Teksa shtetet e Perëndimit po hezitojnë t’i dërgojnë armët dhe municionet e nevojshme Ukrainës, Rusia është duke avancuar me shpejtësi në lindje të vendit duke përdorur avantazhin në forcën ajrore dhe në artileri
(The Guardian) Avioni luftarak i Rusisë ka fluturuar mbi Avdiivka, qytet ukrainas i braktisur këtë muaj nga forcat ukrainase. Ai është parë disa herë mbi vijën e re të frontit lindor. Pastaj ka lëshuar një bombë, jo shumë larg vendit ku qëndronte Maryna Haivoronska në fshatin Novoselivka Persha.
“Kam parë avionin që fluturonte. Ishte ora 9:30 e mëngjesit. Bomba ra 500 metra larg prej meje. U hodha në tokë. Akoma po më dridhen këmbët”, ka rrëfyer Haivoronska.
Që nga pushtimi i Avdiivkës, forcat ruse janë duke lëvizur me shpejtësi përpara. Më herët këtë javë kanë pushtuar dy vendbanime afër Novoselivkës, ku Haivoronska është kryebashkiake. Taktikat e tyre kanë qenë brutalisht efektive. Së pari, avionët luftues bombardojnë zonën. Pastaj, grupet luftarake ruse duke përdorur automjete të armatosura sulmojnë pozicionet e reja dhe të pambrojtura ukrainase.
Dy vjet pas nisjes së pushtimit të plotë, Rusia është afër arritjes së përparësisë strategjike në lindje. Kjo po ndodh në një peizazh fshatrash me fusha të shumta, bar të gjatë dhe kodra në formë piramidash. Forcat ukrainase enden lart e poshtë me automjete ushtarake “Humvee” përgjatë rrugëve të pluhurosura të fshatrave. Por nuk kanë zgjidhje kundër avionëve rusë, të cilët patrullojnë kërcënueshëm mbi ta në qiell, duke lënë vija të bardha tymi pas tyre.
Pavarësisht kësaj, trupat ukrainase nuk janë dorëzuar. Ata kanë rrëzuar 10 avionë sulmues të armikut për po aq ditë. Por në përgjithësi atyre u mungon mbrojtja ajrore, që ua mundëson t’i ndjekin avionët shkatërrues rusë, përgjatë rrugës drejt pozicioneve ushtarake mbi qytetin e pushtuar të Donetskut. Ukrainasit kanë pak artileri, e në anën tjetër rusët kanë shumë. Zhurma e raketave – si rrufe të njëpasnjëshme – mund të dëgjohet se ato nuk janë shumë larg nga vija e frontit ukrainas.
Bomba e rëndë që ra në rrugën e shkollës shkatërroi një shtëpi private dykatëshe. Për mrekulli familja brenda saj – Alyona Movchani dhe dy fëmijët e saj – i shpëtoi këtij sulmi. Fshati ishte goditur edhe më herët. Në vitin 2023, një raketë rrafshoi sheshin kryesor, duke shkatërruar gjithçka përveç një memoriali të luftës sovjetike, skulpturë e një ushtari të plagosur. Dy njerëz janë vrarë nga kjo goditje. Një tjetër vdiq nga sulmi në zemër.
Varësia nga ndihmat
Banorët lokalë kanë thënë se vendimet që po sfidohen se a do të merren apo jo shumë kilometra larg, në rastin e bllokimit të pakos 61 miliardë dollarëshe nga republikanët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ukrainën – janë ekzistenciale për ta. Shtëpitë dhe komunitetet e tyre po gëlltiten nga sulmet ruse.
“Ne kemi rënë në gjunjë, duke iu lutur SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për ndihmë”, ka thënë Haivoronska. “Unë jam nga Avdiivka. Unë kam besuar se qyteti do të arrinte të mbahej. Ne humbëm për shkak se burrat tanë nuk kishin avionë ose municione të mjaftueshme”.
Disa banorë ngurrojnë të largohen, pavarësisht faktit se rusët janë 10 kilometra larg dhe janë duke u afruar gjithmonë e më shumë. Kryebashkiakja ka thënë se vetëm 18 njerëz janë duke qëndruar në fshat. Nuk ka as elektricitet e as gaz aty. Dyqani i fshatit është mbyllur këtë javë. Diskoteka, kopshti i fëmijëve dhe qendra e mjekësisë janë mbyllur kohë më parë. Në fshatin fqinj, Zhelanne, rreth 454 banorë janë akoma duke u strehuar. Të martën ndihma humanitare u dha në shkollën e fshatit. Moska ka bombarduar ndërtesën tri herë, duke shkatërruar një pjesë të fasadës.
