Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Al-Jazeera: Legjitimimi i “aparteidit” rrezikon Bosnjë-Hercegovinën

Kritikët thonë se planet e përfaqësuesit të lartë për ndryshim të ligjit të zgjedhjeve do të shtojnë theksueshëm ndikimin e nacionalistëve kroatë dhe serbë në shtetin me demokraci të brishtë

(Al-Jazeera) - Planet e përfaqësuesit të lartë të Bosnjës për të ndryshuar ligjin zgjedhor të vendit dhe Kushtetutën e entitetit të federatës janë denoncuar nga kritikët, të cilët thonë se është segregacionist dhe i ngjashëm me legjislacionin e "aparteidit".

Në fillim të javës së kaluar, media vendase dha lajmin se Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), një institucion ndërkombëtar përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes së paqes të Bosnjë-Hercegovinës, po zhvillon konsultime me komunitetin ndërkombëtar për të zbatuar një ligj të ri në lidhje me mënyrën se si zgjidhen delegatët për Dhomat e Popullit e Parlamentit të entitetit të Federatës boshnjako-kroate, shkruan “Al-Jazeera”.

Ndryshimet e planifikuara

Por analistët thonë se me këto ndryshime, OHR-ja do t'i jepte partisë nacionaliste kroate HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat) dhe partisë nacionaliste secesioniste serbe SNSD (Aleanca e Socialdemokratëve) një shkallë joproporcionale të ndikimit politik dhe do të thellonte më tej ndarjet diskriminuese etnike.

Sipas reformave të raportuara, “populli përbërës" i Bosnjës - boshnjakët, kroatët dhe serbët - do të humbasin përfaqësuesit në Dhomën e Popullit nëse popullsia e tyre etnike në cilindo kanton federate është më pak se tre për qind e së njëjtës popullsi etnike në entitetin e Federatës.

Edhe Dodiku kërcënon me bllokim të Qeverisë në Bosnjë Rajon Dodiku kërcënon me bllokim të Qeverisë në Bosnjë
Image
Sipas ligjit aktual zgjedhor, të paktën një delegat boshnjak, një kroat dhe një serb zgjidhet nga çdo kanton. Grupet parlamentare ku ka opozitë, konkurrojnë se cilin anëtar propozojnë për president ose nënkryetar të qeverisë së entitetit të Federatës

Për shembull, kantoni Una-Sana që shtrihet në Bosnjën perëndimore me një popullsi kroate prej 1.9 për qind, do të humbiste delegatin e tij për grupin parlamentar kroat dhe mandati do të shkonte në një kanton me një popullsi të madhe kroate, shkruan “Al-Jazeera”.

Kjo përkthehet në mandat për HDZ-në, e cila do të kishte më shumë delegatë – të paktën 14 nga 17 vendet në grupin kroat – ndërsa partia nacionaliste sundon në kantonet me popullsi më të madhe kroate.

Me kontroll të plotë mbi grupin kroat, një anëtari nga HDZ-ja tani do t'i garantohet një vend ose si president ose si një nga dy nënkryetarët e Federatës në një ekip me një boshnjak dhe një serb të zgjedhur nga grupet e tyre përkatëse.

Pavarësisht nëse HDZ-ja ka një president apo një nënkryetar të Federatës, të tri zonat etnike duhet të formojnë qeverinë, duke e bërë HDZ-në të domosdoshme, analizon “Al-Jazeera”.

Më shumë demokraci në spektrin boshnjak

Njëherësh, HDZ-ja do të jetë në gjendje të sundojë mbi grupin kroat, duke siguruar kështu një pozicion në qeverinë e Federatës, derisa partia SNSD do të ketë të njëjtin avantazh. "HDZ-ja dhe SNSD-ja do të bëhen kyçe në formimin e Qeverisë së Federatës", raportoi uebfaqja e lajmeve investigative boshnjake Istraga.

Ndërkohë, Grupi parlamentar boshnjak është më konkurrues politikisht dhe i fragmentuar sipas linjave partizane.

Dragan Çoviq, lideri i partisë HDZ të Bosnjës, ka kërkuar për vite me radhë ndryshime në ligjin zgjedhor, duke pretenduar se kroatët janë të nënpërfaqësuar në institucione.

Sipas ligjit aktual zgjedhor, të paktën një delegat boshnjak, një kroat dhe një serb zgjidhet nga çdo kanton. Grupet parlamentare ku ka opozitë, konkurrojnë se cilin anëtar propozojnë për president ose nënkryetar të qeverisë së entitetit të Federatës.

