Botë

Papa ekspozon informacione konfidenciale nga mbledhjet e fshehta të kardinalëve

Descriptive Text

Papa Françesku dhe Papa Benedicti XVI

Foto: Associated Press

Papa Françesku ka ekspozuar “manovrat” politike të përdorura për të ndikuar në votat gjatë dy zgjedhjeve të fundit të papëve. Ai ka mohuar se po planifikon ta reformojë procesin e mbledhjeve të fshehta për zgjedhjen e papës në të ardhmen. 

Zbulimet e informatave konfidenciale janë përmbledhur në librin “The Successor: My Memories of Benedict XVI”, ku papa argjentinas reflekton mbi marrëdhënien e tij me papën e ndjerë gjerman.

Libri, i shkruar në formë bisede me korrespodentin e "ABC daily" të Spanjës, Javier Martinez-Brocal, vjen në një kohë delikate për papën 87-vjeçar, ka shkruar AP. Shëndeti i tij i ligë ka ngrehur pyetje se për sa kohë do të mbetet ai papë, nëse do t’i ndjekë hapat e Benedictit për dorëheqje, dhe kush mund ta zëvendësojë atë. 

Në libër, Papa Françesku ka zbuluar detaje konfidenciale për konklavën e vitit 2005 ku u zgjodh papë Benedicti dhe të 2013-s ku ai vetë u zgjodh, duke thënë se ai u lejua të shmangte betimin e kardinalëve për fshehtësi pasi është papë. 

Në vitin 2005, siç ka thënë Françesku, ai është “përdorur” nga kardinalët që donin të bllokonin zgjedhjen e Benedictit dhe se ata menaxhuan të ndikonin në 40 prej 115 votave. Ideja nuk ishte që të zgjidhej argjentinasi, por për të futur një kandidat kompromisi pas eliminimit të Benedictit nga gara, ka thënë ai. 

“Ata më treguan më pas se ata nuk donin një papë ‘të huaj’, - me fjalë të tjera, një jo-italian – ka shtuar Françesku, duke e bërë të qartë se procesi nuk kishte të bënte fort me kardinalët që frymëzoheshin nga Fryma e Shenjtë, sa ishte më shumë një llogaritje politike e fortë dhe e ftohtë. 

Papa Françesku ka shtuar tutje se ai i ka dhënë fund manovrës duke njoftuar se ai nuk do të pranonte të zgjidhej papë, pas së cilës Benedicti u zgjodh. 

“Ai ishte i vetmi që mund të bëhej papë në atë moment”, ka theksuar ai, duke shtuar se edhe vetë pati votuar për Benedictin. 

Në vitin 2013, pas dorëheqjes së Benedictit, sërish kishte politika manovruese të përfshira. Papa Françesku ka deklaruar se ai e kuptoi vetëm pasi kardinalët po bashkoheshin pas tij, duke e ngacmuar me pyetje rreth kishën në Amerikën Latine dhe duke lënë të nënkuptohej se ai po fitonte mbështetje. 

Ai është shprehur se më në fund e kuptoi se mund të zgjidhej papë kur kardinali spanjoll Santos Abril y Castello erdhi me vrap pas tij më 13 mars, pak para votës përfundimtare. 

Kardinali spanjoll kishte një pyetje që lidhej me aftësinë shëndetësore të Françeskut për ta përballuar papatin, pasi kundërshtarët dukej se kishin ngrehur shqetësimin për shëndetin e tij si pengesë të mundshme. 

“I nderuar, a është e vërtetë që nuk e keni një pjesë të mushkërisë?” ka kujtuar Françesku ta pyeste Abrili, ndaj së cilës iu përgjigj se e kishte hequr një pjesë të njërës mushkëri pas një infeksioni respirator. Pasi e siguroi se operacioni kishte ndodhur më shumë se 50 vjet më parë, ai kujton Abrilin të thoshte nën zë: “Oh, këto manovra të minutës së fundit...”

Françesku ka mohuar thashethemet se po planifikon ndonjë reformë të rregullave për zgjedhjet e papës së ardhshëm. 

Ndërsa, Papa Françesku mohoi këto reforma, ai zbuloi se po rishikonte protokollin për funeralet e papëve. Ai ka deklaruar se Benedicti është i fundit “ku trupi i një pape ekspozohet në një arkivol të hapur”. 

Ai ka thënë se do që të sigurohet se papa “varroset njëjtë si çdo bir i kishës”, në mënyrë dinjitoze por jo të ekzagjeruar.