Botë

Të paktën 17 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

Të paktën 17 civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Gaza, si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite të shtunën, ka bërë të ditur agjencia palestineze e lajmeve WAFA.

Sulmet ajrore kishin shënjestruar tri hapësira banimi në Deir al-Balah dhe Jabalia në Gaza.

Pesëmbëdhjetë nga të vrarët ishin në dy shtëpi në lindje të Deir al-Balah, të Gazës qendrore. Këto shtëpi ishin bërë cak i dy avionëve luftarakë të Izraelit.

Dy të tjerë raportohet se janë vrarë në kampin e Jabalias, në Gazën veriore.

“Shtëpitë e shënjestruara po strehonin 70 njerëz të zhvendosur, si pasojë e agresionit të vazhdueshëm të Izraelit”, ka raportuar WAFA-s.

Disa të vrarë, mes tyre gra e fëmijë nga sulmet në Gaza të premten

Disa persona janë vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë nga sulmet në Gazën qendrore të premten.

Trupat e viktimave dhe të plagosurve janë dërguar në spitalin Al Asqa në Deir al Balah, pas sulmeve të premten mbrëma, raportoi AP.

Sulmet e së premtes vijnë një ditë pas sulmit rreth kamionëve me ndihma në qytetin e Gazës të enjten, ku mbetën të vrarë të paktën 115 palestinezë dhe të plagosur më shumë se 750, sipas zyrtarëve shëndetësorë.

Hamasi i cili e qeverisë Gazën, ka akuzuar Izraelin për gjuajtje me armë ndaj civilëve, mirëpo Izraeli ka thënë se shumica e njerëzve kanë vdekur në stampedo, pasi trupat e saj kishin gjuajtur në ajër.

Numri i të vdekurve në Gaza ka arritur në mbi 30,000 që kur kanë nisur luftimet mes Hamasit e Izraelit, më 7 tetor.