Botë

Mianmari vendos mina në kufirin me Bangladeshin

Qeveria e Bangladeshit pohon se autoritetet e Mianmarit kanë vendosur mina përgjatë kufirit mes dy vendeve me qëllim që myslimanët, të cilët nga Arakani arratisen në Bangladesh, të mos mund të kthehen prapa.

Qeveria e Bangladeshit me këtë rast ka kërkuar në bisedë ambasadorin e Mianmarit në Dhaka, për t’i shprehur mospëlqim për shkak të vendosjes së minave në kufirin e dy vendeve, transmeton AA.

Zyrtari i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Shahidul Haque, ka konfirmuar se kanë informuar Qeverinë e Mianmarit lidhur me çështjen në fjalë.

Reporteri i BBC-së, Sanjoy Majumder, deklaroi se këtë javë së paku tre persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit të minës.

Nga ana tjetër, forcat e sigurisë së Mianmarit kanë qëlluar me armë ndaj myslimanëve Arakanë të cilët tentonin të kalojnë kufirin me Bangladeshin.

Nën arsyetimin e luftës kundër grupeve militante, ushtria e Mianmarit gjatë ditëve të fundit ka shkatërruar së paku 60 fshatra myslimane, prej të cilave dhjetëra mijëra banorë u detyruan të ikin drejt Bangladeshit.

Sipas raportimeve të fundit të OKB-së, në Bangladesh deri tani kanë hyrë 123.000 myslimanë nga Arakani, ndërsa dhjetëra mijëra presin në vendkalimin kufitar.

Për shkak se në rajonin e krizës nuk ka përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, është e pamundur të flitet saktë për bilancin e viktimave dhe dëmeve gjatë sulmeve ndaj vendbanimeve myslimane. Organizatat joqeveritare lokale lajmërojnë se bëhet fjalë për mijëra persona të vrarë.