Botë

“Al-Aqsa”, pikë e nxehtë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve

Xhamia ndodhet në një vend të shenjtë për të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë, dhe është pikë e nxehtë kronike në konfliktin e kamotshëm izraelito-palestinez. Izraeli ia rrëmbeu Jordanisë Jerusalemin Lindor, përfshirë edhe Qytetin e Vjetër gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967, dhe pastaj e aneksoi zonën. Izraeli do ta shpallte më vonë Jerusalemin e unifikuar kryeqytet të vetin, megjithëse ky veprim asnjëherë nuk është njohur ndërkombëtarisht

Konfrontimet e dhunshme ndërmjet palestinezëve dhe forcave izraelite të sigurisë në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem këtë muaj reflektojnë rëndësinë që ajo ka si pjesë e një prej pjesëve më të kontestuara të territorit fetar në Tokën e Shenjtë, shkruan amerikania “New York Times” në shkrimin që thelbëson historinë dhe zhvillimet e lidhura me përleshjet e fundit në bërthamën fetare të Lindjes së Mesme.

Në shkrimin përmbledhës përvijohen zhvillimet të lidhura me kompleksin e xhamisë, prej rëndësisë që ka pasur për shekuj me radhë për tri religjionet e mëdha deri tek arsyet pse ky vend është kthyer në pikë të nxehtë sot.

Çfarë përfaqëson “Al-Aqsa”?

Prestigjiozja njujorkeze që në hyrje tregon se xhamia “Al-Aqsa” është një prej strukturave më të shenjta në besimin islam.

“Xhamia ndodhet në një zonë me 35 akër, e njohur nga myslimanët si Haram al-Sharif, ose Fajtorja Bujare, dhe nga hebrenjtë si Mali i Tempullit. Kjo zonë është pjesë e Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, e shenjtë për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët”, shkruan NYT.

Në arabisht, “aqsa” përkthehet si “më e largëta”, dhe në këtë rast është referencë për shkrimin e shenjtë islamik dhe dëshmi e udhëtimit natën të profetit Muhamed nga Meka për t’u falur në xhami dhe pastaj ngritur në qiell.

Xhamia, ku mund të falen rreth pesë mijë besimtarë, besohet të jetë përfunduar në fillim të shekullit të tetë, dhe përballë ndodhet Kupola e Shkëmbit, kupola e praruar e faltores islamike që njihet gjerësisht si simbol i Jerusalemit. Myslimanët e konsiderojnë të shenjtë krejt kompleksin, me turma besimtarësh që mbushin oborret gjatë namazit të festave fetare.

Për hebrenjtë, Mali i Tempullit, i njohur hebraisht si Har Habayit, është vendi më i shenjtë për shkak se ishte vendi i tempujve antikë – i pari i ndërtuar prej Mbretit Solomon, sipas Biblës, dhe më vonë i shkatërruar nga babilonasit; dhe i dyti u mbajt në këmbë për pothuajse gjashtëqind vjet para se Perandoria Romake ta shkatërronte në shekullin e parë.

Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, Unesco, ka klasifikuar Qytetin e Vjetër të Jerusalemit dhe muret e tij si pjesë të Trashëgimisë Botërore, me çka konsiderohet e “rëndësisë së jashtëzakonshme ndërkombëtare, dhe rrjedhimisht meriton status të mbrojtjes speciale”.

Kush e kontrollon xhaminë?

Izraeli ia rrëmbeu Jordanisë Jerusalemin Lindor, përfshirë edhe Qytetin e Vjetër, gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967, dhe pastaj e aneksoi zonën. Izraeli do ta shpallte më vonë Jerusalemin e unifikuar kryeqytet të vetin, megjithëse ky veprim asnjëherë nuk është njohur ndërkombëtarisht.

Sipas një marrëveshjeje delikate status quoje, një shoqëri islamike e njohur si “Vakëfi”, financuar dhe kontrolluar nga Jordania, vazhdoi administrimin e xhamisë “Al-Aqsa” dhe Kupës së Shkëmbit, sikurse ka vepruar me dekada, duke e integruar këtë rol special edhe në traktatin e paqe së Izraelit me Jordaninë më 1994.

