Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

A ka kush ta mposhtë Macronin

Terreni zgjedhor është i hapur dhe i ndarë ndërmjet pesë kampeve të mëdha politike: presidenti Macron, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, karizmatiku i së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, qendra e djathtë, dhe qendra e majtë, përfshirë të Gjelbrit. “New Statesman” ka prezantuar konkurrentët kryesorë që do të synojnë postin më të lartë të ekonomisë së dytë më të mëdha dhe fuqisë më të madhe ushtarake në Bashkimin Evropian

Ka më pak se një vit nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale franceze – që pritet të organizohen në prillin e 2022-s – por tashmë ka nisur të përqendrohet vëmendja e madhe te politikanët e opozitës, të cilët mund t’i dalin përballë presidentit aktual, Emmanuel Macron.

Duke pasur parasysh se sistemi tradicional me dy parti, që nuk dominoi edhe në zgjedhjet e vitit 2017 - asnjë parti e madhe nuk ia doli të fitonte në raundin e parë të votimit - terreni zgjedhor është i hapur dhe i ndarë ndërmjet pesë kampeve të mëdha politike: presidenti Macron, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, karizmatiku i së majtës ekstreme, Jean-Luc Melenchon, qendra e djathtë dhe qendra e majtë, përfshirë të Gjelbrit.

Revista “New Statesman” i ka bërë një analizë garës politike në Francë dhe ndikimet që mund të kenë përcaktimet dhe pikëpamjet e ndryshme të kampeve aktuale politike në raundin e dytë zgjedhor.

Ido Vock, korrespodent i zhvillimeve ndërkombëtare në këtë revistë shkruan se Macroni, Le Peni dhe Melenchoni pritet që të jenë edhe zyrtarisht kandidatë, përderisa partitë e tjera besohet se do të vendosin për të përzgjedhurit e tyre kah mesi i këtij viti, “mbase me votuesit që do të ftohen të votojnë në zgjedhjet paraprake” të partive të tyre. Por Vock vlerëson gjithashtu se sfiduese do të jetë nëse gjatë muajve të ardhshëm, qendra e majtë dhe qendra e djathtë mund të vendosin për një kandidat të përbashkët. Megjithatë, konsiderohet se në një skenar të ngjashëm, votuesit e së majtës me gjasë do të mbesin të ndarë, njëherësh do të mbesin të ulëta edhe gjasat që kandidati majtist t’ia dalë të sigurojë garën në raundin e dytë.

Vock, gazetari i “New Statesman”, që drejton edhe një emision podcasti për çështjet politike botërore, ka prezantuar konkurrentët kryesorë që do të synojnë postin më të lartë të ekonomisë së dytë më të mëdha në Bashkimin Evropian dhe fuqisë më të madhe ushtarake të tij.

Edhe Le Pen: Do të kandidoj për presidente të Francës Botë 2 j. më parë Le Pen: Do të kandidoj për presidente të Francës

Emmanuel Macron

43-vjeçari Macron, president aktual i Francës, u zgjodh më 2017, duke e mposhtur Le Penin, lidere e së djathtës ekstreme, në raundin e dytë të zgjedhjeve me 66 për qind të votave. Megjithëse ai garoi si kandidat “as i së majtës, as i së djathtës”, prejse ka marrë drejtimin e vendit ka qeverisur kryesisht si president djathtist, vlerësohet në analizë.

“Sikurse kam shkruar në qershorin e kaluar, Macroni ka mbajtur qasje djathtiste në ekonomi, ka ulur taksat, ka ashpërsuar rregullat për pensionet dhe ka liberalizuar ligjet e tregut të punës, duke e tmerruar të majtën”, shkruan Vock, duke kujtuar se tashmë shumëkush po i referohet si “Président des riches“ (president i të pasurve).

Macroni ka mbajtur së fundmi qasje të sertë djathtiste edhe ndaj çështjeve të identitetit dhe kulturës. Qeveria e Macronit ka mbështetur një ligj, sipas të cilit do të vështirësohej publikimi i xhirimeve zyrtarët në detyrë. Kjo ka ngritur frikën se mund të kufizohet e drejta e qytetarëve që mund të përballen me brutalitetin tmerrues policor, shkruan Vock.

Pas vrasjes së një mësimdhënësi francez prej një islamiku në tetorin e 2020-s, Macroni propozoi ligj kundër “separatizmit islamik”, që pritet të diskutohet gjerësisht në mars nga senati.

“Krejt së fundmi, ministri i tij i Arsimit ka nisur një hetim për praninë në universitete të “islamo-gauchisme” (islamo-majtizmit), shprehje kjo e mjegullt që deri vonë ishte përdorur prej së djathtës ekstreme, që e ndërlidh politikën majtiste me islamizmin”.

Marine le Pen

Image

Marine le Pen, 52 vjeçe, lidere e partisë së djathtë ekstreme, Marshi Kombëtar (më parë Fronti Kombëtar), është kundërshtarja më e njohur opozitare. Megjithëse Macroni e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve më 2017, anketimet e fundit tregojnë se ata do të kenë garë të ngushtë në raundin e dytë të mundshëm.

