Konflikti ndërkufitar midis grupit militant Hezbollah të Libanit dhe forcave izraelite u përshkallëzua të mërkurën, duke ringjallur frikën se përleshjet e përditshme mund të zgjerohen në luftë të gjithanshme.
Një raketë e gjuajtur nga Libani goditi qytetin verior izraelit të Safedit, duke vrarë një ushtare 20-vjeçare dhe duke lënë të lënduar të paktën tetë persona.
Izraeli u përgjigj me sulme ajrore nga të cilat mbetën të vdekur të paktën pesë persona në Liban, përfshirë një siriane, dy fëmijët e saj dhe dy luftëtarë të Hezbollahut. Nëntë persona u lënduan.
Dhuna ndërkufitare u nxit nga lufta Izrael-Hamas në Gaza, e cila nisi më 7 tetor në Izrael nga Hamasi.
Hezbollahu nuk mori përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës. Por, është zotuar se do të vazhdojë sulmet deri kur të arrihet armëpushimi në Gaza.
Mes frikës për përshkallëzim të mëtejmë, AP-ja ka treguar për kapacitetet e të dyja palëve.
Ndërsa shumë analistë besojnë se ka pak gjasa për një luftë të gjithanshme, ka frikë se një keqllogaritje nga secila palë mund të nxisë një përshkallëzim.
Kapacitetet ushtarake të Hezbollahut
Hezbollahu është forca paraushtarake më e rëndësishme e botës arabe me një strukturë të brendshme të fuqishme dhe një arsenal të konsiderueshëm. I mbështetur nga Irani, luftëtarët e tij kanë fituar përvojë gjatë konfliktit 13-vjeçar në Siri ku kanë ndihmuar forcat qeveritare.
Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, është mburrur se grupi ka 100,000 luftëtarë, megjithëse të dhëna të tjera e përgjysmojnë këtë numër. Izraeli do që Hezbollahu ta tërheqë Forcën elitare Radwan nga kufiri ashtu që mijëra izraelitë të zhvendosur nga qytetet veriore të kthehen në shtëpi.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike, Hezbollahu ka arsenal të madh raketash. SHBA-ja dhe Izraeli vlerësojnë se Hezbollahu dhe grupe të tjera militante në Liban kanë rreth 150,000 raketa. Hezbollahu më herët ka lëshuar dronë në Izrael, dhe forcat e tij po ashtu kanë makineri armësh, granata e të tjera.
Gjatë konfliktit aktual, Hezbollahu ka përdorur raketat anti-tank të prodhuara nga Rusia. Më rrallë ka përdorur edhe raketa Burkan.
Kapacitetet ushtarake të Izraelit
Ushtria e Izraelit për gjatë është mbështetur nga SHBA-ja, me 3.3 miliardë dollarë financim vjetor, plus 500 milionë dollarë për teknologjinë e mbrojtjes raketore.
Izraeli është një prej vendeve më mirë të armatosura në Lindjen e Mesme. Forca e saj ajrore përfshinë avionët amerikanë F-35, raketat Patriot, sisteme mbrojtjeje e të tjera.
Izraeli ka tanke, flotë dronësh dhe teknologji të avancuar.
Izraeli ka rreth 170,000 trupa aktive dhe ka thirrur 360,000 rezervistë për luftën. Shteti izraelit nuk e ka deklaruar gjendjen e tij me programin e armëve bërthamore.