Istraga raportoi se qeveria kroate i kishte dërguar OHR-së një dokument që propozonte mënyrën e saj për të amenduar ligjin zgjedhor. Analistët kanë kritikuar më parë Kroacinë për minimin e sovranitetit të Bosnjës duke u përzier në çështjet e saj politike, vlerëson “Al-Jazeera”.

Me reformat e propozuara, politologu Jasmin Mujanoviq tha se HDZ-ja do të bllokojë çdo përpjekje për ndryshimin e kushtetutave të Bosnjës, siç ka bërë për më shumë se 14 vjet, "ndërsa Zagrebi do ta mbrojë atë nga çdo pasojë domethënëse nga BE-ja”.

"Përveç se tani nuk do të ketë as mundësi teorike për t'iu kërkuar llogari nëpërmjet zgjedhjeve", shkroi Mujanoviq në Twitter.

Edhe Schmidt ndryshon Ligjin zgjedhor që Bosnja të dalë nga kriza Botë Schmidt ndryshon Ligjin zgjedhor që Bosnja të dalë nga kriza

Thellim polarizimesh ndëretnike

“Rezultati do të jetë polarizimi i mëtejshëm përgjatë linjave ekskluzivisht etnike, që është pikërisht ajo që duan HDZ-ja dhe bashkëpunëtorët e tyre në SNSD, sepse çmimi i madh për të cilin ata kanë punuar është shpërbërja me shumicë e shtetit boshnjak. Dhe ky është një hap i madh drejt tij”.

Ismail Çidiq, president i Qendrës së Avokimit Boshnjak, i tha “Al-Jazeeras” se ndryshimet e propozuara të OHR-së "nënkuptojnë aparteid për boshnjakët (myslimanët boshnjakë)".

“Sipas propozimit, votat e boshnjakëve nuk do të kenë të njëjtën vlerë si ato të kroatëve të Bosnjës, të cilët përfundimisht mund të diktojnë kushtet politike në vend pavarësisht se përbëjnë vetëm rreth 15 për qind të popullsisë së vendit”, tha Çidiq.

“Përveç kësaj, pavarësisht vendimeve të shumta gjyqësore në favor të tyre, pakicat e Bosnjës janë anashkaluar përsëri. Për komunitetin ndërkombëtar, duket se është akoma më kritike të zvogëlohet fuqia tashmë e kufizuar politike e boshnjakëve sesa të punohet për sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë, përfshirë pakicat. Kjo zgjidhje do të jetë gozhda e fundit në arkivolin e rrugës euroatlantike për vendin”.

Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit – e cila shërben gjithashtu si kushtetutë e vendit – në dhjetor 1995, vendi ka pasur një strukturë politike kafkiane të ndarë sipas vijave etnike.

Kushtetutë diskriminuese

Por në vendime të shumta, duke përfshirë rastin historik Sejdiq dhe Finci në 2009, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi se kushtetuta e Bosnjës ishte diskriminuese ndaj qytetarëve të saj dhe urdhëroi miratimin e një kushtetute qytetare me të drejta të barabarta për të gjitha etnitë, gjë që mbetet për t'u bërë.

Jakob Finci, hebre boshnjak dhe Dervo Sejdiq, rom boshnjak, iu drejtuan gjykatës në Strasburg, në Francë pasi nuk iu lejua kandidimi në zgjedhje pasi përkatësia e tyre etnike nuk i përkiste asnjë prej tre "popujve përbërës" - boshnjak, kroat ose serb.

Në një video të postuar në Twitter të premten nga partia multietnike SDP, Sejdiq tha se Bosnja mund të përparojë vetëm mbi parimet qytetare të bazuara në barazinë e të gjithë qytetarëve, kujton “Al-Jazeera”.

"Vendimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut nuk u zbatuan, por ato po na imponojnë vendime të reja që shkelin vlerat themelore të demokracisë evropiane dhe ndërkombëtare", tha Sejdiq.

Edhe Reformistët pa shpresa kundrejt nacionalistëve në zgjedhjet boshnjake Botë Reformistët pa shpresa kundrejt nacionalistëve në zgjedhjet boshnjake

“Ne në SDP nuk do të lejojmë që Bosnja të ndahet në njësi administrative etnikisht të pastra. Tashmë kam dëshmuar një herë më parë se të drejtat themelore të njeriut po shkelen në Bosnje-Hercegovinë dhe do të luftoj që fëmijët tanë të jenë të barabartë dhe që të gjithë fëmijët të mund të zgjedhin dhe të zgjidhen”, thekson ai, përcjell “Al-Jazeera”.

“Dëshiroj të kujtoj se etnonacionalizmi dhe racizmi deri më tani kanë përzënë 500.000 qytetarë të atdheut tonë të bukur”, tha Sejdiq.