“Kam një çantë të gatshme. Por ku supozohet të shkoj?” ka pyetur veten 63-vjeçarja Liubov Hryhorivna. “Nuk kam para. Pensionet janë të vogla. Unë e dua vendin tim dhe nuk dua të largohem nga këtu”. Por çfarë mendonte ajo për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili është zotuar se do të “çlironte” pjesët e rajonit të Donetskut, të cilat nuk janë nën regjimin rus? “Putini filloi me Donetskun në vitin 2014. Tani ai dëshiron gjithçka. Apetiti i tij për pushtet është rritur. Ai është armiku ynë”, ka thënë ajo. A mund të fitojë Ukraina këtë luftë? “Nuk e di”, është përgjigjur ajo.
Hryhorivna ka mbledhur një bombol gazi, një llambë me bateri diellore dhe një batanije. Ajo ka thënë se jetonte në një apartament, i cili u përkiste prindërve të ndjerë të bashkëshortit, pasi një raketë goditi pronën e saj dhe ia shkatërroi xhamat e shtëpisë. “Do të doja të jetoja për të parë nipërit dhe mbesat e mia”, ka thënë ajo.
Nga 30 njerëzit që merrnin ndihma, njëri ka thënë se e ka mbështetur Rusinë. “Unë besoj në paqe”, ka thënë Anatolii Anatoliiovychi, duke parashikuar se “Rusia do të fitojë këtë luftë”.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, këtë javë ka thirrur samit urgjent në mbështetje të Ukrainës, i alarmuar nga bllokimi i pakos së ndihmës në Kongresin e SHBA-së. Pjesëmarrësit kanë rënë dakord se duhet të bëhet më shumë për të mbështetur Ukrainën. Bashkimi Evropian, megjithatë ka dështuar ta përmbushë premtimin për t’i dhënë Kievit një milionë fishekë artilerie. Dorëzimi i armëve, tankeve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe artileritë me rreze të gjatë, zakonisht ka ardhur shumë vonë dhe vetëm pas alarmimeve.
Ndërkohë, trupat ukrainase kanë ndërtuar me nxitim një linjë të re të fortifikuar, të dizajnuar për të penguar përparimet e mëtejshme ruse. Ajo zgjatet mes fshatrave Tonenke, Orlivka dhe Berdychi. Aty ka llogore dhe burime të ujit. Por ofrojnë mbrojtje më të paktë sesa bunkerët tashmë të braktisur brenda zonës industriale të Avdiivkës dhe një fabrikë e madhe aty. Këto kanë ndihmuar njësitë luftarake ukrainase t'u bënin ballë Rusisë dhe përfaqësuesve të saj për një dekadë. A do të punojë defensiva e re e Ukrainës? “Jam optimist”, ka thënë Mykola Kovalenko, kreu i rrethit ushtarak Ocheretynsk, i cili përfshin Novoselivkën, Zhelannen dhe fshatra të tjerë në perëndim të Avdiivkës. “Unë besoj në forcat tona të armatosura. Shiko sa gjatë mbajtën Avdiivkën nga pushtimi rus. Problemi i anës sonë është mungesa e armëve. Pa fuqinë ajrore, Rusia nuk do të kishte mundësi të pushtonte qytetin. Avionët janë të tmerrshëm për ushtrinë tonë”, ka shpjeguar ai. “Ushtarët tanë janë heronj. Nuk është e lehtë për ta ndaluar Rusinë dhe forcat e saj ushtarake”.
Dëshmia për këtë mund të shihej aty afër. Një bombë e avionëve ruse, që peshon 500 kilogramë dhe e njohur si “FAB”, kishte shkatërruar një dyqan dhe një shtëpi të bardhë. Zjarret endet digjnin ndërtesat. Toka ishte e nxehtë. Shpërthimi kishte transformuar një pemishte, të cilën e kishte shndërruar në një djerrinë me trungje të zeza. Një çajtore shtrihej në mënyrë surreale mes mbeturinave. Gotat ishin shkrirë dhe karbonizuar. Shpërthimi i kishte shkëputur tjegullat e çatisë, duke shpërfaqur skeletin me trarë druri.

Në orën 6:30 të mëngjesit të mërkurën Rusia nisi një sulm tjetër ajror. Një grua 62-vjeçare, e cila ishte duke ecur në rrugë, ishte lënduar. Shumica e shtëpive në qendër të Zhelannes janë shkatërruar. Në Novoselivkë në të njëjtën ditën, një bombë e lëshuar ka krijuar krater 25 metrash të gjerë. Ka pasur më shumë sulme ajrore në qytetin Pokrovsk dhe Kurakhove, ku forcat ukrainase po pengojnë një tjetër shtyrje të Rusisë.
Autoritetet kanë kërkuar evakuim të të gjithë fëmijëve të këtij distrikti. Të paktën 1,500 ukrainas të rritur mbeten aty. Shumica prej tyre janë pleq. Vullnetarët iu sjellin furnizime. Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për koordinimin e çështjeve humanitare (OCHA) ka sjellë një kamion plot me kuti të emergjencës mjekësore. Bombolat e gazit janë sjellë nga “Useful People from Avdiivka”, shoqatë bamirësie e formuar në vitin 2022 nga Sasha Semiletov dhe e financuar nga organizata “Razom”, me bazë në New York.
