Botë

Akuzat ndaj tiktokerëve për shkaktimin e një skandali zgjedhor në Rumani

Cristina Horez

Cristina Horez

Zgjedhjet presidenciale në Rumani do të përsëriten të dielën e kësaj jave, pasi zgjedhjet e vitit të kaluar, që nxorën fitues kandidatin e ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, u anuluan pas akuzave për ndërhyrje ruse, llogari të dyshimta në TikTok dhe pagesa sekrete për influencuesit. Në qendër të zhvillimeve janë ninfluencuesit e TikTokut të akuzuar nga autoritetet rumune për pjesëmarrje në fushata në mediat sociale, të cilat rritën artificialisht praninë online të Georgescut. BBC ka folur me disa prej tyre

Rumunët do t’u drejtohen kutive të votimit këtë fundjavë, pas anulimit të paprecedent të zgjedhjeve presidenciale dhjetorin e kaluar, të cilat nxitën protesta dhe trazira në mbarë vendin.

Fitorja befasuese e kandidatit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, në rundin e parë të zgjedhjeve u anulua mes akuzave për ndërhyrje ruse, llogari të dyshimta në TikTok dhe pagesa sekrete për influencuesit. Moska mohoi ndërhyrjen në zgjedhje.

Georgescut tani i është ndaluar të kandidojë teksa po përballet edhe me një hetim penal, përfshirë përpjekjen për të përmbysur rendin kushtetues. Ai i ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar autoritetet për “shpikje provash për ta justifikuar vjedhjen e zgjedhjeve”.

Në zgjedhjet e së dielës, favorit në sondazhe shihet George Simion, lideri i partisë së ekstremit të djathtë AUR. Ai pasohet nga Crin Antonescu i Partisë Liberale Kombëtare dhe kandidati i pavarur Nicusor Dan.

Në qendër të kësaj krize politike të paprecedent janë ninfluencuesit e TikTokut të akuzuar nga autoritetet rumune për pjesëmarrje në fushata në mediat sociale, të cilat rritën artificialisht praninë online të Georgescut. BBC ka folur me disa prej tyre.

Çfarë ndodhi në TikTok?

Fitorja e kandidatit të pavarur pro-rus, Calin Georgescu, në rundin e parë të zgjedhjeve qe surprizë.

Georgescu ishte relativisht i panjohur në muajt para zgjedhjeve, me një përqindje prej 3-5%. Në sondazhe ai deklaroi një buxhet zero për fushatën, nuk kishte zyrë të shtabit zgjedhor dhe nuk u përfshi në fushata tradicionale.

Në vend të kësaj, ai u përqendrua në videot e TikTokut, përfshirë disa që e shfaqnin duke hipur në kuaj me veshje tradicionale rumune e duke praktikuar xhudo. Ai u bë viral në TikTok disa javë para zgjedhjeve dhe u rrit në sondazhe, duke fituar në fund pothuajse 23% të votave.

Një raport i organizatës “Expert Forum” konstaton se rritja e Georgescut ishte “e papritur dhe e ndërtuar artificialisht”, duke aluduar në përdorim të organizuar të algoritmit të TikTokut për përfitim politik.

Autoritetet thonë se algoritmi i TikTokut u shfrytëzua në zgjedhjet e nëntorit në tri mënyra të ndryshme: përmes më shumë se 100 influencuesve me pagesë që promovuan mesazhe të koduara politike, mijëra llogari të rreme që komentuan në mbështetje të Georgescut, dhe një “figurë qendrore” që besohet se financoi të gjithë fushatën.

Autoritetet thanë se një nga këto fushata ishte identike me një fushatë të drejtuar nga Federata Ruse në Ukrainë.

Veçmas, dokumentet e deklasifikuara të inteligjencës nxorën në pah se Rusia kreu sulme kibernetike, rrjedhje informacioni dhe sabotim në Rumani.

Por autoritetet ende nuk kanë ofruar ndonjë provë konkrete të ndërhyrjes ruse në zgjedhje, duke frustruar shumë rumunë.

Shërbimet e Inteligjencës së Jashtme dhe Policia rumune refuzuan të komentojnë mbi hetimet që janë duke vazhduar.

Calin Georgescu 

Fushata e influencuesve

Një pjesë kyçe e manipulimit thuhet se ishte një fushatë me hashtagun “stabilitet dhe integritet”, që përmbyti TikTokun rumun pak para zgjedhjeve. Influencues të ndryshëm ngarkuan video që promovonin mesazhe për “stabilitet”, “patriotizëm” dhe “progres”, por në të cilat nuk përmendin emrin e ndonjë kandidati për president të ardhshëm.

Ata ishin paguar për të ngarkuar video me këto mesazhe përmes një platforme marketingu të quajtur “FameUp”. Por influencuesit thonë se nuk e dinin se kush pagoi për këtë.

“FameUp” nuk ka pranuar të komentonte për BBC-në lidhur me këtë.

Cristina, influencuese nga qyteti i Jasit, thotë se kur mori punën ndjeu se “nuk kishte asgjë të dyshimtë në lidhje me të”. Ajo thotë se mendoi se një nga 14 kandidatët ndoshta e pagoi atë dhe “thjesht mendoi se ishte një qasje e zgjuar për ta bërë popullin për vete”. “Kjo nuk po bën asnjë propagandë politike. Thjesht po inkurajon njerëzit të dalin dhe të votojnë”.

