E mbuluar me të verdhë dhe me rrezet e diellit që shkëlqenin përmbi të, Amanda Gorman, recitoi fjalë të mëdha për shtetin demokratik amerikan, në ditën e inaugurimit të presidentit Joe Biden.
Në ditën e inaugurimit të presidentit të 46 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo qëndroi në podiumin e Kapitolit në Washington DC, ku recitoi poemën “The Hill We Climb” (“Kodrën që ngjisim”). Para saj kishte udhëheqës të shteteve, e përreth presidentë të kaluar të SHBA-ve së bashku me presidentin e tanishëm Biden. Me vitet e fundit që qenë të vështira për popullin amerikan dhe me zërin e Amandës që kumbonte atë ditë, shumë njerëz që ishin të ulur në Kapitol, por edhe ata që shikonin nga dhomat e ndenjës shpërthyen në lot.
“Fjalët janë ato më të cilat unë veproj dhe ato bëjnë magjinë të ndodhë,” ka thënë Amanda për Late Late Show.
Diçka e tillë ishte vërtetuar po atë ditë kur zëri i saj preku zemrat e shumë të rinjve e të rejave, e shumë njerëzve, ku në vetëm pak kohë të gjitha llogaritë në rrjetet sociale të Amandës kishin pësuar rritje të madhe të ndjekësve.
“Kam bërtitur dhe kam vallëzuar në çorape, ishte thjesht një natë e mrekullueshme,” ka përshkruar Gorman, një nga netët e fundit të dhjetorit ku përmes një telefonate në Zoom, ajo ishte njoftuar që e kishin zgjedhur si poeten e re për ditën e inaugurimit.
“Tema për ditën inaugurimit ishte “Amerika e Bashkuar”, pikërisht ajo çka doja të shkruaja në poezinë time, për Amerikën të bashkuar, për një kapitull të ri të vendit ton,” kishte thënë ajo për Times.
Kodra ku Amanda po ngjitet
22-vjeçarja që recitoi në ditën e inaugurimit, është Amanda Gurman tashmë një ndër poetet më të reja që ka pas nderin të recitojë poezinë inauguruese. |
Amanda është një nga tre fëmijët e Joana Wicksit. Ajo kishte rritur një djalë dhe vajza binjake kishte rritur si nënë beqare, duke zhvilluar edhe karrierën e saj që është mësuese e gjuhës angleze në një shkollë fillore.
Amanda dhe binjakja e saj Gabrielle, tash një aktiviste që merret edhe me filmin, kishin lindur para kohe ditën e shtatë marsit më 1998. Teksa ishin në çerdhe poetja e re, u diagnostikua me një çrregullim të dëgjimit që i dha asaj një pengesë në të folur.
Kur ishte vetëm në klasën e tretë mësuesja ja prezantoi asaj poezinë, dhe ishte pikërisht shkrimi dhe recitimi aty ku Amanda gjeti zërin e saj.
Idhulli i saj nga poetët është Maya Angelou, në autobiografinë e saj “I Know Why the Caged Bird Sings” ( “ E di pse zogjtë e kafazit këndojnë”), Amanda gjeti fragmente që i kujtonin jetën e saj.
Që në fillim të angazhimeve të saja për poezinë Amanda e dinte që shprehja e saj do ishte edhe poetike dhe politike.
Në 2014-tën kur ajo ishte vetëm 16 vjeçe, u bë pjesë e një organizate për poezi dhe për aftësi udhëheqëse, të quajtur “One Pen One Page” (“Një laps Një faqe”). Një vit më vonë ajo publikoi librin e saj të parë me poezi “The One for Whom Food Is Not Enought” (“Prej atyre qe ushqimi nuk është i mjaftueshëm”).
Pranvera e vitit 2017 e gjeti Amandën laureate ndërkombëtare e të rinjve për poezi. Ndërsa me recitimin e poemës “This Place” (“Ky vend”), një lirikë amerikane, kishte arritur të fitonte zemrën e Dr. Jill Biden tashmë Zonja e Parë e Amerikës, e cila e kishte sugjeruar Gorman si poeten e re për ditën e inaugurimit.
E diplomuar në Universitetin e Harvardit për sociologji vitin që shkoi, laureate ndërkombëtare e të rinjve për poezi, Amandës ju shtua edhe titulli shkrimtarja bestseller.
Javën e kaluar libri për fëmijë “Change Sings: A Children’s Athem”, përmbledhja e poezive “The Hill We Climb and Other Poems” si dhe kopja e poemës në ditën e inaugurimit “The Hill We Climb: An Inaugutal Poem for the Country” ishin tri të parat në listën bestseller në amazona.
Trazirat në Kapitol kishin ndikuar tek poezia e Amandës, e cila ishte mbyllur në apartamentin e saj deri sa kishte përfunduar së shkruari atë.
“Në poezinë time, nuk do anashkaloj ato çka kemi jetuar këto javët e fundit apo të them vitet e fundit. Por ajo çka me të vërtet po tentoj të arrijë me poezinë është që të përdorë fjalët e mia për të parashikuar një mënyrë në të cilën vendi ynë mundet që akoma të jetë i bashkuar dhe të shërohet” ka thënë Gorman për The New York Times, një ditë para recitimit të saj të poezisë The Hill We Climb në ditën e inaugurimit.
Ndërsa një mesazh të veçantë ajo do ta përçojë edhe në librin e saj për fëmijë “Change Singa: A Children’s Athem”, e ftuar në Late Late Show Amada ka thënë që dëshiron që fëmijët ta shohin vetën si ndryshues dhe jo të kenë një tjetër libër ku ata janë vëzhgues të ndryshimeve që bëhen.
“Dua që fëmijët të shohin vetën si zëri i së ardhmes”, ka thënë Gorman.
Rreshti i preferuar i saj në poezinë “The Hill We Climb” është: “that we’ve learned that the norms and notions of what “just is” isn’t always justice”.
Ndërsa në disa vargje ajo shkruan se: “Ne, pasardhësit e një vendi dhe të një kohe kur një vajzë e zezë e dobët rrjedh nga skllevërit dhe është rritur nga një nënë e vetme, mund të ëndërrojmë të bëhet presidente, vetëm për ta gjetur veten duke recituar për një (President).”
Reagime të shumta për poezinë e saj kishte edhe nga fytyrat e njohura publike përfshirë Barack Obamën. Oprah Wunfrey të cilët komentuan në Twitter suksesin e Amanda Gorman.