanë do të paraqesin ankesë lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme të Londrës.
Autoritetet amerikane e akuzojnë Assangen për 18 shkelje të lidhura me publikimin në WikiLeaks të një morie dokumentesh konfidenciale të ushtrisë amerikane dhe të kabllogrameve diplomatike, për të cilat pretendojnë se kanë vënë në rrezik jetë të njerëzve. Avokatët e Assanges do të kërkojnë lirimin e tij me kusht, të mërkurën, pasi që 49-vjeçari ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit ose në burg, ose në ngujim të vetimponuar.
“Do të vazhdojmë që ta kërkojmë ekstradimin e Assanges”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Drejtësisë, në të cilën ceket gjithashtu se SHBA-ja ka fituar në të gjitha aspektet ligjore, përfshirë argumentet lidhur me lirinë e shprehjes dhe motivet politike.
Një zëdhënëse e ekipit transitor të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, i cili do ta marrë detyrën më 20 janar, nuk e ka komentuar rastin. Administrata Obama, pjesë e së cilës ka qenë Bideni si nënpresident, ka vendosur që të mos e përndjekë penalisht Assangen shkaku i precedentit që mund të përbëjë rasti për lirinë e shprehjes dhe për gazetarët.
Presidenti në largim, Donald Trump, dhe administrata e tij kanë përçuar mesazhe të përziera rreth Assanges, ndërkaq zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë nuk kanë qenë të qasshëm për ta komentuar rastin.
Pak kohë pas zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, Trumpi e kishte lavdëruar WikiLeaksin lidhur me publikimin e emailave të hakuar, të cilët e turpëruan rivalen e tij të atëhershme Hillary Clinton. Ai me këtë rast kishte thënë: “E dua WikiLeaksin”. Por pak muaj pasi që Trumpi u bë zyrtarisht president, drejtori i tij i parë i FBI-së, Mike Pompeo, tani sekretar i Shtetit, e denoncoi WikiLeaksin si “një shërbim joshtetëror e armiqësor i Inteligjencës”.
Ekipi ligjor i Assanges ka argumentuar se përpjekja amerikane për ekstradimin e tij është iniciuar nën presionin e administratës Trump dhe se ekstradimi i tij do të përbënte kërcënim të rëndë për lirinë e shtypit. Por ishte vetëm rreziku se ai mund të kryente vetëvrasje nëse do të mbahej në një burg amerikan të sigurisë maksimale, ai që e shtyri gjykatësen Vanessa Baraitser që ta refuzojë kërkesën për ekstradim.
Assange, ka thënë ajo, ka vuajtur kohë pas kohe nga depresioni i thellë dhe është diagnostikuar me autizëm. Gjysma e një brisku të rrojës ishte gjetur në qelinë e tij të burgut në Londër gjatë majit të 2019-s, dhe asokohe ai i kishte thënë stafit mjekësor se kishte mendime vetëvrasëse dhe se po bënte plane për t’i dhënë fund jetës.
“Mendoj se rreziku që Assange të kryejë vetëvrasje, nëse jepet vendimi për ekstradim, do të jetë substancial”, ka thënë Baraitser në vendimin e saj para gjykatës Old Bailey në Londër. “Përshtypja e përgjithshme është se kemi të bëjmë me një burrë në depresion dhe në dëshpërim, i cili është përnjëmend i frikësuar rreth së ardhmes së tij”.
I veshur me kostume dhe duke bartur maskë, Assange nuk është shfaqur i emocionuar për vendimin. Para gjykatës, partnerja e tij, Stella Moris, me të cilën ai ka dy fëmijë që lindën në kohën sa ai ishte strehuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ka thënë se vendimi ishte një triumf, por se kërcënimi për ekstradim ende ekziston.
“I bëj thirrje presidentit të SHBA-së që t’i japë fund kësaj pune tani: z. president, rrënoji këto mure të burgut, lëri të bijtë tanë të vegjël që ta kenë babanë e tyre. liroje Julianin, liroje shtypin, na liro të gjithëve”, ka thënë ajo. \ Reuters