Një inxhinier bërthamor i marinës amerikane dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar se kanë tentuar të shesin sekrete bërthamore te një shtet i huaj, raporton BBC.
Jonathan Toebbe dhe bashkëshortja e tij Diana janë arrestuar në West Virginia të shtunën, ka njoftuar Departamenti i Drejtësisë.
Pretendohet se tentuan të shesin të dhëna për nëndetëse bërthamore, ndërsa i kishin fshehur ato në një senduiq me gjalpë kikiriku. Tentuan t’ia shesin dikujt që mendohet se është përfaqësues i një shteti tjetër.
Në fakt ishte një agjent i FBI-së i maskuar.
Sipas një deklarate, Toebbe dhe partnerja e tij – të moshës 42 përkatësisht 45 vjet – akuzohen nën Aktin për Energji Atomike.
Toebbe ka punuar në programin bërthamor të marinës amerikane dhe kishte leje nga siguria nacionale.
Departamenti i Drejtësisë ka thënë se në prill të vitit 2000 ai dërgoi një paketë te një qeveri e huaj, ku përmbante të dhëna të kufizuara dhe një mesazh që sugjeronte një marrëdhënie të fshehtë, në mënyrë që ata të blinin më shumë të dhëna prej tij.
Pastaj dyshohet se filloi t’i shkruante një individi me email të koduar. Ndërsa ai mendonte se ky person përfaqësonte një qeveri të huaj, e në fakt ishte një agjent i FBI-së, thuhet në deklaratë.
Pas disa muajve, çifti i akuzohet pretendohet se arriti marrëveshje për të ndarë informata sekrete në shkëmbim të rreth 100 mijë dollarëve në kriptovaluta.
Në qershor të këtij viti, Jonathan dhe Diana Toebbe udhëtuan në West Virginia për të dorëzuar të dhënat.
Jonathan e futi kartelën SD brenda një senduiqi me gjalpë kikiriku.
Pasi një agjent mori kartelën, u dërgua pagesa dhe ata pranuan një çelës për të deshifruar kartelën SD. Në të kishte materiale të klasifikuara të lidhura “me reaktorët bërthamorë të nëndetëseve”.
Toebbe më pas telefonoi për një dërgesë të dytë – të cilën e kishte fshehur brenda një paqete të çamçakëzëve – në gusht, ku kishte të dhëna edhe më sekrete.
Agjentët e FBI-së arrestuan çiftin të shtunën, ndërsa tentuan të bënin dërgesën e tretë.
Ata do të paraqiten para gjykatës federale më 12 tetor.