Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, ka thënë të hënën se po i dërgon tre djemtë e tij adoleshentë në frontin e luftës në Ukrainë, shkroi të “Kyiv Post”.
Kadyrov, i cili është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë se djemtë e tij i përkasin moshave 14, 15 dhe 16 vjeç.
"Është koha për të provuar veten në një luftë të vërtetë, e mirëpres këtë gjë. Së shpejti ata do të shkojnë në vijën e parë dhe do të jenë në pikat më të vështira të linjës së kontaktit”, ka shkruar Kadyrovi në Telegram, krahas videos që e postoi, ku shihen djemtë e tij të rinj që gjuanin raketa në një poligon qitjeje.
Ai njoftoi se fëmijët e tij janë trajnuar për luftime që në moshë të hershme dhe se ka këmbëngulur për dërgimin e tyre në luftë.
Deklarata e Kadyrovit erdhi pasi Kremlini ka hedhur poshtë të hënën thirrjen e tij për përdorim të armëve bërthamore taktike (jo-strategjike) në Ukrainë pas një sërë humbjesh ushtarake në terren.
Gjatë muajit shtator, presidenti rus Vladimir Putin, ka shpallur mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, duke njoftuar se 300 mijë persona do të ftohen për të luftuar.
Thirrja e tij nuk është mirëpritur nga qytetarët rusë. Mijëra prej tyre kanë lëshuar vendin, duke ikur në vendet fqinje të Rusisë, kurse pati të tjerë të cilët protestuan për këtë masë e që tashmë janë arrestuar.