Një 18-vjeçar në Idaho të SHBA-së dyshohet se kishte planifikuar veprime të dhunshme në kishat lokale, pasi ai ishte zotuar për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik (IS).
Alexander Mercurio u arrestua të shtunën, një ditë përpara se prokurorët të thoshin se ai synonte të sulmonte kishat me armë, eksplozivë, thika dhe gypa, raporton BBC.
Ai dyshohet se donte të kryente sulme nga kisha në kishë derisa të vritej, ka thënë departamenti i Drejtësisë.
Tani ai mund të përballet me 20 vjet burgim.
Mercurio akuzohet për përpjekje për të ofruar mbështetje materiale ose burime për një organizatë të huaj terroriste.
“I pandehuri u betua për besnikëri ndaj ISIS-it dhe planifikoi të kryente një sulm në emër të tij mbi kishat në Coeur d'Alene, Idaho”, ka thënë në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, duke përdorur një emër të përbashkët për grupin e Shtetit Islamik.
Adoleshenti dyshohet se donte të kryente një akt martirizimi në qytetin në pjesën veriperëndimore të shtetit, ku ai jetonte, para përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në mesazhet që Mercurio dyshohet se dërgoi në fillim të këtij viti, ai përshkroi një plan për të "vrarë sa më shumë të jetë e mundur" në kishën më të afërt. Më pas ai kishte thënë se do të përsëriste" të njëjtin sulm ndaj kishave fqinje, duke u vënë zjarrin derisa të vritej".
Mercurio u arrestua pasi ndau planet e tij me një burim të paidentifikuar të FBI-së, sipas kallëzimit penal kundër tij.