Më herët, Semiletov ka bërë dërgesa të rregullta për në Avdiivka, e cila dikur ishte shtëpia e tij. Udhëtimet ishin bërë gjithnjë e më të rrezikshme që nga tetori, kur rusët nisën një ofensivë të madhe me tanke. Ata kishin hyrë nga të tria anët, duke kërcënuar mbylljen e të vetmes rrugë që ishte nën kontrollin ukrainas. Të njëjtin muaj, një ushtarak rus që ishte duke drejtuar një dron, ka vënë re furgonin e Semiletovit. Droni ka ndjekur automjetin e tij, e ka zënë dhe i ka hapur një vrimë në çatinë e automjetit me predhë.
“Ndodhi një shpërthim dhe pastaj ne nuhatëm erën e tymit, por nuk ndaluam. Kur arritëm në qytet, ne e kuptuam se droni na kishte goditur. Ishte një moment i habitshëm. ‘Çfarë dreqin? Ne jemi akoma gjallë’”, ka rrëfyer ai. “Ne buzëqeshëm për fatin tonë të mirë”.
Droni bartte një granatë. Predha, fatmirësisht nuk goditi Semiletovin dhe pasagjerët e tij. Të martën ai ka udhëtuar për në Zhelanne në një makinë “Daewoo Lanos” ngjyrë ulliri, duke vozitur me shpejtësi nëpër tokën e ekspozuar, prej nga mund të shiheshin në distancë oxhakët e fabrikës së Avdiivkës. Atij i kujtohet si u përkeqësua gjendja brenda këtij qyteti. Rusia së pari shenjëstroi strukturat administrative, pastaj ndërtesat disakatëshe. Verën e kaluar, shkolla numër 6 ku kanë shpërndarë ushqim, u dogj deri në themel. Ai kishte parë se si avionët ushtarakë godisnin fabrikën, ku kishte punuar si inxhinier.
“Mund të shihje si formoheshin re të zeza në formë të kërpudhave. Brenda dy muajve, Rusia ka lëshuar 1,200 bomba ‘FAB’”, ka thënë ai. “Avionët F-16 të premtuar nga tri vende evropiane mund të kishin bërë ndryshim në këtë qytet. Por ata nuk erdhën kurrë”.
Mosdorëzimi
Zhelanne tani është duke paguar çmimin e hezitimit kolektiv të Perëndimit. Teksa Berlini është konfuz e Washingtoni merret me grindje të brendshme, Moska ka avancuar pa mëshirë. Fabrikat e saj janë duke prodhuar municione ditë e natë. Kremlini është duke punuar me aleatët totalitarë. Ai ka marrë predha dhe raketa balistike nga Pheniani dhe dronë kamikazë nga Teherani.
Në pritje në hije është edhe Donald Trumpi. Rikthimi i tij si president i SHBA-së ndoshta mund të dobësojë më tutje Kievin dhe të përshpejtojë humbjen e territorit ukrainas.
Zyrtarët ukrainas janë të vendosur me guxim ndaj pengesave të shtuara së fundmi. Hanna Maliar, ish-zëvendësministre e Mbrojtjes, ka thënë se Rusia është duke u përpjekur të avancojë në sektorin lindor të Ukrainës, prej pesë drejtimeve të ndryshme. Sipas saj deri më tash Rusia ka arritur vetëm “fitore lokale”. Gjeneralët rusë kanë dhënë urdhra “tetë herë” për pushtimin e të gjithë rajonit të Donetskut, qëllim ky i pamundur për t’u arrirë. “Padyshim ata do të përpiqen përsëri”, ka thënë ajo. “Armiku ka vuajtur nga humbjet e mëdha gjithashtu”.
Në Zhelanne, fshatarët kanë thënë se do të vazhdojnë të besojnë në fitoren e Ukrainës, edhe pse ky rezultat duket gjithnjë më i pamundur e më i largët. Valeriiy Yevsiukovi, vullnetar në “Useful People from Avdiivka”, ka pranuar se grupet sulmuese ruse mund të pushtonin me shpejtësi të madhe më shumë fshatra të rajonit. Por ai ka thënë se Rusia do të kishte problem të avanconte në qendrat e zhvilluara urbane, të tilla si qytetet e mbrojtura mirë të zonës lindore të Kramatorskit dhe Slovianskit.
Ndërkohë ai ka synim të mos ndalet. “Nuk ka kuptim të qash. Unë nuk besoj në jetën pas vdekjes”, ka thënë ai. “Sasha Semiletovi dhe unë jemi duke bërë diçka të dobishme. Bashkë kemi katër duar dhe dy koka. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar”.
Përktheu: Latra Gashi