“Devijimi i sertë djathtist i Macronit në çështje identiteti, që përfshin përshtatjen e një gjuhe me të djathtën ekstreme, është vlerësuar nga shumëkush si nder për Le Penin, me pretendimin se e ndihmon normalizimin e koncepteve dhe kauzave, që deri së fundmi me të drejtë konsideroheshin margjinale”, shkruan Vock në “New Statesman”. “Ta zëmë, shprehja kundërthënëse ‘islamo-gauchisme’ mund të duket nënçmuese jo vetëm për ideologjinë politike të islamizmit, por edhe për besimin islam”. Gjatë një interviste, ish-ministri Azouz Begag e ka dënuar përdorimin e myslimanëve si “kurban” në retorikën politike.

Megjithatë, mbrojtësit e Macronit argumentojnë se në kulmin e serisë së sulmeve terroriste që goditën Francën më shumë se çdo shtet tjetër evropian, opinioni publik u ashpërsua dhe nëse politikanët e spektrit të gjerë nuk shihen si kundërshtarë të vendosur ndaj islamizmit, atëherë e djathta ekstreme do të fitonte terren.

Jean-Luc Melenchon

Edhe Franca mban zgjedhjet lokale, votimi shihet si një tregues për ato presidenciale Botë 4 muaj më parë Franca mban zgjedhjet lokale, votimi shihet si një tregues për ato presidenciale

Jean-Luc Melenchon, 69 vjeç, lider i partisë së majtë ekstreme, Franca e Papërkulur, ka dalë i katërti në anketimet e fundit për zgjedhjet presidenciale. Performanca e fuqishme e tij në zgjedhjet e fundit, ku përfundoi i katërti, me 20 për qind të votave – i kontribuoi dezintegrimit të duopolit tradicional konservativ-socialist, me socialistët që u poshtëruan pasi kandidati Benoit Hamon fitoi vetëm gjashtë për qind të votave.

“Melenchon, kandidati i parë i shpallur – në nëntorin e vitit të kaluar, pothuajse 18 muaj para zgjedhjeve – po prin me kritikat nga radhët e së majtës kundrejt Macronit”, shkruan Vock.

“Separatizmi i vërtetë është ai i të pasurve”, deklaronte ai gjatë kundërshtimit të ligjit qeveritar antiislamizëm. Ai e ka krahasuar gjithashtu konceptin e “islamo-gauchimes” me “judeo-bolshevizmin”, shprehje e njohur e së djathtës ekstreme në vitet 1930 dhe 1940.

Qendra e djathtë

Partia Republikane ishte një prej viktimave të prishjes së sistemit partiak tradicional më 2017, kur asnjëra nga partitë dikur dominuese nuk ia dolën që të kalonin në balotazh. Partia kryesore opozitare në Asamblenë Kombëtare (megjithëse tani e dobësuar në përfaqësim), republikanët nuk ia kanë dalë nganjëherë të përçonin zërin e tyre, të çarmatosur nga një president që ka zbatuar shumë prej prioriteteve të tyre të kahershme në ekonomi dhe krejt së fundmi në çështje identiteti.

Kandidati kryesor është Xavier Bertrand, 55 vjeç, presidenti i rajonit verior, Hauts-de-France. Ai nuk është goditur nga ndonjë skandal korrupsioni, që e kishte fundosur garën politike presidenciale të François Fillonit, kandidat i qendrës së djathtë më 2017. Bertrand madje hoqi dorë nga republikanët menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale. Është raportuar se ai është i gatshëm për garën e vitit të ardhshëm.

Qendra e majtë

Socialistët u shpartalluan në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe kanë pasur telashe që të rimarrin veten prej atëherë, duke i shitur simbolikisht edhe selitë e tyre prestigjioze në Paris. Partia aktualisht i ka vetëm 25 deputetë. Kryetarja socialiste e Parisit, Anne Hidalgo, është një prej liderëve kryesorë të qendrës së majtë në vend. Ajo ende nuk e ka shpallur kandidaturën dhe më parë ka deklaruar se nuk do të garojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Figura të njohura socialiste kanë bërë thirrje që e majta të dalë me një kandidat të përbashkët.

Verdikti

Megjithëse ka edhe një vit deri në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, Macroni ka gjasa të humbë, vlerëson korrespodenti Vock i revistës politike “New Statesman”.

Edhe Gjyqi i Le Penit përfundon sot por kandidatura e saj presidenciale mbetet në rrezik Botë 5 muaj më parë Gjyqi i Le Penit përfundon sot por kandidatura e saj presidenciale mbetet në rrezik

“Opozita është e ndarë ndërmjet së djathtës ekstreme, qendrës së djathtë, të Gjelbërve dhe së majtës. Macroni ende prin në shumicën e anketimeve dhe do të përfitojë nga ‘fronti republikan’ (kur qytetarët votojnë për të neutralizuar të djathtën ekstreme) nëse përballet edhe një herë me Le Penin në balotazh, megjithëse me shkallë më të ulët se më 2017”, shkruan ai. “Por sikur paralajmërova vjet, Macronit mund t’i hakmerret vendimi për t’i ofruar pak si president krahut të majtë nga koalicioni zgjedhor që ia solli fitoren. Me ngurrimin për vaksinim dhe me një rimëkëmbje të brishtë ekonomike, ai megjithatë mund të ngecë në vitin e fundit si president”. \ Analizë e “New Statesman”

Përktheu: Rexhep Maloku