Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Arrestohen shtatë persona në Francë, shitnin teste false për COVID-19

Policia e Francës ka arrestuar shtatë persona nën akuzat se kanë shitur teste negative false për COVID-19, për pasagjerët që udhëtonin nga aeroporti i Parisit.

Gjashtë burrave dhe një gruaje u janë gjetur më shumë se 200 teste të falsifikuara në celularët e tyre ndërsa ato thuhet se ishin shituar rreth 300 euro për person, shkruan Reuters.

Ky rast iu kap një pasagjeri që udhëtonte për në Etiopi, derisa ai ishte pajisur me një test të tillë. Testet ishin falsifikuar duke ua vendosur emrin e vërtetë të laboratorëve parizienë.

Personat e kapur ishin drejtuar nga një biznes i palicencuar ndërsa tani po përballen me akuza për falsifikim dhe bashkëpunim në mashtrim. Dënimi për këtë vepër mund të jetë prej pesë vjet burgim apo gjobë 370 mijë euro.