Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Aeroplanët luftarakë me inteligjencë artificiale

E ardhmja e pilotëve luftarakë u shfaq këtë javë në ekspozitën ajrore ndërkombëtare në Farnborough, pranë Londrës, një nga ekspozitat më të mëdha të aviacionit, mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në botë

Krahu i djathtë i Mavercikut mund të bëhet një dron. Në filma, pilotët luftarakë përshkruhen si aviatorë ushtarakë, të trajnuar në mënyrën më të mirë, me aftësi e përvojë për t’i mposhtur kundërshtarët në luftimet ajrore.

Megjithatë, teknologjitë e reja janë vendosur të ripërcaktojnë se çfarë do të thotë të jesh një “Top Gun”, pasi algoritmet, të dhënat e makinat marrin rol shumë më të madh në kabinë – ndryshimet e nënkuptuara në “Top Gun: Mavercik”.

“Shumëkush flet për rrugët e së ardhmes, sikur nxjerrja e pilotit nga avioni”, ka thënë Walker Gall, pilot me bazë në RAF Lakenheath në Angli. “Përfundimisht, kjo nuk është diçka që ne mezi po e presim”.

“Dua ta mbaj punën time për aq kohë sa është e mundur, ama tash, është bërë goxha e vështirë të futesh në debate me teknologjinë gjithnjë e më të re”, ka vënë në dukje ai. “Në rast se kjo është rruga e së ardhmes, ashtu qoftë. Unë do ta bëj punën e pilotit për aq kohë sa mundem”.

Panairi i aeroplanëve

Edhe Samiti i NATO-s në Turqi, cila pritet të jetë dhurata e Trumpit për Erdoganin? Botë 2 j. më parë Samiti i NATO-s në Turqi, cila pritet të jetë dhurata e Trumpit për Erdoganin?

E ardhmja e pilotëve luftarakë u shfaq këtë javë në ekspozitën ajrore ndërkombëtare në Farnborough, pranë Londrës, një nga ekspozitat më të mëdha të aviacionit, mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në botë.

Kontraktuesit e mbrojtjes përvijojnë se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera do të përdoren në avionët e rinj luftarakë, teksa delegacionet ushtarake globale kanë shfletuar modele raketash, dronësh e avionësh ushtarakë. Në rrezik janë miliarda dollarë, ndërkohë që vendet po i përditësojnë flotat ushtarake ose pompojnë buxhetet e prokurimit të mbrojtjes mes tensioneve gjeopolitike në rritje.

Versioni origjinal i filmit “Top Gun”, i publikuar në vitin 1986, ka të bëjë me personazhin e Tom Cruiset, në rolin e pilotit Pete “Maverick” Mitchell, duke u trajnuar në shkollën e armëve luftarake. Në vazhdim të filmit, Maverciku i moshuar, tash pilot testues, mëson se aeroplani hipersonik top-sekret në të cilin po punon është duke u anuluar, në mënyrë që financimi të mund të përdoret te programi për dronë, pa pilot.

Është debat që po diskutohet ndër vite në botën reale. Dronët janë përdorur gjerësisht në luftën mes Rusisë e Ukrainës dhe konflikteve të tjera të kohës moderne, duke bërë që të shtrohet pyetja se sa ka nevojë që pilotët njerëz të fluturojnë në avionë ushtarakë të shtrenjtë ose avionë të tjerë- nëse mjetet ajrore pa pilot mund ta kryejnë të njëjtën punë.

Image

Aeroplanët pa pilot

Në ekspozitën e Farnboroughut, ekspertët kanë njoftuar se e ardhmja në luftën ajrore ka të ngjarë të jetë aeroplanë me pilot dhe pa pilot që punojnë së bashku.

Një ditë, pilotët “do të kenë nga një dron luftarak që do të fluturojë përkrah, si krahu i djathtë”, nën kontrollin e tyre, ka bërë të ditur Jon Norman, zëvendëspresident në biznesin e raketave dhe mbrojtjes të Raytheon Technolgies Corp.

Norman, pilot i pensionuar i Forcave Ajrore të SHBA-së, ka treguar se ai ankohej për dronët e kontrolluar nga toka që i pengonin kur ai fluturonte me avionë luftarakë.

Sistemet më të fundit të komunikimit i lejojnë luftëtarët, dronët dhe avionët e tjerë të komunikojnë e njëri -tjetrin ka bërë të ditur ai.

