Botë

Gjermania nën presion për të shpjeguar thirrjen e përgjuar nga Rusia

Descriptive Text

Gjermania është duke u përpjekur të shpjegojë se si një bisedë e zyrtarëve të Forcave Ajrore, që diskutonin për dhënien e raketave me rreze të gjatë veprimi Ukrainës, u zbulua nga burimet ruse, ka raportuar BBC News.

Javën e kaluar, kanali televiziv rus “RT” ka postuar një incizim audio të takimit.

Zyrtarët mund të dëgjohen duke diskutuar si raketat mund të godasin urën Kerch, e cila e lidh Rusinë me Krimenë.

Kjo ka ngjallur shqetësime të mëdha mes aleatëve për sigurinë e Gjermanisë.

Në incizim, katër oficerë ushtarakë gjermanë, duke përfshirë shefin e Forcave Ajrore Ingo Gerhartz dhe gjeneralin Frank Gräfe, dëgjohen duke diskutuar mundësinë e furnizimit të Ukrainës me raketa “Taurus”. Ata dëgjohen teksa diskutojnë edhe për detajet e operacioneve të supozuara britanike në terren të Ukrainës.

Ministria gjermane e Mbrojtjes ka konfirmuar se një bisedë mes zyrtarëve të forcave ajrore është “përgjuar” – por nuk ka thënë asgjë nëse ky incizim ishte manipuluar.

Kjo ka nxjerrë në pah ndarjet mbi këmbënguljen aktuale të kancelarit gjerman Scholz se nuk do të dërgonte raketa “Taurus” në Ukrainë. Scholzi ka frikë se raketat, të cilat kanë një rreze prej rreth 500 kilometrash, mund të përdoren nga Ukraina për të goditur territorin rus.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius është duke u përpjekur të portretizojë piraterinë si përpjekje të Rusisë për të krijuar përçarje. Ai e ka quajtur zbulimin e incizimit si “sulm hibrid të dezinformimit” që synon “prishjen e unitetit tonë”.

“Nuk duhet të biem pre e Putinit”, ka thënë Pistoriusi të dielën.

Kjo shkelje është duke u hetuar, por nuk është e qartë nëse rezultatet e hetimit do të bëhen publike.