Shtrëngim historik i duarve mes Trumpit dhe Kimit

Shtrëngim historik i duarve mes Trumpit dhe Kimit

12 June 2018 21:28

Donald Trumpi dhe Kim Jong Un janë takuar në samitin e shumëpërfolur historik, raporton KTV.

Në Singapor, presidenti amerikan dhe lideri koreano-verior u zotuan të linin prapa të kaluarën dhe të fokusohen kah e ardhmja. Trump dhe Kim Jong-un e nënshkruan një dokument gjithëpërfshirës, derisa në një takim privat, ata diskutuan për uljen e tensioneve dhe çarmatimin bërthamor.

Të buzëqeshur, Donald Trump dhe Kim Jong-un shtrënguan duart në samitin historik mes tyre.

Presidenti amerikan ishte i pari që ia zgjati dorën liderit koreano-verior, i cili me ngrohtësi reagoi njëjtë.

Kësisoj, Trumpi dhe Kim Jong un bënë historinë në Singapor, në takimin e shumëpritur të dy kundërshtarëve të mëdhenj, të cilët ishin në prag të fillimit të një konflikti bërthamor.

Më pas, të dy liderët folën shkurt para gazetarëve.

Trumpi tha se është nder i madh që ndodhej në Singapor dhe takimin e pa si mundësi e ndërtimit të një raporti të shkëlqyer me Korenë Veriore.

Ndërsa, kur është pyetur nëse do ta ftojë Kim Jong-unin në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha se këtë do ta bëjë patjetër.

Në anën tjetër, Kim Jong-un ka thënë se nuk ishte e lehtë të arrihej deri këtu.

“U deshën vite të tëra, megjithatë arritëm t’i kapërcenim pengesat dhe ja ku jemi sot”, ka thënë Kim.

Me të përfunduar deklaratat e shkurta për media, liderët ecën së bashku për disa minuta, e më pas zhvilluan një takim sekret, ku të pranishëm ishin edhe përkthyesit.

Trumpi dhe Kim Jong-un e nënshkruan një dokument gjithëpërfshirës.

Ata e pranuan se diskutimet u fokusuan në zbutjen e tensioneve dhe çarmatimin bërthamor.

"Kemi vendosur të shmangemi nga e kaluara, derisa bota do të shohë ndryshime të mëdha", ka thënë Kim.

Megjithatë, analistët mbeten të ndarë në atë se çfarë do të arrijë samiti përfundimisht.

Disa e shohin atë si fitore propaganduese për Kimin, e disa e shohin si rrugë të mundshme për paqe.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme