Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

600 të vdekur nga përhapja e difterisë në Nigeri

Më shumë se 600 njerëz, kryesisht fëmijë, kanë vdekur nga difteria në Nigeri që nga fillimi i përhapjes së sëmundjes në dhjetor të 2022-s, shkruan BBC.

Me 14 mijë raste të dyshuara, kjo valë e sëmundjes është shumë më e rëndë se ajo e fundit e vitit 2011 kur u raportuan vetëm 98 raste. Shteti Kano, në Nigerinë veriore, është epiqendra e rasteve, që regjistroi më shumë se 500 vdekje.

Difteria është sëmundje shumë ngjitëse dhe prek hundën dhe fytin. Mund të shkaktojë edhe ulçera në lëkurë. Përhapet nga kolla dhe teshtitja ose nëpërmjet kontaktit të ngushtë me dikë që është i infektuar dhe në raste të rënda mund të jetë fatale.

Është e parandalueshme përmes vaksinave, por shumë nga fëmijët që kanë vdekur në Nigeri ishin të pavaksinuar. Numri i vdekjeve është rritur që nga 24 shtatori, kur Qendra e Nigerisë për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (NCDC) raportoi 453 vdekje dhe 11.587 raste të dyshuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se shkalla e vdekshmërisë dhe infeksionit mund të jetë më e lartë.