Botë

A është sulmuar edhe më parë Capitoli?

Nuk është hera e parë që ndërtesa – që konsiderohet zemra simbolike e demokracisë amerikane – është kthyer në cak të dhunës. Prej bombave deri te pushtimet e huaja, më poshtë do të lexoni edhe histori për katër sulme të tjera kundër ndërtesave të parlamentarizmit amerikan

Imazhet e përkrahësve të Donald Trumpit duke sulmuar Capitolin amerikan në përpjekje për të përmbytur rezultatin e zgjedhjeve demokratike kanë shokuar botën mbarë.

Katër persona kanë vdekur gjatë mësymjes, të nisur te mbështetësit e presidentit republikan në fund të mandatit pasi ai iu drejtua një mase të egërsuar njerëzish.

Kryeministri i zgjedhur, Joe Biden, e ka quajtur “kryengritje” sulmin, përderisa zëvendëspresidenti Mike Pence ka thënë se e mërkura e dhunshme do të mbetet “ditë e zymtë në historinë e Capitolit të Shteteve të Bashkuara”.

Por nuk është hera e parë që ndërtesa – që konsiderohet zemra simbolike e demokracisë amerikane – është kthyer në cak të dhunës.

Prej bombave deri te pushtimet e huaja, më poshtë do të lexoni edhe histori për katër sulme të tjera kundër ndërtesave të parlamentarizmit amerikan.

Forcat britanike e dogjën më 1814

Mbase sulmi më i famshëm ishte ai i kryer nga forcat britanike gjatë Luftës së vitit 1812. Trupat britanike, të prira prej zëvendësadmiralit, sir Alexander Cochkburn, dhe gjeneralmajorit Robert Ross, ia vunë flakën ndërtesës ende në ndërtim e sipër të Capitolit, pasi pushtuan Washingtonin në gushtin e vitit 1814 (megjithëse ndërtesa shpëtoi falë një shiu të furishëm).

Në shenjë hakmarrjeje për djegien nga amerikanët të kryeqytetit York të Kanadasë së Epërme një vit më parë, trupat britanike dogjën edhe pjesë tjera të qytetit dhe ndërtesat kryesore, përfshirë edhe Shtëpinë e Bardhë.

ImageRrënojat e Capitolit pas sulmit britanik

Sulmi i 1814-s shënon herën e vetme që një fuqi e huaj kishte zaptuar dhe pushtuar Washingtonin.

Më 2014, Ambasada britanike në Washington kërkoi falje pas postimit të pamjeve të një torte të Shtëpisë së Bardhë të rrethuar me xixëllonja, duke “festuar” djegien e ndërtesës 200 vjet më parë.

Sulmi me dinamit i Katër Korrikut - 1915

Një shekull pas sulmit britanik, Erich Muenter, atëherë profesor i gjermanishtes në Universitetin e Harvardit, ndezi tre shkopinj dinamiti në sallën e roitjes së Senatit. Shpërthimi dëmtoi ndërtesën, por askush nuk pësoi.

Muenter më vonë tha se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj financierëve amerikanë që po ndihmonin Britaninë kundër Gjermanisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Duke shkruar me pseudonimin në “Washington Evening Star”, Muenter tha se shpresonte se sulmi do të shkaktonte “mjaftueshëm zhurmë sa të dëgjohej më fort se zërat që i thurin lavde luftës”.

Një ditë pas sulmit, Muenter e qëlloi dhe e lëndoi financierin JP Morgan, para se të kapej e arrestohej prej kasapit të Morganit. Më vonë ia mori jetën vetes.

Sulmi nga nacionalistët puertorikanë – 1954

Më 1 mars 1954, katër nacionalistë nga Puerto Riko e nxorën flamurin e ishullit dhe brohoritën “Liri për Puerto Rikon”, derisa hapën zjarr prej galerisë së vizitorëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke i lënduar pesë kongresistë.

“Nuk erdha ta vras dikë, erdha të vdes për Puerto Rikon”, briti liderja Lolita Lebron, gjatë arrestimit të saj.

Image

“Erdha të vdes për Puerto Rikon!”, bërtiti Lolita Lebron, majtas, gjatë arrestimit

Lolita u dënua me pesëdhjetë vjet burg, derisa tre burrave iu shqiptuan 75 vjet.

Dënimet u zbutën pastaj nga presidenti Jimmy Carter. Administrata e tij tha se lirimi “do të ishte një gjest i rëndësishëm humanitar dhe do të shihej si i tillë prej shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.

Grupi u kthye në Puerto Riko para turmave që po i prisnin si heronj.

Bomba e “Konspiracionit të Rezistencës” – 1983

Më 7 nëntor 1983, një shpërthim i madh demoloi katin e dytë të Senatit. Pak minuta para shpërthimit, dikush që pretendonte se ishte nga grupi me emrin “Njësiti i Rezistencës së Armatosur”, mori përsipër sulmin, duke paralajmëruar se ishte vetëm një hakmarrje për aksionet ushtarake amerikane në Grenadë dhe Liban.

Nuk kishte viktima, por dëme goxha të kushtueshme.

Më 1988, agjentët e FBI-së arrestuan shtatë anëtarë të grupit radikal majtist “Konspiracioni i Rezistencës” për sulmin në Capitol dhe shpërthimet e tjera në Fort McNair dhe bazën e flotës amerikane në Uashington më 1983 dhe 1984.

Linda Evans dhe Laura Whiteborn u burgosën për konspiracion dhe shkatërrim qëllimkeq të pronës qeveritare më 1991. Që të dyja tani janë të lira.

Image

Makinat e policisë para Capitolit pas sulmit të vitit 1983