Arabia Saudite ka shpalosur të hënën një plan që do t’ua ofrojë rebelëve houthi në Jemen për ndaljen e zjarrit në luftën disavjeçare të vendit.
Me këtë plan parashihet hapja e aeroportit kryesor të kryeqytetit, njofton AP-ja.
Plani përbën përpjekjen më të fundit të mbretërisë për t’i ndalur luftimet që kanë nxitur krizën më të rëndë humanitare në botë, në shtetin më të varfër arab.
Veprimi saudit u ndërmor pasi që rebelët houthi e nisën një fushatë të sulmeve me dronë dhe raketa në drejtim të rafinerive të naftës të vendit, duke shkaktuar ngritje të përkohshme të çmimeve të naftës midis pandemisë së koronavirusit.
Plani përbën po ashtu përpjekjen e Riadit zyrtar për ta përmirësuar imazhin e vendit para presidentit amerikan, Joe Biden.