Disa influencues nuk i shënuan postimet si përmbajtje të paguar. Kjo bie ndesh me rregullat e TikTokut, ku reklamat politike të paguara janë të ndaluara. Ndërsa reklamat nuk përmendnin emrin e Georgescut, influencuesit me të cilët foli BBC-ja përshkruan një “valë komentesh” që e mbështesnin ato që shfaqeshin në video. Romeo Rusu, një influencues nga qyteti i Konstancës me 25.000 ndjekës, ka thënë se “menjëherë pasi postova videon, brenda pak sekondash fillova të merrja dhjetëra komente. Në fund, mora rreth 300 komente, të gjitha në mbështetje të kandidatit të pavarur Calin Georgescut... Isha absolutisht i befasuar”.

Komentet u vunë në qendër të vëmendjes, pasi TikToku në një raport njoftoi se kishte mbyllur mbi 27.000 llogari joautentike që postonin komente që lidheshin me zgjedhjet rumune.

Ende nuk është e qartë se kush i krijoi këto llogari.

Ekspertët thonë se komentet e shumta pro-Georgescu në video që nuk lidheshin me të ishte një taktikë për ta manipuluar algoritmin e TikTok dhe për ta bërë emrin e tij trend, gjë që, nga ana tjetër do ta shtynte përmbajtjen e tij në rrjetet e më shumë përdoruesve.

Një zëdhënës i TikTokut tha për BBC-së se, gjatë fushatës presidenciale, kompania bllokoi miliona përpjekje për shpërndarje të përmbajtjes së rreme, mbylli qindra mijëra llogari false, parandaloi krijimin e llogarive false në emër të kandidatëve politikë dhe ndërpreu tri rrjete të fshehta ndikimi me shtrirje të kufizuar”.

“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me autoritetet lokale dhe të BE-së dhe të bashkëpunojmë me organizatat lokale për të marrë informacion të besueshëm mbi zgjedhjet”,  thanë ata.

Pasiguria rreth fushatës zgjati deri pas Vitin e Ri, deri në një kthesë të papritur në janar.

Autoriteti Tatimor Rumun zbuloi se fushata #stabilitetdheintegritet u pagua nga Partia Kombëtare Liberale (PNL) e qendrës së djathtë, e cila po mbështeste kandidatin e saj në zgjedhje.

Në përgjigje, PNL u tha gazetarëve rumunë në median Snoop se fushata e tyre u komprometua për të mbështetur Georgescun.

“Mbreti i TikTokut”

Pastaj, në mars, influencuesi i TikTokut, Bogdan Peschir, u arrestua për “korruptim të votuesve përmes mjeteve elektronike të komunikimit”. Peschir njihej në të gjithë Rumaninë si “Mbreti i TikTokut”, i famshëm për dhënien e dhuratave të TikTokut për influencuesit, tokena online me vlerë të vërtetë.

Nga prokuroria e vendit thuhet se Peschir u pagoi mbi 900.000 dollarë mbi 250 influencuesve “për t'i bindur ata të votonin për një kandidat të caktuar në zgjedhjet presidenciale” përmes dhuratave të TikTokut.

Avokatët e tij raportohet se kanë thënë se “asnjë nga donacionet e bëra nga Peschir në TikTok nuk ishte për qëllime elektorale”.

BBC-ja ka folur me Lucian Elgin, muzikant dhe influencues i cili ka pranuar se ishte paguar mijëra dollarë nga Peschir përmes dhuratave të TikTokut.

Ai thotë se beson që këto pagesa u bënë në mbështetje të punës së tij si muzikant. Elgi mohoi se ai e promovoi Georgescun. BBC-ja nuk ka mundur ta konfirmonte këtë, pasi videot e tij në TikTok - së bashku me ato të të tjerëve që u paguan nga përdoruesi i Peschir në TikTok - janë fshirë.

Elgi thotë se përmbajtja e tij nuk kishte të bënte me zgjedhjet, por me muzikën manele, zhanër i muzikës pop-folk me rrënjë në komunitetin rom. Disa muzikantë të këtij zhanri  të profilit të lartë janë akuzuar se kanë marrë pagesa nga Peschir për të bërë fushatë për Georgescun.

Elgi ka theksuar se kjo përmbajtje u mbush me komente pro-Georgescut. “Ishte çmenduri”, thotë ai. “Çdo postim, komente si: ‘Georgescu për president’, ‘Georgescu për president’, ‘Georgescu për ‘president!’”.

Shumë gjëra nuk dihen rreth anulimit të zgjedhjeve. Hetimet janë duke vazhduar në Komisionin Evropian dhe gjykatat më të larta të Rumanisë. Ndërsa rumunët janë të shqetësuar për ndërhyrjen e dyshuar, shumë janë të indinjuar që ende nuk ka prova të disponueshme publikisht që vërtetojnë në mënyrë të pamohueshme ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Është një punë e mundimshme dhe komplekse për të zgjidhur një operacion ndikimi dhe efektet e tij. Razvan Lutac, redaktori i agjencisë rumune të lajmeve Snoop, druhet se mund të duhet shumë kohë për të sqaruar situatën.

“Tani kemi këto copa të vogla, si një enigmë”, thotë ai. “Mendoj se mbase brenda një ose dy vjetësh do të kemi një imazh të plotë se pse i anuluan zgjedhjet”.