Forcat izraelite të sigurisë ruajtën një prani në zonë dhe koordinohen me “Vakëfin”. Hebrenjve dhe të krishterëve u lejohet ta vizitojnë, por ndryshe nga myslimanët, u ndalohet të falen në tokë sipas marrëveshjes së status quos. (Hebrenjtë falen vetëm poshtë platosë së shenjtë në Murin Perëndimor, mbetje të një muri që dikur rrethonte Malin e Tempullit).

Tensionet lidhur me atë që kritikët e quajnë diskriminim kundër jomyslimanëve herë vlojnë dhe përshkallëzohen në dhunë.

“Tensionet shtohen edhe më shumë gjatë festës së përvitshme të Ditës së Jerusalemit nga ana e Izraelit, një festë zyrtare për të shënuar kapjen izraelite të mbarë qytetit. Festa, që sivjet u mbajt të hënën, është provokim për shumë palestinezë, përfshirë banorët e pjesës lindore të Jerusalemit”, shkruan NYT. “Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez – prospekt që duket gjithnjë e më shumë i largët”.

A dëshiron Izraeli të marrë kontrollin e plotë?

Zyrtarët izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, kanë thënë se nuk synojnë ndryshimin e status quos.

Por disa grupe fetare izraelite kaherë kanë kërkuar të drejtën për t’u falur në këtë zonë. Në prill, Ministria e Jashtme e Jordanisë u ankua zyrtarisht për numrin e madh të vizitorëve hebraikë në zonë, duke e quajtur shkelje të status quosë.

Çfarë ndryshon në protestat e fundit?

Gjatë javëve para shpërthimit të dhunës të hënën në “Al-Aqsa”, tensionet po ngriheshin ndërmjet disa hebrenjve dhe palestinezëve për çështje të palidhura me kompleksin e xhamisë.

Ato përfshinë edhe përleshje ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, që shpërthyen disa javë më parë përreth Qytetit të Vjetër. Disa palestinezë sulmuan hebrenjtë ortodoksë në Jerusalem, dhe një grup hebraik supremacist hebraik kreu një marsh me pjesëmarrësit që brohoritën “Vdekje arabëve”.

Palestinezët u zemëruan edhe me policinë, që ua ndaloi të mblidheshin në një shesh të njohur në Qytetin e Vjetër gjatë javëve të para të muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve, palestinezët u përleshën me policinë izraelite për shkak të dëbimit të pritur të banorëve palestinezë të lagjes së Jerusalemit Lindor, ‘Sheiku Xharrah’, për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kolonie izraelite”, raporton “New York Times”.

Përleshjet kanë shpërthyer në kohën kur qeveria izraelite është në qorrsokak politik pas katër palë zgjedhjesh të mbajtura për dy vjet, dhe pasi presidenti palestinez i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, shtyu pakufishëm zgjedhjet parlamentare, të planifikuara të mbaheshin në fund të këtij muaji. Këto do të ishin zgjedhjet e para prej vitit 2006.

Si ndikuan përleshjet e kaluara në konfliktin izraelito-palestinez?

Akuzat e kundërakuzat dhe qëndrimet e ashpërsuara burojnë prej të gjitha llojeve të konfrontimeve lidhur me faltoret fetare në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, por disa prej tyre veçanërisht kanë ndihmuar formësimin e politikës izraelite.

Më 1990, ta zëmë, trazira vdekjeprurëse shpërthyen pasi një grup i ekstremistëve hebraikë u mundua të vinte gurin themeltar për një faltore për të zëvendësuar dy tempujt e shkatërruar në kohërat antike. Dhuna shpiu drejt konfrontimit të përhapur në mbarë Izraelin, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

Më 2000, një vizitë zonës për t’iu dhënë zemër pretendimeve, të prira prej politikanit djathtist izraelit, Ariel Sharon – atëherë lider i opozitës – ishte katalizator për shpërthim të një vale dhune izraelito-palestineze që nxiti kryengritjen palestineze të njohur si Intifada e dytë.

Më 2017, një tjetër krizë shpërtheu pasi tre qytetarë izraelito-arabë qëlluan dhe vranë në kompleksin fetar policë druzë izraelitë. Pastaj autoritetet izraelite kufizuan qasjen në zonë dhe instaluan detektorë metalikë dhe kamera.

Zemërimi arab kundrejt atyre masave të sigurisë çoi në më shumë dhunë dhe tensione me Jordaninë, që kërkoi edhe ndërmjetësimin diplomatik amerikan. Detektorët metalikë u hoqën.

Përktheu: Rexhep Maloku