Turqia ka hedhur poshtë pretendimet e Human Rights Watch (HRW) se shteti është përgjegjës për disa nga abuzimet dhe krimet e mundshme të luftës të kryera kryesisht kundër banorëve kurdë, në Sirinë veriore.
HRW-ja ka thënë në një raport prej 74 faqesh të publikuar të enjten se abuzimet e supozuara janë kryer nga forcat turke, dhe gjithashtu nga fraksionet e armatosura të mbështetura nga Ankaraja, në zonat që ata kontrollojnë në Sirinë veriore, raportoi AP.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme turke ka mohuar akuzat të premten, duke këmbëngulur se raporti i mbikëqyrësit me bazë në New York "nuk pasqyronte realitetet në terren dhe injoroi shqetësimet e sigurisë së Turqisë”.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti në përputhje me protokollin e qeverisë, ka këmbëngulur gjithashtu se Turqia respekton plotësisht "ligjin ndërkombëtar humanitar".
Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të mëdha brenda Sirisë, duke synuar milicinë kryesore kurde të Sirisë - Njësitë e Mbrojtjes së Popullit ose YPG, një fraksion i mbështetur nga SHBA-ja që Turqia e konsideron si një organizatë terroriste dhe një shtrirje të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK.
PKK-ja ka zhvilluar një kryengritje prej dekadash brenda Turqisë. Nga konflikti janë vrarë dhjetëra mijëra njerëz.
Raporti i HRW-së, i titulluar “Gjithçka është me fuqinë e armës: Abuzimet dhe mosndëshkimi në Sirinë veriore të pushtuar nga Turqia” – dokumenton akuza për rrëmbime, arrestime arbitrare, ndalime të paligjshme, dhunë seksuale dhe tortura.
Grupi i të drejtave të njeriut ka thënë se ka zbuluar gjithashtu se ushtria turke dhe agjencitë e inteligjencës ishin përfshirë në kryerjen dhe mbikëqyrjen e abuzimeve.