Një anije turistike me rreth 800 pasagjerë me COVID-19 është ankoruar në Sydney, Australi.
Anija e lundrimit “Majestic Princess” mbërriti në Circular Quay, pasi kishte lundruar nga Zelanda e Re, raportoi BBC.
Rreth 4,600 pasagjerë dhe ekuipazh ishin në bordin e anijes kur ajo u ankorua - që do të thotë se rreth një në pesë ishte me COVID.
Përhapja e virusit të kujton shpërthimin e COVID-it në anijen e lundrimit “Ruby Princess” në fillim të vitit 2020, ku të paktën 900 njerëz rezultuan pozitivë dhe 28 vdiqën.
Marguerite Fitzgerald, presidentja e operatorit të lundrimit “Carnival Australia”, tha se një numër i madh rastesh filluan të zbuloheshin rreth gjysmës së udhëtimit 12-ditor.
Të gjitha rastet ishin ose asimptomatike ose të lehta simptomatike, tha ajo.
Stafi do të ndihmojë të gjithë mysafirët që kanë rezultuar pozitivë "me qasjen në transportin privat dhe akomodimin për të përfunduar periudhën e tyre të izolimit", tha ajo. Anija do të niset së shpejti për në Melburn.