Teknologjia tashmë e ka larguar nevojën për personin e dytë të ulet në sediljen e pasme për të punuar me radarin – rol i portretizuar në filmin origjinal “Top Gun” nga personazhi Goose.

Ajo do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në kabinë, kanë thënë drejtuesit e Raytheonit. Inteligjenca artificiale do të analizojë grupe të dhënash nga sensorët e vendosur në aeroplanë, dronë, tokë ose raketa që fluturojnë në ajër për t’u dhënë pilotëve ne qiell dhe komandantëve të kthyer në bazë një ndjenjë më të mirë të fushëbetejës.

Edhe Kompania ajrore britanike hap vende pune për pilotë që drejtojnë avionët vetëm në tokë Botë 2 muaj më parë Kompania ajrore britanike hap vende pune për pilotë që drejtojnë avionët vetëm në tokë

Në betejat e ardhshme, inteligjenca artificiale mund të lejojë një pilot të dërgojë dronë të armatosur pranë pozicioneve armike “dhe t’i lejojë ata të qëllojnë sipas dëshirës”, ka shtuar Norman.

Ama është shumë herët për të shkruar epitaf për pilotin.

“Nëse do ta kishim pasur këtë bisedë 20 vjet më parë, pothuajse të gjithë ishin të sigurt se disa dronë do të shërbenin në rol zëvendësues të avionëve luftarakë. Kjo thjesht nuk ka ndodhur”, ka theksuar Richard Aboulafia, drejtor menaxhues në konsulencën AeroDynamic Advisory.

Në ditët e sotme, ka thënë ai, dronët kryesisht mbështesin avionët ushtarakë që drejtohen, gjë që i lejon ata të dalin më të përgatitur në betejë.

Kishte spekulime se luftaraku F-35, i cili hyri në veprim në vitin 2015, do të ishte avioni i fundit luftarak me njerëz, ka thënë Gareth Jennings, mbikëqyrës i aviacionit në ofruesin e inteligjencës së mbrojtjes Janes. “Por askush nuk e thotë më këtë”.

F-35, i ndërtuar nga Lockheed Martin Corp., është pjesë luftarake e fshehtë e gjeneratës së sotme të avionëve luftarakë. Ekziston një gjeneratë tjetër e avionëve luftarakë në fazat e konceptit që ofrojnë edhe më shumë përparime të teknologjisë së lartë, duke përfshirë versione potencialisht pa pilot, por ata nuk do të arrijnë para dekadës së ardhshme.

Gall, i cili së fundmi u diplomua në shkollën e trajnimit të pilotëve luftarakë, ka sqaruar se F-35 është i lehtë për t’u fluturuar dhe se teknologjia ka të ngjarë t’i bëjë edhe më të lehtë pasardhësit e tij. Mirëpo, ai ka theksuar se roli i pilotit luftarak do të mbetet intensiv.

Edhe nëse ky rol nuk do të largohet së shpejti, Pentagoni po punon për ta transformuar atë.

Programi Air Combat Evolution, i drejtuar nga agjencia kërkimore DARPA e Pentagonit, po punon në përfshirjen e inteligjencës artificiale në luftime, duke përfshirë projektimin e një avioni që mund të fluturojë vetë në një luftim kokë më kokë.

Programi ka kryer tashmë simulim të drejtpërdrejtë të luftimit ajror, duke vendosur një aeroplan virtual të pilotuar nga një agjent i inteligjencës artificiale kundër një piloti njerëzor. Nëse gjithçka shkon mirë, studiuesit planifikojnë të kryejnë një luftim të drejtpërdrejtë me avionë me inteligjencë artificiale deri në vitin 2024.

Megjithatë, ekspertët janë skeptikë se pilotët do të eliminohen nga kabina në të ardhmen e afërt.

Edhe Ryan Gosling tregon se Tom Cruise ka një skenë aksioni në setin e “Star Wars: Starfighter” Showbiz 4 muaj më parë Ryan Gosling tregon se Tom Cruise ka një skenë aksioni në setin e “Star Wars: Starfighter”

“Nuk mendoj se do të jemi në fazën që të mos kemi nevojë për pilotë luftarakë për disa dekada ende”, ka thënë Jennings, mbikëqyrësi i aviacionit. “Teknologjia pa pilot dhe gatishmëria e publikut për të pranuar të mos ketë një njeri në lak, thjesht nuk janë të pranueshme njëherë, dhe nuk do të jenë për të paktën 30 vjet të tjerë apo më shumë”.

Marrë nga Associated Press. Përktheu: Blerta Haxhiu